Kriza politike nuk zgjidhet nga ata që e krijuan – na duhet një qasje e re”
Kuvendi i Kosovës nuk u konstituua më 26 korrik, duke dështuar të respektojë afatin 30-ditor të vendosur nga Gjykata Kushtetuese pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Përkundër thirrjeve për përgjegjësi institucionale, forcat politike nuk arritën marrëveshje për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Në mungesë të konsensusit, pritet që Gjykata Kushtetuese të ndërhyjë sërish.
Kandidati për kryetar të Komunës së Gjilanit nga radhët e Guxo, Ilir Poroshtica, në një interviste për gazetën “Bota Sot”, ka komentuar situatën aktuale politike në vend, duke e cilësuar si një krizë të thellë që ka paralizuar funksionimin institucional dhe po ndikon drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.
“Vendi po kalon një krizë të thellë politike, me polarizim, mungesë dialogu dhe institucione që nuk funksionojnë si duhet. Kjo nuk është thjesht krizë politike – është bllokadë që ndikon drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve”, deklaroi Poroshtica.