OPINIONTË FUNDIT

Heshtja e SHBA-së/ Pse Amerika po refuzon ndërhyrjen për zhbllokimin e krizës politike në Kosovë?

Kur kemi hyrë në muajin e gjashtë të krizës politike në Kosovë, ku deputetët po dështojnë që ta zgjedhin kryetarin e ri të Kuvendit të Kosovës, gjithnjë e më shumë po kërkohet që bashkësia ndërkombëtare, gjegjësisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të ndërhyjnë për zhbllokimin e situatës së krijuar.

Së fundi, deputeti i LDK-së, Alban Zogaj, kërkoi ndihmë nga ky vend mik për zgjidhjen e ngërçit politik.

“SHBA-ja është partneri kryesor i Kosovës, është aleati më i madh që e kemi. Duhet të mburremi e ta forcojmë këtë aleancë, e jo ta zbehim. Sot jemi në një situatë të rëndë për vendin, dhe kur më së shumti na duhet ky partner, është i heshtur për momentin”, tha deputeti i LDK-së, Alban Zogaj.

Por analistët politikë e shohin si të pamundshme ndërhyrjen e SHBA-së në këtë situatë.

Madje disa e bëjnë fajtore edhe LDK-në për bllokadën e krijuar.

Kërkesë legjitime

Analisti Nexhat Haziri, për “Bota sot”, thotë se kërkesa e deputetit të LDK-së është legjitime pas krizës politike që ka përfshirë Kosovën.

“Tani kur jemi në një situatë të tillë, të tentimit të përmbysjes së rendit demokratik e kushtetues duke mos respektuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese nga partia më e madhe parlamentare në raport me konstituimin e Kuvendit të Kosovës, që më pas do t’i hapte rrugë formimit të qeverisë së re, një kërkesë e tillë, siç e ka potencuar deputeti Alban Zogaj, për të kërkuar ndihmë nga partneri ynë strategjik siç janë SHBA-të, edhe mund të ketë sens. Por, në të njëjtën kohë, është diçka që tregon hapur realitetin e dhimbshëm në Kosovë, sidomos në drejtim të funksionimit të politikës, funksionimit dhe respektimit të demokracisë dhe tregon qartë paaftësinë tonë për të ndërtuar shtet e institucione funksionale”, shprehet Haziri.

ImageNexhat HaziriFoto galeri
Siç thotë ai, ndërhyrja e SHBA-së është e pashmangshme për ta zhbllokuar situatën.

“Dhe kjo ndërhyrje apo sido ta quajmë nga amerikanët tashmë është bërë e pashmangshme që përmes presionit liderët politikë të detyrohen për të bërë kompromis, e sidomos partinë e parë, LVV-në, që të detyrohet që të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit, por edhe të marrin përgjegjësi për të bërë marrëveshje politike që do ta nxirrte vendin nga kjo krizë politike, dhe jo vetëm. Pa një ndërhyrje të tillë dhe pa një presion të fortë nuk do të ketë zhbllokim e as fund të kësaj krize, e cila dita ditës vetëm se po i rrit kostot e larta e të rënda që do t’i faturohen vendit, thuajse në të dyja rrafshet, si atë të brendshëm po ashtu edhe në rrafshin ndërkombëtar, ku vazhdojmë të jemi nën sanksione nga BE, pa njohje të reja, pa anëtarësime në organizata të ndryshme ndërkombëtare”, përfundon analisti Nexhat Haziri për “Bota sot”.

Heshtja e SHBA-së

E analisti politik, Gani Qarri deklaron se partitë politike po vazhdojnë të luajnë me fatin e Kosovës.

“Derisa mjerisht edhe pas dështimit të 41-të, bllokimi i Kuvendit të Kosovës vazhdon, partitë politike, për turpin e tyre dhe fatin e keq të Kosovës, vazhdojnë lojërat e tyre meskine, në kurriz të qytetarëve dhe dëmtim të qëllimshëm të shtetit të Kosovës, duke mos arritur asnjë marrëveshje për konstituimin e Kuvendit dhe organeve tjera udhëheqëse të legjislaturës së 9 shkurtit 2025, as pas përgjigjes edhe ashtu të përgjithësuar dhe aspak orientuese të Gjykatës Kushtetuese”, shprehet Qarri.

ImageGani QarriFoto galeri
“Duke qenë se afati 30-ditor i caktuar nga Gjykata Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit po shkon drejt përfundimit, ku si skenar i mundshëm përmendet edhe mundësia e shpërndarjes së kësaj legjislature të dështuar dhe shkuarjes në zgjedhje të jashtëzakonshme, me rastin e 249-vjetorit të Pavarësisë së SHBA-ve, mikes më të madhe dhe të përhershme të vendit tonë, deputeti i LDK-së, Alban Zogaj propozoi kërkimin e ndihmës nga ky vend i madh mik për zgjidhjen e ngërçit politik në Kosovë, duke anashkaluar faktin se ndihma gjendet pikërisht brenda partisë që vet deputeti Zogaj i takon, por që mungon vullneti politik për zgjidhje, gjë të cilën në rast të paraqitjes së kërkesës për ndihmë, mund ta thonë dhe ripërsëritin edhe SHBA-të”, shprehet Qarri, i cili bën fajtore edhe LDK-në për bllokadën e krijuar në Kosovë.

“Kështu që derisa një parti që njihet si pjesë e bllokadës e cila nuk merr pjesë as në votim për konstituimin e Kuvendit, nuk e di si do ta përpilojë kërkesën drejtuar SHBA-ve për ndihmë, përveçse nëse kërkon që SHBA-të ta urdhërojnë LDK-në ta përmbushë obligimin ligjor dhe marrë pjesë në votim, për zgjidhjen e ngërçit, kur dihet se ‘SHBA-ja, përveçse është partneri kryesor i Kosovës dhe aleati më i madh që e kemi’, aleanca me SHBA-të nuk mund të forcohet duke mos pranuar ofertën për krijimin e Qeverisë me një koalicion të përbashkët me partinë fituese të zgjedhjeve, as duke mos marrë pjesë në votime për konstituimin e Kuvendit”, thekson Qarri.

Më tej, ai thotë se zhbllokimin e situatës duhet ta bëjnë vet deputetët e Kuvendit të Kosovës, e jo të kërkohet ndërhyrja e SHBA-së.

“Si Zogaj edhe të gjithë deputetët e tjerë e dinë shumë mirë, se bllokada e krijimit të Kuvendit dhe organeve tjera shtetërore nuk është praktikë e SHBA-ve, por e partive të inkriminuara kosovare, të cilat kanë bashkëpunuar në vazhdimësi dhe krijuar aleanca e madje edhe qeveri me të ashtuquajturën ‘listë serbe’, por për 41 herë, e ndoshta edhe për shumë herë tjera, bllokojnë konstituimin e Kuvendit dhe refuzojnë bashkëpunimin me partinë, aktualisht më të madhe shqiptare, për krijimin e institucioneve të legjislaturës së 9 shkurtit të këtij viti edhe mbi 4 muaj pas zgjedhjeve të rregullta demokratike parlamentare.”

“Një gjë është mëse e sigurt, se SHBA, në asnjë rast nuk do të kërkojnë përjashtimin e partisë fituese të zgjedhjeve dhe më të madhe politike në vend, që partitë opozitare të krijojnë përsëri qeveri me dorën e zgjatur të Serbisë në Kosovë, të ashtuquajturën ‘listë serbe’, madje deputeti Zogaj duket se nuk është i vetëdijshëm as për faktin se çdo ndërhyrje nga jashtë dëmton pavarësinë politike të shtetit të pavarur të Kosovës, akt i cili ka bërë që vet SHBA-të deklarohen se nuk kanë për qëllim ndërhyrjen e drejtpërdrejtë në zhvillimet e brendshme politike të vendit tonë dhe kanë inkurajuar liderët vendorë që ata vet ta marrin përgjegjësinë dhe obligimin kushtetues që ligjërisht u takon për zgjidhjen e ngërçit politik në Kosovë”, shton Qarri për “Bota sot”.

Për fund, Qarri thotë se SHBA nuk e sheh të nevojshme as akt të domosdoshëm ndërhyrjen nga ana e saj, pavarësisht se në të kaluarën kishte ndërhyrë disa herë për të zgjidhur krizat politike.

“Siç dihet, SHBA ka luajtur rol vendimtar në të gjitha zhvillimet përfshi tejkalimin e krizave politike edhe në të kaluarën, si në zgjedhjen e zonjës Atifete Jahjaga Presidente të Kosovës, por tanimë kanë kaluar mbi 17 vite nga shpallja e Kosovës shtet i pavarur e sovran dhe moskonstituimi i Kuvendit nuk është çështje e pamundur politike, por ngërç i krijuar qëllimshëm për inate partiake, ndaj dhe Amerika e di mirë, se është koha e fundit kur politika kosovare përfundimisht duhet të vetëdijësohet politikisht dhe mësohet që çështjet e veta të brendshme politike t’i zgjidhë vetë, andaj dhe SHBA nuk e sheh të nevojshme as akt të domosdoshëm ndërhyrjen nga ana e saj, madje të frustruara edhe nga partia e Zogajt dhe partitë tjera bllokuese të Kuvendit, me plot të drejtë, kanë deklaruar publikisht se SHBA nuk dëshiron më të ndikojë as të ndërhyjë në proceset politike të partive ngërç-krijuese në Kosovë”, përfundon Gani Qarri për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *