Arrestimi i togerit të policisë, ja sa mund të jetë dënimi për veprën e spiunazhit
Togeri i policisë, Bojan Jevtic, është arrestuar sot pas një aksioni të IPK-së dhe Policisë së Kosovës.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, përmes një komunikate për media ka dhënë detaje rreth operacionit në lidhje me dyshimet për kryerjen e veprës penale të spiunazhit, aksion që kanë realizuar sot së bashku me AKI-në dhe Inspektoratin Policor të Kosovës.
Në komunikatë konfirmohet arrestimit i togerit të policisë Bojan Jevtić.
Në komunikatë shtohet edhe se i arrestuar nën dyshimet për kryerje të veprës penale ‘’spiunazh’’ është ndaluar për 48 orë.
Po ashtu, është konfirmuar edhe se gjatë bastisjes në shtëpinë e të dyshuarit në një fshat të Kamenicës janë sekuestruar prova materiale siç janë: dokumente konfidenciale të Policisë së Kosovës, disa telefona të mençur, usb, një armë e shkurtë, municion, para të gatshme në vlerë prej 10.000 euro, 2 milionë dinarë serbë, 600 franga zvicerane dhe prova tjera.
Tutje shtohet edhe se, IPK ka rekomanduar suspendimin e togerit policor i cili ka qenë i angazhuar në pozitën e shefit të operativës në policinë kufitare në pikë kalimin kufitar “ Dheu i Bardhë”.
Eksperti i sigurisë, Agim Musliu, thotë se rasti Jevtiq është sukses i koordinimit mes AKI-së dhe institucioneve të tjera të sigurisë.
Musliu përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se në posedim të Jevtiqit u gjetë edhe dokumentet të Shoqatës Ndërkombëtare të Policisë (IPA), ku janë anëtare Serbia dhe Rusia, por jo Kosova.
Sipas tij, kjo gjë edhe ngre dyshime për rrjete paralele komunikimi jashtë kanaleve zyrtare.
“Rasti Jevtiq si sukses i koordinimit mes AKI-së dhe institucioneve të tjera të sigurisë! Arrestimi i Bojan Jevtiqit, zyrtar i Policisë së Kosovës, nën dyshimet për spiunazh për llogari të BIA-s serbe, është një nga rastet më serioze por edhe më të suksesshme në fushën e kundërzbulimit. Hetimet disa mujore nga AKI, prokuroria speciale tregojnë përkushtim dhe koordinim për të goditur rrjete të fshehta me prani në institucionet tona të sigurisë. Në posedim të Jevtiqit u gjetën edhe dokumente të Shoqatës Ndërkombëtare të Policisë (IPA), ku janë anëtare Serbia dhe Rusia, por jo Kosova. Kjo ngre dyshime për rrjete paralele komunikimi jashtë kanaleve zyrtare. Përfshirja e një zyrtari policor në këtë rast thekson nevojën për vigjilencë të shtuar institucionale ndaj rrjedhjes së informacioneve të ndjeshme”, ka shkruar Musliu.