OPINIONTË FUNDIT

Kurti: Rikthimi i Kosovës në EQAR është dëshmi e përkushtimit të Qeverisë aktuale për reforma në sektorin e arsimit

Pas lajmit për rikthimin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim si anëtare me të drejta të plota në EQAR, ka reaguar kryeministri në detyrë, Albin Kurti, duke e cilësuar rikthimin si një hap të rëndësishëm për arsimin.

Në një postim në rrjetet sociale, Kurti theksoi se vendimi për përjashtimin e agjencisë ishte marrë në vitin 2018, nën qeverisjen e atëhershme të PAN-it.

“Në vitin 2018, nën qeverinë e PAN-it, Komiteti i Regjistrit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR) vendosi ta përjashtojë nga anëtarësia Agjencinë e Kosovës për Akreditim,” shkruan Kurti.

Sipas tij, ky rikthim në një nga forumet më të rëndësishme evropiane për sigurimin e cilësisë në arsim është dëshmi e përkushtimit të qeverisë aktuale për reforma në sektorin e arsimit.

“7 vite më vonë, me qeverisjen tonë, kjo agjenci rikthehet si anëtare me të drejta të plota në këtë organizëm evropian,” shtoi ai.

Kurti theksoi më tej se qeveria që ai drejton ka qenë e angazhuar për të përmbushur standardet më të larta të arsimit evropian dhe për t’i ofruar studentëve kushte që i ndihmojnë të kenë sukses akademik.

“Jemi të përkushtuar dhe angazhuar plotësisht për t’u përafruar me standardet më të larta evropiane në arsim dhe ofrimin e kushteve të përshtatshme studentëve tanë që të kenë sukses në jetën e tyre akademike,” përfundon Kurti në postimin e tij

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *