POLITIKATË FUNDIT

Syla: Po tentohet të përmbyset e vërteta historike e popullit të Kosovës

Procesi gjyqësor në Hagë ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka marrë një kthesë të pazakontë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar e ka rekrutuar ish-rojën e burgut, John Devaney, i cili më parë kishte mbikëqyrur të paraburgosurit gjatë qëndrimit të tyre në qendrën e ndalimit, si pjesë e ekipit prokurorial që po ndjek çështjen kundër tyre.

Devaney është parë edhe në seancën e fundit që është mbajtur.

Lidhur me këtë, Gazmend Syla, nënkryetari i OVL UÇK-së në një prononcim për “Bota sot”, ka shprehur shqetësim për emërimin e ish-rojes së burgut, Devaney, si prokuror.

“OVL UÇK ka kohë që ka alarmuar publikisht se procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së është thellësisht i politizuar dhe i ndikuar nga agjenda të jashtme. Kemi ngritur me kohë shqetësime serioze për mungesën e balancës, trajtimin e njëanshëm dhe standardet e dyfishta që aplikohen në këtë gjykatë.

Informatat e fundit për emërimin e një ish-roje burgu si prokuror, në këtë rast z. Devaney, nuk janë vetëm absurde në aspektin profesional, por rrisin edhe më shumë dyshimet mbi integritetin dhe paanshmërinë e këtij procesi. Kjo godet rëndë vetë bazën e së drejtës për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm, që është një e drejtë themelore e garantuar në çdo sistem demokratik”, është deklaruar ai.

Gjithashtu, Syla ka potencuar se OVL-UÇK ka ngritur shqetësime edhe në nivel ndërkombëtar, duke dërguar letra personaliteteve me ndikim për të kundërshtuar këto zhvillime që po prekin bashkëluftëtarët.

“Ky veprim jo vetëm që cenon procesin ligjor, por mund të shihet qartazi edhe si një përpjekje për të ndikuar në narrativën historike të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e trajtuar atë me një qasje kriminalizuese.

Në vend se të gjykohet drejtësisht lufta jonë për liri, po ndërtohet një skenar i rremë, ku me mjete të diskutueshme dhe vendime të pakuptimta tentohet të përmbyset e vërteta historike e popullit të Kosovës.

Ne si OVL kemi ngritur këto shqetësime edhe në nivel ndërkombëtar, duke ju dërguar letra shumë personaliteteve me ndikim, lidhur me këto zhvillime të padrejta që po u bëhen bashkëluftëtarëve tanë atje”, ka përfunduar Syla.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *