LDK-së nuk i mungojnë votat – i mungon fryma, kauza, ndërgjegjja, pastërtia, dinjiteti
LDK-ja nuk ishte vetëm një parti. Ishte një lëvizje, një ideal, një përpjekje e madhe e kombit shqiptar për të fituar lirinë, dinjitetin dhe pavarësinë në rrugë paqësore. Ishte shtëpia politike e qindra mijëra qytetarëve të Kosovës që e mbajtën të gjallë shpresën për shtet, ishte ma shumë se nji Lidhje e Prizrenit, në kohën më të errët të shtypjes dhe luftës.
Unë isha aty, në ditët e themelimit, si student atëherë – idealist përherë. Por sot, me dhimbje, e them: LDK-në nuk e kanë mundur kundërshtarët – e kanë rrënuar vetë bijtë e saj të pabesë, pazargjinjtë që e kthyen në agjenci punësimi për klane, për biznese, jo si strehë e meritokracisë dhe vlerave që nuk i kanë munguar. LDK-ja pas Rugovës – nga ideal përfundoi në interes.
Pas ikjes së Ibrahim Rugovës, LDK nuk e gjeti më kurrë veten. Fraksione, pazare, ndarje të brendshme dhe shantazhe e rrënuan themelet e partisë që dikur ishte themel i shtetësisë dhe elitave intelektuale. Sot ajo është vetëm hije e asaj që ishte – pa frymë, pa orientim, pa idealistë, por plot me aktorë që ndërruan petkun, jo qëndrimet. LDK nuk është më partia e studentëve, intelektualëve, profesorëve, aktivistëve të paepur që punonin falas për të mbajtur të gjallë besimin. Sot ajo është kthyer në një kartel interesash, ku delegatët emërohen, nuk zgjidhen, ku vota e lirë është zëvendësuar me lojëra të pista, dhe ku gara është farsë – sepse gjithçka ndodh prapa dyerve të mbyllura.
E kam për detyrë morale t’i përmend, jo për hakmarrje, por për të vënë gishtin në plagë. Këta janë përgjegjësit kryesorë që e devijuan LDK-në nga rruga e saj:
• Fatmir Sejdiu, që më shumë e trashëgoi emrin e Rugovës sesa vizionin e tij.
• Nexhat Daci, që u nda për ambicie, jo për parime.
• Isa Mustafa, që instaloi sistemin e kapjes së partisë,aklamacionin(kanceri i demokracisë).
• Agim Veliu, Lutfi Haziri, Haki Rugova, Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, të gjithë pjesë e riciklimit të të njëjtëve emra,shpesh kontraverz në qëndrime, pa ide e pa vizion.
• Lumir Abdixhiku, që nuk ndryshoi asgjë, veç stilit të fjalimit dhe rrethit të tij të preferuar.
• Vjosa Osmani, që e përdori LDK-në si trampolinë për karrierë personale duke i bë bashkë më ata që urrenin LDK-së.
• Rexhep Gjergji, Donika Gërvalla, Armend Zemaj, Arben Gashi, Gazmend Muhaxheri, Edita Tahiri, Blerim Kuçi, Hafiz Gagica, Melihate Tërmkolli, e dhjetëra të tjerë që kanë ndërruar flamuj politik apo grupime mbrenda llojit për qëllimet e tyre meskine, jo besë. Këta nuk janë trashëgimtarë të Rugovës – janë shfrytëzues të emrit të tij për interesa të ngushta personale. Partia është kthyer në një mozaik interesash personale:
• Fraksioni i “institucioneve” që lufton për poste e tenderë;
• Fraksioni i ricikluesve, që kalojnë nga grup në grup për të mbijetuar politikisht;
• Fraksioni i heshtjes, që për interesa hesht edhe përballë padrejtësive më të rënda;
• Dhe më keqi: Fraksioni i hipokrizisë, që në publik flasin për Rugovën, për vrasjet politike por në veprime e shkelin çdo parim të tij.
Ku janë idealistët? U përjashtuan, u margjinalizuan, u poshtëruan. U lanë anash: prof. Valon Murtezi, prof. Faton Bislimi, Fatmir Rexhepi, Skënder Zogaj, Adem Salihaj, Fadil Geci. Sepse idealizmi nuk jep poste. Sepse të ndershmit nuk dinë të bëjnë pazare. Dhe sepse heshtja jonë – e atyre që kurrë nuk përfituam asgjë, por dhuruam gjithçka – i la vend hijenave e meskinitetit politik.
Unë, Osman Ferizi, nuk kam përfituar kurrë asnjë post, nuk kam kërkuar tenderë, as emërime. Kam shpenzuar kohë, mund, para. Kam sakrifikuar familjen. Fëmijët e mi janë rritur thuajse pa baba – për një ideal që nuk e kam tradhtuar kurrë. Dhe sot, më dhemb më shumë heshtja, se sa humbja. LDK, zgjohu,reflekto, kthehu te baza! Nuk ka rilindje me pazargjinj e trafikantë votash. Nuk ka shpresë me emërime. Nuk ka Rugovizëm me klane. Ka vetëm një rrugë për të rikthyer besimin:
• Kuvend me votë të fshehtë dhe garë të hapur me kundërkandidat;
• Riorganizim nga rrënjët e bazës, jo nga zyrat e partisë; • Kthim të idealizmit dhe meritokracisë;
• Largim të shantazhuarve dhe matrapazëve; • Një shkëputje e thellë nga fraksionet që e kanë shkatërruar këtë parti, ose legalizimin e tyre me statut. Sepse nuk mund të quhet demokraci e as konsensus i brendshëm, kur nuk merren parasysh dhe nuk pyeten strukturat e partisë – nga nëndegët, degët, kryesia e deri te Këshilli i Përgjithshëm. Veprimet dhe sjelljet e lidershipit aktual e kanë çorientuar anëtarësinë besnike të LDK-së, duke e humbur orientimin nga qëndrimet e liderëve të paprinciptë e të paqëndrueshëm – një ditë me parimet e PDK-së, një tjetër me ato të VV-së.
Koalicione jo natyrore, që kanë prodhuar tjetërsim, zhgënjim, mosbesim dhe shpërndarje në elektorat – pa fajin e tyre, por për shkak të kalkulimeve të grupeve të interesit për pozicionime personale, e jo për interes të partisë apo shtetit. Nuk mund të jem kundër LDK-së – sepse do të isha kundër vetes, kundër bindjeve të mia. Jam për ta shpëtuar. Nuk jam kundër bashkëpunimit – jam kundër tradhtisë. Nuk jam kundër ndryshimit – jam kundër kapjes.
Në këtë gjendje të mjegullt, është rrezikshëm evidente edhe mungesa e një qëndrimi të qartë ndaj islamit politik. LDK nuk guxon dhe nuk duhet të bëjë kompromis me ideologji që bien ndesh me orientimin kombëtar, laicist dhe perëndimor të saj.
Kur disa figura të lidershipit gjejnë gjuhë të përbashkët me “Mulla Shefqetat” e “Mulla Tërnat”, LDK humbet identitetin e vet. Kombëtarja duhet të jetë primare dhe prioritare – ashtu siç ishte në themelet e saj. Çdo përkulje para fundamentalizmit është devijim i rëndë nga rruga e Rugovës. Unë jam aty ku isha më 27 dhjetor 1989: në anën e Rugovës, të lirisë, të popullit dhe të së vërtetës.