TË FUNDIT

“Rrënimi i autoritetit të policisë është rrënim i shtetit”- Sulmet e “orkestruara” ndaj Policisë, përmendet një rrjet i fshehtë serbo-rus

Vdekja e 27-vjeçarit në duart e Policisë së Kosovës ka tronditur opinionin publik dhe ka ngritur pikëpyetje serioze mbi integritetin dhe profesionalizmin e forcave të rendit.

Rasti, i cili është shoqëruar me reagime të fuqishme nga familjarë, qytetarë dhe organizata për të drejtat e njeriut, ka rikthyer në vëmendje çështjen e llogaridhënies institucionale dhe mungesës së transparencës në rastet kur abuzimi me detyrën supozohet të vijë nga vetë ata që janë të thirrur të garantojnë sigurinë.

Paralelisht me tronditjen dhe indinjatën për humbjen e jetës, në diskursin publik ka shpërthyer edhe një valë kritikash dhe denigrimi ndaj Policisë së Kosovës, duke rrezikuar të njollosë përpjekjet e saj në ndërtimin e një imazhi profesional dhe të besueshëm ndër vite.

Meha: Në asnjë rast nuk ka arsye as bazë që të etiketohet policia

Njohësi i sigurisë, Xhevat Meha vdekjen e një 27-vjeçari në duart e Policisë së Kosovës, e ka cilësuar ngjarjen si thellësisht të dhimbshme dhe shqetësuese.

Ai thekson se çdo shkelje e mundshme e procedurave policore duhet të hetohet në mënyrë të paanshme nga institucionet kompetente, për të sqaruar nëse ato kanë ndikuar në këtë humbje tragjike.

ImageXhevat MehaFoto galeri
“Është e dhimbshme kur dikush humb jetën pa fajin e vet. Se a ka pasur shkelje të procedurave nga policia, dhe nëse ka pasur, sa kanë ndikuar në vdekjen e të riut, duhet të vërtetohet nga institucionet kompetente. Në asnjë rast nuk ka arsye as bazë që të etiketohet policia. Sigurisht se mund të ketë individë që shkelin rregulloret e ndërhyrjeve, mirëpo edhe kur këta janë më shumë, edhe kur janë më pak, policët që shkelin rregulloret janë pakicë. Shumica gjithnjë janë të rregullt e të ndershëm”, thotë ai.

Sipas tij, në rrethanat aktuale në Kosovë, qytetarët duhet të jenë të vetëdijshëm për rrezikun që paraqet një rrjet i fshehtë serbo-rus, i cili, sipas tij, është infiltruar në institucionet kyçe të shtetit – përfshirë Policinë e Kosovës.

Ai paralajmëron se ky rrjet nuk është i kufizuar vetëm në një sektor, por ka depërtuar në hetuesi, prokurori, gjyqësi, mjekësi, media dhe në subjekte politike.

“Por, në gjendjen e tanishme në Kosovë, qytetarët duhet të marrin parasysh veprimin e rrjetit të fshehtë serbo-rus brenda institucioneve të Kosovës, përfshi Policinë e Kosovës. Ky rrjet ka shtrirje nëpër të gjitha institucionet tona, edhe në hetuesi, edhe në prokurori, edhe në gjyqësi, edhe në mjekësi, edhe te gazetarët, edhe te partitë politike e kështu me radhë. Kur rrjeti është i shtrirë kështu, nuk është e vështirë që të përpunohet situata dhe të marrë pamje e kahje që duan qendrat e këtyre rrjeteve. Nuk kemi pasur ndonjëherë verifikim të pastërtisë së figurës kombëtare të asnjë institucioni, as në Policinë e Kosovës, as në prokurori, as në gjyqësi e kështu me radhë. Ky verifikim duhet gjithsesi të kërkohet” – shpjegon ai.

Blakaj: Nuk ka rend pa polici, nuk ka demokraci pa rend, dhe nuk ka liri pa siguri

Edhe Korab Blakaj, ekspert i sigurisë, këtë rast e ka cilësuar si një humbje tragjike që me të drejtë ka shkaktuar reagime në opinionin publik. Por sipas tij, ajo që po ndodh pas kësaj ngjarjeje përbën rrezik serioz për rendin demokratik në vend.

Ai thekson se nuk ka demokraci funksionale në botë ku policia paragjykohet publikisht para se të flasin institucionet e drejtësisë.

ImageKorab BlakajFoto galeri
“Ngjarja e rëndë që rezultoi me humbjen e jetës së një të riu ka ngjallur me të drejtë reagime në opinionin publik. Por ajo që po ndodh pas saj , ajo atmosferë linçimi publik dhe fushatë e ashpër ndaj Policisë së Kosovës ,është tejet shqetësuese dhe e dëmshme për një shtet demokratik.

Po, po shohim një valë të koordinuar reagimesh që, në emër të “drejtësisë”, po e sulmojnë në mënyrë të njëanshme Policinë e Kosovës si institucion. Kjo është shumë e rrezikshme. Nuk ka asnjë vend demokratik ku policia linçohet dhe ku paragjykimi mediatik zëvendëson gjykimin institucional. Edhe në vendet me demokracitë më të konsoliduara, si SHBA, Francë apo Gjermani, rastet e dyshimta ndaj policisë trajtohen me seriozitet, por jo me histeri kolektive apo propagandë anti-shtetërore”, thotë ai.

Ai paralajmëron se linçimi publik ndaj Policisë së Kosovës sjell pasoja të dyfishta: dëmton institucionet e drejtësisë duke ndërhyrë në punën e tyre dhe shtrembëron të vërtetën duke prodhuar “fajtorë” në rrjete sociale e media, jashtë çdo procedure ligjore.

Sipas tij, rrënimi i autoritetit të policisë është rrënim i vetë shtetit. “Pa polici s’ka rend, pa rend s’ka demokraci, dhe pa siguri s’ka liri,” thekson Blakaj, duke bërë thirrje për mbështetje institucionale ndaj policisë, e jo delegjitimim të saj në emër të drejtësisë.

“Po, dhe kjo përbën një dëm të dyfishtë: i pari ndaj institucioneve të drejtësisë që nuk po lihen të kryejnë punën e tyre, dhe i dyti ndaj vetë të vërtetës. Nuk mund të bëjmë drejtësi duke shkelur mbi procedurat ligjore dhe duke nxjerrë “fajtorë” nëpër Facebook apo portale.

Është shumë i rrezikshëm. Rrënimi i autoritetit të policisë është rrënim i shtetit. Nëse e dobësojmë policinë, e ekspozojmë shoqërinë ndaj krimit, kaosit dhe vetëgjyqësisë. Nuk ka rend pa polici, nuk ka demokraci pa rend, dhe nuk ka liri pa siguri. Prandaj, në vend që ta sulmojmë Policinë, duhet të punojmë për rritjen e autoritetit dhe fuqizimin e saj institucional”, shprehet ai.

Në fund, ai kritikon klimën e mosbesimit që po nxitet ndaj institucioneve të sigurisë, duke theksuar se segmente të caktuara të medias dhe disa aktivistë po e shfrytëzojnë rastin tragjik për propagandë, në vend se të kërkojnë të vërtetën.

Në një thirrje publike drejtuar qytetarëve, mediave dhe opinionistëve, Blakaj kërkon maturi dhe respektim të procedurave.

“Po, dhe kjo është pasojë e një klime që po nxit mosbesim sistematik. Për këtë, përgjegjësinë më të madhe e mbajnë disa segmente të medias dhe disa aktivistë që në vend se të kërkojnë të vërtetën, po shfrytëzojnë rastin për propagandë. Besimi nuk ndërtohet me skandale të fabrikuara, por me fakte, transparencë dhe bashkëpunim.

Thirrje publike:

U bëj thirrje qytetarëve, mediave dhe opinionistëve që të tregojnë maturi. Hetimet duhet të vazhdojnë deri në fund, përgjegjësia individuale të qartësohet, por Policia e Kosovës duhet të mbrohet si institucion shtetëror.

Nuk është koha për të ulur moralin e forcave të rendit, por për të forcuar profesionalizmin dhe autoritetin e tyre. Në vendet demokratike, policia respektohet sepse është garantuesja e jetës, ligjit dhe rendit.

Shteti nuk ndërtohet duke rrëzuar institucionet, por duke i përmirësuar ato përmes mbështetjes qytetare dhe bashkëpunimit të ngushtë mes policisë dhe komunitetit. Çdo qytetar duhet të jetë partner i policisë në garantimin e sigurisë dhe të drejtësisë”, përfundon Blakaj për “Bota sot”.

Kujtojmë, se Agon Zejnullahu, 27 vjeç nga Lipjani, ka ndërruar jetë në orët e para të së hënës, më 7 korrik.

Inspektorati Policor ka arrestuar pesë zyrtarë policorë, të dyshuar për veprën penale “vrasje nga pakujdesia”.

Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan, ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për të gjithë të dyshuarit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *