Vuçiq kërcënoi me ‘pasoja’, Kurti alarmoi/ Avokati shqiptar me deklaratë të fortë: SHBA qëndron pas Kosovës!
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq ditë më parë e paralajmëroi Kosovën për “pasoja të paparashikueshme”, pasi Gjykata Themelore në Prishtinë i caktoi një muaj paraburgim Igor Popoviqit, ndihmësdrejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, reagoi menjëherë, ku tha se, deklaratat e bëra nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, janë kërcënuese që nuk duhet neglizhuar, pasi sipas tij rrezikojnë sigurinë e rajonit.
E në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli avokati shqiptar, Spartak Ngjela.
Fillimisht, tha se armiqësia e Serbisë ndaj shqiptarëve është një sëmundje dhe politikave kundër Kosovës.
“Ne shqiptarët që merremi me historinë tonë në lidhje me Serbinë; duhet të jemi të qartë që armiqësia e shthurur e Serbisë kundër shqiptarisë është tanimë ajo sëmundja e vjetër e patologjiisë politike serbe; të cilën e kanë pasur të gjithë mbretërit apo presidentët pushtues të një shteti; kur ky shtet ka fituar pavarësisë.
Ja, kjo po ndodh edhe në raportin politik midis Kosovës dhe Serbisë.
Por Presidenti i Serbisë Vuçiq, që njihet edhe nga politika amerikane si një i degraduar antishqiptar që vijon ta ketë Milosheviçin idhullin e tij.
Kurse duhet theksuar se Vuçiq sigurisht që nuk e ka harruar e nuk do ta harrojë se pavarësia e Kosovës ka garancinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Dhe kjo është një forcë e epërme shqiptare që ka garantuar shqiptarinë: Shqipëri-Kosovë”, nënvizoi ai.
ImageSpartak NgjelaFoto galeri
Megjithatë, Ngjela potencoi marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në, derisa theksoi se kjo aleancë është shumë e fortë ndaj ndikimit rus në Ballkan.
Në këtë pikë, tha se konflikti i mes Serbisë dhe Kosovës fillon që nga Perandoria Romake.
“Por tani politika e lartë e Serbisë e di që aleanca amerikano-shqiptare është një domosdoshmëri për politikën amerikane. Kjo sepse, në aleancë të ngushtë me dy shtetet shqiptare në Gadishullin Ilirik, politika amerikane ndihet shumë e fortë kundrejt Rusisë në këtë zonë.
Por njëherësh, ne duhet të kujtohemi se ky konflikt ndërkombëtar në lidhje me shqiptarinë, e cila ndodhet prej mijëra vitesh në Gadishullin e saj, nuk është i ri sepse kështu ka vijuar që nga Perandoria Romake te Perandoria Bizantine; nga Perandoria Bizantine te Italia Fashiste e Musolinit – dhe pastaj gjithmonë një konflikt midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë; i cili po vijon edhe tani që në Gadishullin Ilirik janë dy shtete shqiptare që ndërkohë kanë vendosur të ngrenë nivelin e forcës ushtarake”, nënvizoi ai.
Ndër të tjera, avokati shqiptar përmendi edhe ushtrinë dhe armatosjen e Kosovës, si një sinjal pozitiv për shtetet shqiptare.
“Ndërkohë jemi në kohën kur sapo ka filluar skema për ngritjen e ushtrisë shqiptare në Kosovë.
Kurse këtë skemë për armatosjen e Kosovës duhet ta kuptojmë shumë thellë në shqiptarët; sepse ajo forcë shqiptare që po ngrihet në Kosovë; do të shpëtojë edhe Shqipërinë që vijon të drejtohet nga kryeministër antishqiptar”, përmbylli Spartak Ngjela për “Bota sot”.