Sveçla: Numri me të cilin u kërcënua Kuvendi i Kosovës ka ndërlidhje me Ratko Mladic
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës e paraparë të mbahej dje në ora 11:00 u shtye për ora 20:00 pas paralajmërimeve për shpërthim potencial të një bombe brenda objektit të institucionit legjislativ të Kosovës.
Deputetët dhe mediat prezente u evakuuan nga Policia e Kosovës të cilët konfirmuan se lajmi për bombë ishte i rrejshëm, shkruan KosovaPress.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla përmes një postimi në Facebook tha se është identifikuar informatori i lajmit të rremë dhe sipas tij pistat e hetimit dërgojnë në Serbi.
Sveçla thotë se kërcënimi është i regjistruar në Serbi dhe i përket kompanisë telefonike MTS, teksa shfrytëzuesi i numrit është shtetasi serb Lazar Zivkovic, kurse në disa profile të ndërlidhura me këtë numër është gjetur fotografia e kriminelit të luftës, Ratko Mladic.
“Institucionet e Kosovës janë duke trajtuar rastin me prioritet të lartë dhe do të kërkojnë mbështetje ndërkombëtare për arrestimin dhe vënien para përgjegjësisë të personave që qëndrojnë pas kërcënimit, sa më shpejt që të jetë e mundur. Sulmuesit dhe kërcënuesit që strehohen në Serbi, pavarësisht mbështetjes nga shteti serb, nuk do të arrijnë t’i shmangen përgjegjësisë”, ka shkruar Sveçla.
Kujtojmë se dje dështoi edhe tentimi i 42’të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, kurse seanca e radhës është e paraparë të mbahet nesër nga ora 11:00.