Tha se Kurti ka ndërhyrë te shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, analisti “shpërthen” ndaj Selës dhe Taravarit, i akuzon për…
Tha se Kurti ka ndërhyrë te shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, analisti “shpërthen” ndaj Selës dhe Taravarit, i akuzon për…
Politika
Tha se Kurti ka ndërhyrë te shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, analisti “shpërthen” ndaj Selës dhe Taravarit, i akuzon për…
Nga: N.E Më: 21 korrik 2025 Në ora: 14:05
Foto galeri
Foto ilustrim
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, jo rrallë herë janë komentuar për ndërhyrje në Maqedoninë e Veriut për shqiptarët në atë pjesë.
Madje, ka pasur të tillë që kanë konsideruar se Maqedonia e Veriut është bërë “fushëbetejë” e Kurtit dhe Ramës.
Gazetari dhe njohësi i çështjeve politike, Gazmend Ajdini, ka thënë se shqiptarët e Maqedonisë nuk duhet të bëhen peng i inateve personale mes liderëve.
Ai kishte paralajmëruar se politikat aktuale po rrezikojnë të zhbëjnë të arriturat e shqiptarëve pas vitit 2001, duke favorizuar forca që veprojnë kundër interesit kombëtar.
Sipas Ajdinit, çdo përkrahje ndaj kësaj qasjeje është një hap drejt tradhtisë kombëtare.
“Shqiptarët e Maqedonisë nuk janë dhe nuk duhet të bëhen peng i inateve personale Kurti-Rama. Shtyrjet personale janë të parëndësishme derisa nuk ndikojnë në mënyrë retrograde në avancimin e shqiptarëve si komuniteti i dytë më i madh në vend, me rreth 30% të popullsisë. Fatkeqësisht, politikat aktuale në vend po shkojnë në këtë drejtim, duke favorizuar ata që luftojnë të arriturat e shqiptarëve pas 2001-shit. Çdo përkrahje e kësaj politike është në drejtim të kësaj tradhtie kombëtare”, ka thënë Ajdini.
Ndërsa, Florian Nesimi ka theksuar se ndikimi i Kurtit te opozita shqiptare në zgjedhjet e fundit është fryrë në mënyrë propagandistike nga kundërshtarët, për të dëmtuar koalicionin opozitar.
Sipas tij, ndërhyrjet nga Tirana dhe Prishtina shpesh ndodhin me ftesën e vetë partive vendore, të cilat në momente të vështira kërkojnë mbështetje nga jashtë, duke anashkaluar kapacitetet intelektuale brenda vendit dhe duke mos i përfshirë ato në procesin politik.
“Kohëve të fundit është krijuar një përshtypje se Edi Rama dhe Albin Kurti politikën shqiptare në Maqedoninë e Veriut e kanë shndërruar në një arenë ku ata masin forcat për të treguar se cili nga ta është lideri më i pëlqyer apo lideri i gjithë shqiptarëve. Por këto veprime të tyre përpara se t’i quajmë si ndërhyrje nga jashtë, paraprakisht këtë fenomen do ta kisha quajtur si dobësi e BDI-së dhe VLEN-it për të krijuar politika autentike vendore, të pavarura nga ndikimet nga Shqipëria dhe Kosova. Në 10 vitet e fundit të gjithë jemi dëshmitarë se si Edi Rama vazhdimisht ka ushtruar influencë mbi disa politikanë shqiptarë të Maqedonisë së Veriut dhe gjithnjë këto ndërhyrje të tij kanë shkuar në favor të BDI-së. Rama kështu nga njëra anë ka shpëtuar BDI-në dhe nga ana tjetër këtë e ka përdorur edhe për nevojat e tij të brendshme në Shqipëri ku ai përpiqet të proklamohet si “lideri që bashkon shqiptarët”. Nga ana tjetër, në zgjedhjet e fundit parlamentare për herë të parë partitë opozitare shqiptare u bashkuan për të sjellur ndryshimin. BDI dhe disa politikanë e analistë nga Shqipëria dhe Kosova nuk ishin mësuar që të shihnin një opozitë të bashkuar dhe për këtë duhej të gjenin një fajtor, dhe kështu e akuzuan Kurtin për ndërhyrje në Maqedoninë e Veriut. Ndikimi i Kurtit te VLEN-i nuk ishte aq i madh sa ishte e madhe propaganda e ulët politike e cila përpiqej të njolloste figurën e Kurtit dhe të dëmtonte opozitën e bashkuar. Mendoj se ndërhyrjet që vijnë nga Shqipëria e Kosova fillimisht vijnë me vetë kërkesën e partive tona politike të cilat në momente krize kërkojnë shpëtim nga Shqipëria e Kosova. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kanë kapacitetet e duhura intelektuale për të krijuar politikat autentike por fatkeqësisht partitë politike nuk i kyçin intelektualët në politikbërjen e tyre, por po ashtu mund të themi edhe se te vetë intelektualët mungon guximi për aktivizëm në sferën politike” ka thënë analisti Florian Nesimi.
Në anën tjetër, Ziadin Sela kryetar i i Aleancës për Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, ka treguar se kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti i kishte propozuar që Arben Taravarin ta qesin kandidat për president.
Ai duke dhënë detaje në median e Kosovës, ka thënë se Kurti këtë ja kishte thënë në një takim më 4 janar 2024.
Sela ka thënë se për atë nuk do të ishte problem ta kandidonte Taravarin, por siç ka thënë ai ka treguar arsyet se pse shqiptarët nuk duhet të kenë kandidat për president.
“Në takimin e fundit që kam pas me z.Kurti më 4 janar 2024, para se të ndodhin problemet brenda për brenda, më është shtruar teza ‘çmendon ta bëjmë Taravarin kandidat për president’. Unë s’ka gjë kundër, por shtrohet pyetja a duhet të kemi kandidat shqiptar për president. Kam thënë kujdes se kjo del nga goja e një politikani që pesë vjet më para ka bërë thirrje që vota shqiptare të shkojë për shqiptarët, por në rrethana të tjera”, ka thënë Sela.
Analisti Suleman Mehazi, thotë se fjalët e Selës janë të pa vlera.
Sipas tij, pas përçarjes Sela dhe Taravari kanë humbur të drejtën politike të qytetarëve shqiptarë në RMV dhe qytetarët nuk ju besojnë.
“Fjalët e Ziadin Selës në Tëvë për bisedën me kryeministrin e Kosovë në detyrë, Albin Kurtin, i cili e kishte propozuar që Arben Taravari të konkurrojë për president gjatë Zgjedhjeve Presidenciale në RMV janë pa vlerë e të kota, themi kështu për shkak se e keqja ASH-së pikërisht janë Sela dhe Taravari të cilët nga mosaftësia e tyre u bënë nxënës politikë të Ali Ahmetit, Se çfarë i ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti Selës nuk ka rëndësi pasi edhe Sela edhe Taravari pas përçarjes e kanë humbur të drejtën politke të qytetarëve shqiptarë në RMV, qytetarët nuk ju besojnë. Këta të dy e zhdukën partinë e tyre për shkak interesave personale karrieriste e ku qytetarëve shqiptarë t’u premtojnë. Kështu që takimi i Selës me Kurtin para popullatës shqiptare në këtë republikë nuk ka peshë, është e kaluar dhe e harruar, dhe vetë kandidatura e Taravarit për presidentë është në anën propozuese të Kurtit”, ka deklaruar Mehazi.
ImageSuleman MehaziFoto galeri
Tutje, ai thotë se Sela e Taravari e kanë përçarë partinë.
“ Nuk është me rëndësi takimi i Selës me Kurtin, me rëndësi është se Sela e Taravari e përçanë partinë që e krijuan vetë më treshe, nga Zijadin Sela te Taravari nga Taravari partinë ua mori Arben Fetai. Shkurt e qartë, Sela e Taravari kanë humbur unin politik të tyre pasi kanë shkuar te mësuesi politik, Ali Ahmeti, ata janë nxënës gjersa Ali Ahmeti mentori i tyre politik”, ka pohuar analisti.