Bytyçi tregon arsyet pse Richard Grenell po e sulmon Vjosa Osmanin – Ja çfarë ka kuptuar
Ish-emisari amerikan në dialogun Kosovë–Serbi, Richard Grenell, ditë më parë sulmoi ashpër presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pasi kjo e fundit tha se presidenti Donald Trump kishte parandaluar një konflikt mes Kosovës dhe Serbisë.
“Turp për Vjosa Osmanin që manipuloi fjalët e Presidentit Donald Trump. Donald Trump u nominua për Çmimin Nobel për Paqen për punën e tij në paqen dhe normalizimin ekonomik midis Kosovës dhe Serbisë në vitet 2019 dhe 2020 – përmes nënshkrimit të Marrëveshjes së Uashingtonit nga Trump në Zyrën Ovale në Shtëpinë e Bardhë. Osmani nuk ishte pjesë e asaj marrëveshjeje. Dhe të pretendosh sikur kishte diçka të re është absurde”, shkroi Richard Grenell në platformën “X”.
E kundër Grenellit ka reaguar ashpër profesor, doktor Enver Bytyçi, sipas të cilit, Grenell ishte me ata që dëshironin ta ndanin Kosovën.
“Richard Grenell është një diplomat kontravers, i cili në mandatin e parë të Donald Trump (2017-2021) ka shërbyer kryesisht si ambasador në Gjermani, por edhe është përdorur për detyra të tjera, deri edhe si shef i agjencive të Shërbimeve Sekrete amerikane dhe si ndërmjetës për zgjidhjen e konfliktit midis Kosovës dhe Serbisë. Historia e tij e kësaj periudhe në raport me Ballkanin dhe dy shtetet shqiptare është gjithashtu kontraverse. Mik me ata që donin të ndanin Kosovën dhe mbështetës i idesë së tyre, e ndërkohë ‘armik’ i miqve të miqve të tij si Soros”, shprehet Bytyçi.
“Ishte e çuditshme sesi të bëheshin bashkë miqtë e Sorosit, pra Rama, Vuçiq dhe Thaçi, me armikun e Sorosit, ambasadorin Richard Grenell. Të dy këta, Grenell dhe Soros, ishin në armiqësi, së paku në aparencë. Por unë e besoj se shefi i Grenell, pra Donald Trump, nuk e donte George Soros, e luftonte atë, sepse ky i fundit ishte totalisht në krah të Hillary Clinton gjatë garës presidenciale të vitit 2016. Atëherë pse Grenell duhej të miqësohej me shërbëtorët e Soros?! Ai ka thënë se ‘paraja nuk ka ngjyrë’ dhe se ‘Për para mund të bëj çdo gjë’! Ndoshta është kjo arsyeja. Ndoshta jo”, shton profesor Bytyçi.
Sipas tij, Donald Trump nuk e ka pëlqyer këtë qasje të Grenell.
“Duke mos i pëlqyer shefit, ai është përpjekur të ngjizet me familjen e presidentit, përkatësisht me dhëndrrin, vajzën dhe djalin e Donald Trump. Pra, ka punuar për ta marrë kalanë nga brenda familjes. Por Trump është unik në llojin e vet. Nuk është nga ata liderë që i respekton vartësit e tij nga mënyra se si ata sillen me fëmijët dhe familjen e tij. Madje këtu ai krijon më shumë dyshime sesa besueshmëri. Një personalitet me kapacitet zgjuarsie të lartë e bën pyetjen: ‘Ore, pse ky Grenell i vardiset kësisoj njerëzve të familjes sime’? Dhe prej këtej nxjerr konkluzione”, nënvizon Bytyçi.
Më tej, Bytyçi tregon edhe arsyet pse Richard Grenell është i frustruar me Vjosa Osmanin.
“Këtë që po shtjelloj në këtë rast e ka kuptuar Richard Grenell. Prandaj ai është i frustruar. Është frustruar, sepse ka dështuar ta përballë Edi Ramën me Donald Trump në Paris. Ka dështuar ta ndalojë Vjosa Osmanin të takohet e të përshëndetet me presidentin amerikan. Ka dështuar ta mundësojë një takim të Aleksandër Vuçiq me kreun e Shtëpisë së Bardhë. Madje ka dështuar me turp, sepse presidentin serb e përzunë me ‘dhunë’ prej SHBA-ve. Ka dështuar që ta takojë kryeministrin e Shqipërisë me nënpresidentin amerikan ose me sekretarin e Shtetit Rubio, siç qe rasti në Konferencën e Mynihut. Ka dështuar që ta bëjë djalin e Trump ta priste Edi Ramën në Beograd. Shkurt, Richard Grenell e sheh veten të dështuar dhe dështimi më i madh i tij është lënia në hije nga presidenti Trump, kur ai pretendonte postin e Sekretarit të Shtetit”, thekson Bytyçi për “Bota sot”.
“Një njeri i dështuar kompleksohet. Si i tillë, Richard Grenell do e shkarkojë diku atë energjinë negative që kontrollon ndërgjegjen dhe subkoshiencën e tij. Vjosa Osmani i erdhi në shteg. Sepse Vjosa është e papajtueshme me mikun e Grenell, presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Madje pas një periudhe me marrëdhënie të mira me Ramën, duket se Vjosa e ka kuptuar se edhe kryeministri i Shqipërisë nuk ndryshon. Është ai Edi i përhershëm, që nën hije e nën rrogoz mban lidhje të ngushta me presidentin e Serbisë. Konsultohet vazhdimisht me të, direkt ose nëpërmjet Baton Haxhiut. Dhe në fund sillet me Kosovën sipas standardit të Serbisë”, shton Bytyçi.
Më tej, Bytyçi thotë se Grenell është vërtet i shpërqendruar. Sipas tij, këtë e dëshmon edhe fakti se ai në statusin e tij kundër zonjës Osmani e nis qortimin në mënyrë krejt jo-diplomatike.
“Shkruan tekstualisht… ‘Turp për Vjosa Osmanin…’ që akuzon Serbinë për plane për sulme kundër Kosovës. Në fakt këtë akuzë e bëri në mënyrë të përsëritur Donald Trump. Madje e përsëriti edhe në takimin e fundit para pak ditësh me shefin e NATO-s, Mark Rutte. Por Grenell, i pazoti dhe i paguximshëm të thoshte se ‘Presidenti Trump gabohet, kur konsideron se Serbia e Vuçiq do të sulmonte Kosovën’, i hakërrehet me arrogancë presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani”, shpjegon Bytyçi.
Sipas tij, rrjedha e ngjarjeve po shkon kundër interesave të treshes Grenell–Vuçiq–Rama.
“Në Kongresin Amerikan u tha hapur se USAID ka shpenzuar në Shqipëri 270 milionë dollarë amerikanë për organizatat e Soros me agjendë të manipulimit të drejtësisë dhe luftës kundër opozitës e kreut të saj për llogari të Edi Ramës. Këto shuplaka shkojnë edhe për mikun e Ramës e të Vuçiq, Richard Grenell. E kësisoj ai nuk mund të mos sulmojë ‘armikun’ e tyre, Vjosa Osmani, e cila denoncon çdo ditë kurthet e Serbisë kundër Kosovës dhe e mbron me fanatizëm vendin e saj. Është një luftë hibride që po i bëhet Vjosa Osmanit. Luftë që shkon deri te kërcënimet me jetën e saj e të familjes së saj nga shteti dhe shërbimet sekrete të Serbisë, për mua me dijeninë e Edi Ramës, madje me dakordësinë e tij”, shton Bytyçi.
“Përfundimisht duhet thënë se tre aleatët e interesit vetjak, Grenell, Rama dhe Vuçiq, janë në siklet. Gjithçka që përpiqen ta transferojnë te të tjerët, në rastin konkret te presidentja Osmani, e bëjnë për shkak se kanë problem me veten e tyre. Duket se hipokrizive, intrigave dhe djallëzive të tyre u ka ardhur fundi. Në këto momente tragjike dhe dilemash për ta, ata nuk dinë se çfarë thonë e as se çfarë bëjnë! Prandaj dhe nuk duhen marrë aq shumë seriozisht. Po vuajnë dramën e vet, po vuajnë karmën e tyre. Atë që u përpoqën t’ia bëjnë Kosovës, tani u ka rënë si boomerang vetë protagonistëve të së keqes”, përfundon profesor Enver Bytyçi.