Integrimi në NATO, eksperti jep lajmin e mirë për Kosovën: Është para Serbisë dhe Bosnjës
Sipas ekspertit të sigurisë, Drizan Shala, deklarata e ish-këshilltarit të Presidentit Obama, Charles Kupchan se “Gadishulli i Ballkanit një ditë do të jetë i integruar në NATO” dhe se “kjo është vetëm çështje kohe për Kosovën, Serbinë dhe Bosnjën”, është shumë më tepër se një analizë akademike.
“Ajo është një sinjal i qartë strategjik që vjen nga një zë me peshë të rëndësishme në qarqet vendimmarrëse të politikës së jashtme amerikane – një sinjal që duhet të përkthehet në veprim të menjëhershëm institucional nga vendet e rajonit dhe veçanërisht nga Kosova. Rendi i ardhshëm gjeopolitik – Deklarata e Kupchan ndan qartë Ballkanin Perëndimor nga vendet si Moldavia, Gjeorgjia dhe Ukraina, të cilat i sheh si ‘zona gri’ të pashmangshme, për shkak të afërsisë me Federatën Ruse dhe rrezikut të përshkallëzimit ushtarak. Në të kundërt, ai e sheh Ballkanin si pjesë natyrale të zgjerimit të NATO-s, një rajon që ndodhet brenda ‘rrethit të sigurisë euroatlantike’ dhe që për nga pozicioni strategjik dhe niveli aktual i ndërvarësisë me strukturat perëndimore, është shumë më afër integrimit të plotë”, shprehet Shala për “Bota sot”.
Sipas tij, ky vizion është pasojë e realitetit të ri të pas vitit 2022, ku agresioni rus ndaj Ukrainës ka rikonfiguruar tërësisht arkitekturën e sigurisë në Evropë.
ImageDrizan ShalaFoto galeri
Siç thotë ai, NATO nuk mund të lejojë më që Bosnja, Kosova apo edhe Serbia të mbesin në një vakum strategjik që mund të shfrytëzohet nga Rusia ose Kina.
“Për Kosovën, deklarata e Kupchan është një dritare e re gjeopolitike dhe një mundësi që nuk guxon të humbet. Sot, Kosova është më pranë NATO-s sesa ka qenë ndonjëherë më parë. Ka bashkëpunim të rregullt me Aleancën, ka kontribuar në misione ndërkombëtare (p.sh. në Irak) dhe po ndërton gradualisht kapacitetet e Forcës së Sigurisë së Kosovës në linjë me standardet e NATO-s.”
Shala thotë se për ta konkretizuar këtë afrim, nevojiten disa hapa urgjentë dhe strategjikë.
“Aplikimi në Partneritetin për Paqe (PfP) si hap i parë për institucionalizimin e marrëdhënieve me NATO-n; lobimi i drejtpërdrejtë me katër shtetet mos-njohëse brenda NATO-s (Spanja, Greqia, Sllovakia dhe Rumania) për të zhbllokuar konsensusin formal për anëtarësim; vendosja e një misioni të përhershëm të përbashkët të NATO-s në Kosovë, i cili do të shërbente si garanci për stabilitetin rajonal dhe si bazë për operacione në Ballkan; zhvillimi i FSK-së si forcë moderne, interoperabile dhe e certifikuar për të marrë pjesë në operacione kolektive të sigurisë”, shpjegon Shala.
Por çfarë e ndikon dhe përshpejton integrimin e Kosovës në NATO?
“Në këtë moment historik, integrimi i Kosovës në NATO nuk varet vetëm nga vullneti i brendshëm, por nga disa faktorë kyç: agresioni rus në Ukrainë ka rritur ndjeshmërinë strategjike të Perëndimit për Ballkanin si ‘shkallë e parë mbrojtjeje’ ndaj ndikimeve autoritare. Angazhimi i SHBA dhe BE-së po bëhet gjithnjë e më i qartë për një përfundim të procesit të integrimit të Ballkanit, si në NATO, ashtu edhe në BE. Lufta hibride në rajon (dezinformimi, rrjetet ilegale të ndikimit, destabilizimi politik) e bën të nevojshme praninë e përhershme të një ombrelle sigurie kolektive. Dialogu me Serbinë dhe çdo përparim në njohje ndërkombëtare do të lehtësojë pengesat teknike për anëtarësim”, thekson Shala.
Shala deklaron se Kosova është e përgatitur më shumë se Serbia dhe Bosnja për integrimin në NATO.
“Në rastin e Serbisë, neutraliteti ushtarak, lidhjet tradicionale me Rusinë dhe mungesa e vullnetit politik për të anuar qartë kah NATO, e bëjnë procesin e saj të anëtarësimit shumë më të ngadaltë. Në rastin e Bosnjës, sfida qëndron në ndikimin e Republikës Srpska, e cila e bllokon hapur çdo përpjekje për integrim euroatlantik dhe mbështetet nga Moska. Kosova, ndonëse e re në shtetformim dhe me sfida të njohura politike e diplomatike, është paradoksalisht më e përgatitur se të dyja këto shtete për t’u bërë anëtare e NATO-s – nëse i përshpejton proceset e brendshme dhe diplomacinë lobuese”, thekson Shala.
Për fund, eksperti Shala deklaron se rasti i Kosovës është politik, jo teknik.
“Zhvillimet ndërkombëtare e kanë bërë të qartë: Kosova nuk është më në periferi të interesave strategjike të Perëndimit. Ajo është brenda llogaritjeve gjeopolitike dhe për këtë arsye, duhet të sillet si aktor serioz, kontribuues dhe proaktiv. Deklarata e Kupchan është ftesë e heshtur për t’u përgatitur – sepse vendimi për pranimin e Kosovës në NATO nuk do të merret kur të jemi ‘gati’, por kur të kemi bërë presionin dhe përgatitjen që kërkon politika ndërkombëtare. Në fund, siç e theksoi Kupchan, është vetëm ‘çështje kohe’ – por koha nuk pret ata që nuk veprojnë”, përfundon eksperti Drizan Shala.