POLITIKATË FUNDIT

“Sytë kah Gjykata Kushtetuese” – Analisti: Nëse nuk ka vullnet, le të dakordohen për zgjedhje jashtëzakonshme

Kuvendi i Kosovës nuk është konstituuar as më 26 korrik, në ditën e fundit të afatit 30-ditor të caktuar nga Gjykata Kushtetuese, duke thelluar më tej krizën institucionale në vend.

Pavarësisht presionit politik dhe thirrjeve për zgjidhje të ngërçit parlamentar, deputetët nuk arritën të mblidhen për të përmbushur detyrimin kushtetues për konstituimin e legjislaturës së re. Mungesa e konsensusit për postet udhëheqëse të Kuvendit dhe ndarjet e thella ndërmjet grupeve parlamentare mbeten pengesat kryesore për formimin e institucioneve.

Analisti politik, Leon Duhanaj në një prononcim “Bota sot”, thotë se seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është kthyer në një sagë të turpshme që ka thyer çdo rekord negativ institucional.

Sipas tij, ajo që duhej të ishte një proces i natyrshëm demokratik, u shndërrua në një bllokadë të dëmshme për vendin, si pasojë e papërgjegjshmërisë politike.

“Seanca konstituive e legjislaturës së re në Kuvendin e Republikës së Kosovës, fatkeqësisht është shndërruar në një sagë të vërtetë, e cila ka thyer të gjitha rekordet negative të regjistruara ndonjëherë.

Aq e pa nevojshme, aq e pa natyrshme dhe aq e dëmshme për Kosovën dhe institucionet e saj.

E gjithë kjo sagë, absurde, ka ndodhur si pasojë e papërgjegjshmërisë së politikanëve tanë.

E gjitha nisi me shpalljen e rezultatit zgjedhor të zgjedhjeve nacionale të 9-të shkurtit, dhe ku z. Kurti e pa që e ka humbur pushtetin absolut.

Në vend që të si fitues i zgjedhjeve, të marrë përgjegjësinë e krijimit të institucioneve, zgjodhi alternativen konfrontuese dhe bllokuese.

Për fat të keq, z. Kurti nuk i bëhet vonë, pasi stagnimi i Kosovës, nuk e shqetëson fare.

Atë e shqetëson puna se si ta sigurojë pushtetin absolut në vend dhe asgjë tjetër.

Në ketë kontekst, z. Kurti dhe partia e tij, e vendosën një standard të paprecedant duke bllokuar qëllimshëm, duke shkelur rregulla e ligje, madje duke shkelur edhe Kushtetutën.

Z. Kurti dhe ish ministrat e tij, edhe pas betimit si deputet, nuk hoqën dorë nga ekzekutivi, duke ushtruar jashtëligjshëm pozitat ekzekutive, e çka është edhe me e rëndë, duke zhvilluar korrupsion pa fije turpi, pa fije droje.

Edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, z. Kurti dhe partia e tij, nuk ju binden. Madje edhe pasi Gjykata Supreme, i shpalli ve vendimet si të paligjshme, z. Kurti dhe subjekti i tij, nuk u brengosën por vazhduan me avazin e vjetër pa u trembur nga drejtësia dhe ligji”, thotë ai.

Tutje ai thotë se, tani jemi në fazë pezullimi, ku pritet që Gjykata Kushtetuese të tregojë qartë kush mban përgjegjësi për bllokadën.

Ai thotë se vendimi duhet të jetë i prerë, pa hapësirë për keqinterpretime, duke shtuar se qytetarët kanë të drejtë ta dinë të vërtetën, dhe pastaj të merren hapa për zgjidhje konsensuale – qoftë për rifillimin e proceseve, qoftë për zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Tani kemi pezullim të aktivitetit, ku shpresoj që Gjykata Kushtetuese do ta tregoj qartë si e bardha në të zezë, kush janë fajtorët për bllokadën.

Vendimi i Kushtetueses duhet të jetë i qartë, shtjerruar, duke mos lënë hapësirë për keqinterpretime.

Qytetarët duhet ta kuptojnë se kush është fajtori, e tek pastaj të merren masa konsensuale për të gjetur zgjidhje të përbashkëta për vendin.

Nëse nuk ka vullnet, le të dakordohen për zgjedhje jashtëzakonshme.

Kjo kastë politike, gjegjësisht përgjegjësit për bllokadën, duhet të përballën me sanksione ligjore.

Tani të gjithë sytë janë të kthyer kah Gjykata Kushtetuese e cila shpresoj të jetë e qartë, në mënyrë që shkaktarët të kuptohen dhe të sanksionohen edhe nga elektorati i tyre kurdo të ndodhin zgjedhjet.

Do të dëshiroja një rol me të qartë edhe nga Presidenca, që të adresohen gjerat me saktësi e jo me kalkulime, sepse çdo deklaratë kalkulative, le hapësirë për keqinterpretime.

Uroj që të kemi zgjidhje të shpejt të kësaj situate absurde, dhe që të ndodhin këndellje, duke u fokusuar në zgjidhje të përbashkëta e jo në vija të kuqe.

Kosova ka nevojë për unitet, sepse përçarja i bën dëm të madh dhe të pariparueshëm” – përfundon ai për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *