OPINIONTË FUNDIT

Kosova në NATO? “Prapaskenat” e deklaratës së fortë të ish-këshilltarit të Obamës, flasin ekspertët

Se si krizat globale mund të ndikojnë drejtpërdrejt edhe vende të vogla dhe gjeografikisht të largëta si Kosova, u dëshmua qartë pas pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit 2022.

Krahas kësaj, ky konflikt ekspozoi brishtësinë e Kosovës në fushën e sigurisë, derisa shteti ynë vazhdon të mbetet ende jashtë NATO-s.

Kësisoj, ka pasur thirrje të vazhdueshme për anëtarësim të Kosovës në NATO, ngjashëm si presidentja Vjosa Osmani e cila kërkoi përshpejtimin e anëtarësimit të Kosovës, duke paralajmëruar se mungesa e integrimit e lë vendin të pambrojtur ndaj ndikimeve ruse dhe tensioneve rajonale.

E së fundi, një sinal pozitiv në këtë aspekt, pra të anëtarësimit të Kosovës në NATO, e dha ish-këshilltari i Obamës, Charles Kupchan.

Ai në një intervistë televizive, parashikoi se integrimi i Kosovës dhe vendeve të tjera të Gadishullit të Ballkanit do të jetë shumë i shpejtë në NATO, madje potencoi se kjo është vetëm çështje kohe.

Sipas Kupchan vendet e Lindjes si Moldavia, Gjeorgjia, Ukraina do të mbeten një zonë gri mes Rusisë e NATO-s

“Gadishulli i Ballkanit një ditë do të jetë i integruar në NATO. Mendoj që është vetëm çështje kohe për Kosovën, Serbinë e Bosnjën që të jenë pjesë e aleancës. Jam skeptik se çfarë ndodh në lindje për vende si Moldavia, Gjeorgjia, Ukraina, do të përfundojnë të jetojnë nën një zonë gri, një zonë e mesme mes Rusisë e kufijve të NATO-s”.

E në lidhje me anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe çka do thotë ky paralajmërim i Kupchan, folën ekspertët e sigurisë.

Softa: Deklaratat e Charles Kupchan, janë një sinjal inkurajues për Kosovën

Së pari, eksperti i sigurisë, Fatjon Softa në një bashkëbisedim me “Bota sot” u shpreh se deklaratat e Kupchan janë një sinjal shumë pozitiv për Kosovën.

Ai tha se nuk është më diskutim a do të anëtarësohet Kosova në NATO, por kur do të anëtarësohet. Në këtë pikë, ai përmendi edhe disa nga pengesat e brendshme që ndikojnë në këtë proces.

ImageFatjon SoftaFoto galeri
“Deklaratat e Charles Kupchan, ish-këshilltar i Presidentit Obama për politikë të jashtme, janë një sinjal inkurajues dhe shumë pozitiv për Kosovën për anëtarësim në NATO – ai theksoi që nuk është më në diskutim nëse do të anëtarësohet app jo, por kur Kosova do të anëtarësohet në NATO.

Megjithatë, pengesat e brendshme institucionale (p.sh. njohja nga të gjitha vendet e NATO-s. Kujtojmë që janë ende katër shtete të saj si Greqia, Rumania, Spanja dhe Sllovakia që ende nuk njohin shtetin e Kosovës), procesi i integrimit të Ballkanit Perëndimor në EU dhe marrëveshja përfundimtare me Serbinë janë dhe përbëjnë dy elemente bazë që duhet të adresohen përpara datës së mundshme të marrjes së ftesës”, u shpreh ai.

Krahas kësaj, eksperti i sigurisë potencoi se disa çështje që sipas tij tregojnë hapur se Kosova shpejt do jetë pjesë e NATO-s.

Në këtë rast, ai përmendi marrëveshjet ushtarake të Kosovës me SHBA, marrëveshja me Shqipërinë dhe Kroacinë, pjesëmarrja në stërvitjet Defender 2025, etj.

“Marrëveshjet e Kosovës dhe SHBA për FSK, marrja pjesë e Kosovës në stërvitjet e përbashkëta me NATO-n dhe SHBA në rajon, marrëveshja për armatim, etj., janë tregues të qartë se Kosova do jetë shpejt anëtare e NATO-s. Pas samitit, do ndërtohet një strategji e re e NATO-s për forcimin e kapaciteteve të saj dhe zonave me rëndësi strategjike për shtetet pjesëmarrëse. NATO është standard dhe një organizatë ushtarako-politike me interesa që shfaqen hapur për Gadishullin Ballkanik, si interesa jetike për një Europë më të sigurt. Edhe marrëveshja Kosovë-Shqipëri-Kroaci nuk mund të firmosej pa një dakordësi të Shqipërisë dhe Kroacisë me NATO-n. Kështu që, analiza më bën të them që mund të jetë iniciuar nga vetë politikat e NATO-s për të shpejtuar politikisht proceset dhe një sinjal i saj ndaj katër vendeve që nuk e njohin Kosovën, por dhe ndaj Rusisë dhe Kinës”, përfundoi Fatjon Softa për “Bota sot”.

Elezi: Deklarata e Kupchan lidhet me informacionet apo sinjalet pozitive që vijnë nga SHBA e BE-ja, si dhe vetë NATO

Ndërsa, njohësi tjetër i çështjeve të sigurisë, Bedri Elezi theksoi se tash e një kohë po diskutohet fakti për anëtarësimin e Kosovës në NATO.

“Së fundi, kemi diskutuar mjaft shumë në lidhje me anëtarësimin e Kosovës në NATO, një veprim i cili është parë me optimizëm nga përfaqësues të SHBA-së, BE-së, Britanisë së Madhe dhe vendeve të tjera të NATO-s, të cilat e monitorojnë për një kohë të gjatë performacën e institucioneve të Republikës së Kosovës, përkatësisht FSK-së, e cila ka obligimet dhe detyrat kryesore që Kosova të bëhet anëtare e kësaj strukture të sigurisë”.

Kurse, për deklaratat e Kupchan, Elezi në prononcimin e tij për “Bota sot” u shpreh se ato bazohen në sinjale dhe informata të marra në SHBA.

Mirëpo, ai vlerëson se momenti kur Kosova u rikthye në ushtrimet “Defender”, ishte mesazhi kyç sa i përket anëtarësimit në NATO.

“Edhe deklarata e ish-këshilltarit të Barack Obamës, sigurisht që lidhet me informacionet apo sinjalet pozitive që vijnë nga SHBA e BE-ja, si dhe vetë NATO për anëtarësimin e shpejt të Kosovës në aleancën e NATO-s.

Në fakt, në momentin kur ishte marrë vendim që Kosova të merr pjesë në ushtrimin fushor “Defender 2025”, ishte dhënë mesazhi i duhur që shteti ynë po rikthehet edhe njëherë në zbatimin e angazhimeve të saj për anëtarësimin në NATO”, shpjegoi eksperti.

Po ashtu, duke u bazuar në burime të tij, ai tha se ka një pajtueshmëri brenda shteteve anëtare të NATO-s për anëtarësimin e Kosovës.

Sipas tij, kjo ndodh për tri arsye kyçe, ku njëra ndër to është edhe synimi për pamundësimin e ndikimit serbo-rus në Ballkan.

“Në bazë të informacioneve që ne kemi siguruar nga burimet tona brenda strukturave të NATO-s, ka një angazhim të përbashkët, ka një pajtueshmëri të shteteve anëtare të NATO-s dhe vetë SHBA-së si lider i saj, që Kosova të ketë procedura të përshpejtuara për sa i përket anëtarësimit në NATO.

Kjo krejt bëhet edhe bazuar në tri çështje.

E para, situata e sigurisë në botë, e cila ka fokus angazhimet e vendeve anëtare të NATO-s tek siguria dhe shqetësimet e sigurisë në vendet e tyre.

E dyta, se zgjerimi i NATO-s në Ballkan është imperativ i kohës për shkak të kërcënimit që ka bërë Rusia.

Si dhe, e treta, është nevoja që Kosova të jetë anëtare duke pamundësuar të themi kështu shtrirjen e rrezikut që Serbia e ka treguar në vazhdimësi, duke performuar keq sa i përket përpjekjeve të saj dhe koordinimit me Rusinë, për të pasur zhvillime të cilat lidhen me aktivitete jo sigurie”, përmbylli Bedri Elezi për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *