Deklarata ‘bombë’ nga eksperti: Serbia ka qenë në fazë të avancuar që ta sulmojë Kosovën – ja pse u mbajt fshehtë
Duke komentuar deklarimet e presidentes Vjosa Osmani, se presidenti amerikan Donald Trump ka luajtur një rol kyç në parandalimin e një sulmi të mundshëm të Serbisë ndaj Kosovës, eksperti i sigurisë, Drizan Shala, thotë se ky është një mesazh i koduar për opinionin ndërkombëtar, por shumë i qartë për qarqet e sigurisë.
“Serbia ka qenë në fazë të avancuar të përgatitjes për një veprim agresiv, i cili është ndalur nga ndërhyrja direkte e SHBA-së. Duke përmendur Presidentin Trump, Osmani i referohet një forme joformale, por efektive të diplomacisë parandaluese – ndoshta përmes sinjaleve të ashpra ndaj Beogradit ose përmes kontaktit me segmente specifike brenda lidershipit serb. Kjo tregon se kërkesat për ‘neutralitet strategjik’ në rajon janë fiktive – garancia e vetme për sigurinë e Kosovës mbetet prania dhe reagimi i SHBA-së”, shprehet Shala për “Bota sot”.
Por pse u mbajt diskrete kjo ngjarje kaq e rëndësishme për Kosovën?
ImageDrizan ShalaFoto galeri
“Ka disa arsye pse kjo deklaratë nuk është komunikuar më herët apo më zëshëm: Natyra tepër sensitive e informacionit: Nëse ky parandalim është bazuar në inteligjencë të avancuar (SI – sensitive intelligence), atëherë publikimi i hershëm do të kompromentonte burime dhe metoda operacionale të SHBA-së dhe aleatëve. Evitohet krijimi i panikut publik: Në një kohë kur veriu i Kosovës është në tension të vazhdueshëm dhe institucionet janë në tranzicion pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, publikimi i informacionit për një sulm të mundshëm do të kishte destabilizuar situatën. Presion i heshtur mbi aktorët ndërkombëtarë: Duke zgjedhur një forum amerikan për ta bërë publike këtë deklaratë, Presidentja Osmani e ka përdorur atë si mjet presioni diplomatik ndaj aktorëve të tjerë ndërkombëtarë që ndonjëherë qëndrojnë pasivë ndaj agresionit serb”, nënvizon Shala.
A ishin të informuara edhe institucionet e tjera të Kosovës për këtë rrezik?
“Deri tani nuk ka pasur ndonjë reagim zyrtar nga Qeveria, Kuvendi apo Ministria e Mbrojtjes. Kjo nënkupton se vetëm struktura të përzgjedhura të inteligjencës (si AKI dhe SHIU), përfshirë Presidenten si komandante supreme, janë informuar drejtpërdrejt për këtë situatë. Komunikimi është bërë përmes kanaleve të klasifikuara diplomatike dhe ushtarake me aleatët, kryesisht SHBA-në. Kjo gjithashtu dëshmon për nivel të ulët të ndarjes së informacionit strategjik mes institucioneve të Kosovës, sidomos në situata kur nuk ka qeveri të konstituuar”, shpjegon Shala.
Më tej, ai thotë se më të brishtë sigurinë në Kosovë e bën edhe mungesa e institucioneve të konsoliduara pas 9 shkurtit.
“Pa asnjë dyshim, po. Kosova gjendet në një moment politik ku: Qeveria e re ende nuk është formuar pas zgjedhjeve të parakohshme të 9 shkurtit; Kuvendi është në funksion të kufizuar, me mungesë vendimmarrjeje efektive për çështjet e sigurisë kombëtare; Koordinimi ndërinstitucional është i dobësuar, çka krijon hapësirë për cenueshmëri nga aktorë të jashtëm. Në këtë situatë: Vendimmarrja emergjente vonohet; Zinxhiri komandues nuk është i plotë; Kapacitetet për të përballuar një krizë rajonale janë të kufizuara, si në aspektin ligjor, buxhetor, por edhe në reagim operacional”, shpjegon Shala, i cili kërkon urgjentisht formimin e institucioneve të reja në Kosovë.
“Formimi urgjent i institucioneve – për të pasur një qeveri legjitime që mund të ndërmarrë veprime të shpejta në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Informim zyrtar nga Presidentja për Kuvendin dhe strukturat ushtarake e të sigurisë, në mënyrë që vendi të përgatitet për çdo rrezik të mundshëm. Hartimi i një dokumenti emergjent të politikës së jashtme dhe të sigurisë kombëtare, që përfshin veprime parandaluese dhe përgatitje për çdo përshkallëzim. Koordinim i thelluar me SHBA-në, NATO-n dhe partnerët rajonalë, për të ndërtuar një ombrellë mbrojtëse ndaj skenarëve destabilizues”, përfundon eksperti i sigurisë, Drizan Shala.
Kujtojmë se Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë një deklaratë me peshë të jashtëzakonshme gjatë një diskutimi në Universitetin “Johns Hopkins” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës: