POLITIKATË FUNDIT

EKSKLUZIVE (I): Familja e ish-kryeprokurorit të Prizrenit, sot prokuror special, Admir Shala, ndërton rezidencë luksoze në tokë të Komunës – institucionet mbyllin sytë

Ashtu si kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, edhe qyteti i dytë më i madh në vend, Prizreni, përgjatë viteve të kaluara, në mungesë të funksionimit të ligjit, është shoqëruar me ndërtimet pa leje gjithandej. Për pasojë, lagje të tëra janë shndërruar në një katrahurë urbanistike, pamje këto që u ngjasojnë vendeve të lindjes.

E organi kyç i drejtësisë, me kompetenca ekzekutive për monitorimin, hetimin dhe parandalimin e ndërtimeve pa leje, pa dyshim që është Prokuroria e shtetit, e cila ka për detyrë hetimin dhe ndekjen, sidomos ndaj zyrtarëve përgjegjës, për mosveprim apo keqpërdorim të detyrës.

Admir Shala ishte dikur sekretar i rinisë së PDK-së në Prizren, parti e cila e ka udhëhequr këtë komunë shumicën e mandateve që nga paslufta. I përkrahur nga partia në pushtet e asaj kohe, Shala u ngjit shpejt majave të organeve të drejtësisë. Fillimisht u bë prokuror dhe pastaj u emërua kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prizren, në vitin 2017.

Për 8 vjet me radhë, Shala qëndroi në krye të organit të akuzës, organ ky që ka për detyrë hetimin dhe ndjekjen e shkelsëve të ligjit.

Në fakt, vetë ish-kryeprokurori Shala dhe familja e tij, në bazë të këtij huluimtimi ekskluziv, janë bërë pjesë e shkeljeve të ligjit, duke ndërtuar shtëpi pa leje në mes të Prizrenit. Ajo që është më skandaloze, ndërtimi është bërë në tokë të komunës.

https://kosovanews.net/wp-content/uploads/2025/06/e48b9028-77de-4ae7-b94b-7e4ca83bf373-1536×1152.webp

Kjo është shtëpia luksoze e familjes së prokurorit special, Admir Shala, e cila ndodhet në lagjen “Lakuriq”, në rrugën “Vëllezërit Frashëri”, numër 29, në Prizren.

Në fletën poseduese, të cilën e kemi siguruar në qershor të këtij viti nga Agjencia Kadastrale e Kosovës, ky objekt figuron si pjesë e ndërtesës dhe është në emër të babit të tij, Njazi Shala, me sipërfaqe vetëm 56 m2 dhe është përdhes, me 2 dhoma, një sipërfqe shumë më e vogël se gjendja aktuale në të cilën po e shihni tashmë si shtëpi dykatëshe.

Kjo shtëpi luksoze është ndërtuar krejtësisht jashtligjshëm nga familja Shala, në mes të viteve 2020-2022, pikërisht në kohën kur ishte kryeprokuror i Prizrenit Admir Shala.

Por, cila është historia e kësaj prone?

Në bazë të dokumentacionit zyrtar, parcela prej 2.6 hektarësh është pronë shoqërore dhe si pronare figuron Komuna e Prizrenit.

Gjatë kohës së ish-Jugosllavisë, shteti e kishte ndërtuar këtë lagje me dhjetëra shtëpi-banesa dhe ua kishte dhënë në posedim kryesisht njerëzve që i kanë shërbyer pushtetit të asaj kohe.

Njërën nga këto shtëpi-banesa e kishte marrë në posedim edhe familja e prokurorit special Admir Shala, për të cilën prokurori Shala kishte deklaruar se familja e tij e kishte blerë në vitin 1993…

Sipas statusit juridik dhe ligjeve në fuqi, pronarët e këtyre shtëpive e gëzojnë të drejtën e posedimit vetëm mbi objektin, por jo edhe mbi pronën, pasiqë toka prej 2.6 hektarësh nuk është e parcelizuar dhe si tërësi i takon Komunës.

Për pasojë, pronarët aktualë në këtë parcelë nuk kanë të drejtë të ndërtojnë ndonjë objekt të ri e as t’i rrënojnë shtëpitë aktuale dhe e vetmja e drejtë që u takon është se mund të marrin leje për renovim pa e cënuar sipërfaqen e jashtme të ndërtesës.

Mirëpo, këto ligje dhe këto kritere nuk po vlejnë për familjen e kryeprokurorit të Prizrenit.

Gjatë kohës së pandemisë, në fillim të vitit 2020, Njazi Shala, babai i ish-kryeprokurorit të Prizrenit, kishte marrë leje për renovim të shtëpisë, e cila në certifikatën e kadastrit ende figuron se i ka 56 m2 dhe numri i certifikatës është i indentifikuar me shenjën O, që do të thotë objekt, ndërsa në llojin e njesisë është emëruar si “Pjesë e Ndërtesës”.

Marrjen e lejes për renovim na ka konfirmuar vetë prokurori special, Shala, në një përgjigje për KosovaNews.

Mirëpo, pas kësaj leje fshihej një skenar që pa dyshim po i qëndronte mbrapa një figurë e fuqishme e drejtësisë në Prizren. Kjo shtëpi-banesë ishte rrënuar tërësisht për t’u ndërtuar një shtëpi luksoze me qindra m2 ,me vlerë po ashtu qindra mijëra euro.

Ajo që duhet të theksohet është se pikërisht Kryeprokurori i Prizrenit, Admir Shala, me të marrë detyrën në vitin 2017, i kishte dërguar një kërkesë urgjente kryetarit të Komunës, Drejtorisë së Inspekcionit, asaj të Urbanizmit dhe Policisë së Krimeve Ekonomike. Në këtë shkresë urgjente kryeprokurori Shala kishte kërkuar të ndërmerren hapa konkretë për ndalimin e të gjitha ndërtimeve të paligjshme që po bëheshin në qytetin e Prizrenit.

Madje, kryeprokurori i kishte kërcënuar zyrtarët komunalë se do të ndiqen penalisht nëse nuk marrin masa ndaj ndërtimeve pa leje që po ndodhnin në qytetin e Prizrenit.

Këtë kërkesë kryeprokurori Shala e kishte bërë pasiqë vetë ai e KISHTE VËREJTUR degradimin urbanistik që po i bëhej qytetit të Prizrenit.

Mirëpo, 3 vjet më pas, në vitin 2020, përderisa Shala ishte ende në pozitën e kryeprokurorit, çuditërisht ai “nuk e kishte vërejtur” se një ndërtim pa leje po bëhej nga familja e tij, duke ndërtuar një shtëpi luksoze e për më tepër duhet ritheksuar e përsëritu se ky ndërtim po bëhej në tokë të komunës.

Në atë kohë qeverisja komunale drejtohej nga Lëvizja Vetëvendosje me kryetar Mytaher Haskuka, megjithatë inspektorët komunalë nuk kishin guxuar t’i afroheshin shtëpisë së familjes së kryeprokurorit për t’ia ndërprerë punimet.

Sipas burimeve të KosovaNews, ky rast ishte denoncuar në Policinë dhe Prokurorinë e Prizrenit gjatë kohës sa ishte kryeprokuror Admir Shala, mirëpo askush nga organet ligjzbatuese nuk e kishte marrë guximin ta hetonte.

Në një shtet ku drejtësia duhet të jetë e verbër dhe prokuroria flamurtare e ligjit, vetë kryeprokurori i Shtetit ka shkelur çdo parim etik dhe ligjor, duke lejuar që në pronë shtetërore të ndërtohet një rezidencë luksoze për familjen e tij.

Si për ironi, kjo të kujton edhe slloganin e dikurshëm të PDK-së: “Familja, Prona, Shteti”, parti së cilës i kishte shërbyer dikur Admir Shala dhe pasi u bë prokuror, familja në pronë të shtetit ndërton shtëpi pa u penguar nga askush.

Ajo që në sipërfaqe ngjan si një “shtëpi familjare” është në fakt një simbol i kapjes së shtetit – një “La Famiglia”, një slogan ky që të kujton organizatat mafioze italiane, ku ligji zbatohet vetëm për qytetarët e zakonshëm, ndërsa për para “klanit” të pushtetarëve ligji dorëzohet.

Po pra, ligji zbatohet vetëm për qytetarët e zakonshëm.

Vetëm dhjetëra metra larg nga shtëpia e familjes së prokurorit, një qytetare e zakonshme vitin të kaluar kishte marrë leje nga organet komunale për ta rinovuar shtëpinë e saj, e cila ka status pronësor e juridik të njëjtë me shtëpinë e familjes së prokurorit.

Si duket, kjo qytetare e zakonshme kishte marrë shembullin e shtëpisë së familjes së prokurorit dhe kishte provuar fatin që ta ndërtonte një shtëpi të re në tokë të Komunës, me shpresen se nuk do të hetohej, ajo nuk e renovoi shtëpinë për të cilën kishte marrë leje, por e rrënoi për ta ndërtuar një shtëpi të re.

Mirëpo, fatin e saj nuk e përcolli fati i familjes së prokurorit, pasi filloi ndërtimin e shtëpisë, menjëherë ishin aktivizuar oragnet ligjzbatuese dhe inspekcioni komunal ia ka ndërprerë punimet në tetor të vitit 2024 dhe përfundimisht më 20 qershor të këtij viti ia ka lëshuar urdhërin për rrënim.

Në deklarimin e pasurisë që kishte bërë ndër vite, sa kishte qenë kryeprokuror i Prizrenit, z. Shala këtë shtëpi e kishte deklaruar si shtëpi-benesë në emër të babait të tij, me hapsirë 90 m2, edhe pse edhe këtu ka një shpërputhje të madhe, sepse në certifikatën poseduese figuron se i ka 56 m2.

Për të gjitha këto gjetje, KosovaNews u ka dërguar pyetje Prokurorisë Speciale dhe prokurorit special, Admir Shala, për të pyetur rreth shtëpisë së familjes së tij, kush e ka ndërtuar këtë shtëpi? A është e ndërtuar në tokë të Komunës, a janë marrë lejet përkatëse nga organet lokale etj.

Për të qenë sa më korrektë, ne kemi kërkuar një intervistë me prokurorin special për t’u përballur me dëshmitë, por Prokuroria Speciale nuk na e ka mundësuar intervistën.

Përmes zëdhënëses së këtj institucioni, Prokuroria Speciale ia ka përcjellë KosovaNews përgjigjet e prokurorit Shala.

Në përgjigjet e tij prokurori Shala gjetjet tona i quan të pavërteta dhe të interpretuara në

mënyrë të gabuar dhe të pasaktë.

Ndërkohë që vetë ai konfirmon se ka ekzistuar një leje për rinovim dhe nuk ka pasur asnjë tejkalim të kushteve ndërtimore apo shkelje të ligjit, e që në fakt ai me këto përgjigje demanton veten e tij.

“Më lejoni t’ju informojmë se as pretendimet rreth sipërfaqes së shtëpisësë së prindërve nuk qëndrojnë. Është lehtësisht e verifikueshme përmes dokumentacionit të institucionit kompetent, se ka ekzistuar leje për renovim dhe nuk ka pasur asnjë tejkalim të kushteve ndërtimore ose shkelje të ligjit. Hapësira e deklaruar fillimisht është shtuar pasi që prindi i z. Shala i ka blerë edhe dy shtëpitë që kanë qenë pranë aty, të ndara vetëm me mure”, thuhet në përgjigjen e z. Shala.

Në fakt, ne po i referohemi pikërisht dokumentacionit që na sugjeron prokurori special. Në fletën poseduese të këtij muaji, ky ndërtim figuron si pjesë e ndërtesës dhe i ka vetëm 56 m2, ndërsa parcela është pronë shtetërore që i takon Komunës së Prizrenit. Këto dëshmi dhe gjendja në terren flasin për një realitet krejt tjetër.

KosovaNews ka siguruar fotografi ekskluzive gjatë ndërtimit të shtëpisë së familjes Shala të dhjetorit të vitit 2020, e nga këto fotografi shihet qartë se kjo rezidencë luksoze është ndërtim tërësisht i ri, ku i janë shtuar më shumë se dyfish metrat katrorë dhe nuk bëhet fjalë aspak për renovim, siç ka pretenduar prokurori Shala.

Por, kush qëndron pas ndërtimit të paligjshëm e këtij investimi prej qinda mijëra euro?

Në vitin 2019, Shala në formualarin e deklarimit të pasurisë kishte thënë se shtëpia-banesë, e deklaruar në vitet paraprake si pasuri e përbashkët, është larguar nga formulari pasiqë më ajo nuk i përket atij dhe jeton jashtë bashkësisë familjare.

KosovaNews i ka kërkuar një dëshmi me shkrim prokurorit Shala të noterizuar apo vërtetuar nga organet kompetente për ta dëshmuar se ka hequr dorë nga tashegimia e kësaj shtëpie ashtu siç ka deklaruar në formular, mirëpo ai ka thënë se për këtë nuk ka nevojë pasiqë kjo shtëpi i takon babait të tij.

“Sa i përket deklarimit të pasurisë për periudhën që ju keni pyetur, bëhet fjalë për shtëpinë e prindërve të prokurorit, e cila shtëpi është në emër të babait, i cili ligjërisht është pronar, prandaj nuk ka nevojë për noterizim të ndonjë heqjeje dore nga e drejta pronësore, nga ana e prokurorit, pasi nuk ka pasur asnjë transferim të pronësisë apo hapje të procesit të trashëgimisë”, thuhet në përgjigjien e Prokurorisë Speciale.

E përderisa vetë prokurori thotë se për këtë shtëpi, e cila është në emër të babit të tij nuk ka pasur asnjë transferim të pronësisë apo hapje të procesit të trashëkemisë, kjo në bazë të ligjt të trashegemisë mund t’i takojë potencialisht edhe atij si trashigimtar i ligjshëm.

Ndërkohë, rezidencën luksoze të familjes së prokurorit special Admir Shala, që bie n’sy të të gjithëve, çuditërisht “nuk e pa” askush duke u ndërtuar në tokë të Komunës.

Nën hijen e heshtjes institucionale, ajo sot po ngrohet nga rrezet e diellit këtu në mes të lagjes “Lakuriq”, në qytetin e Prizrenit, ku krimi institucional shpërfaqet po ashtu lakuriq në hulumtimin e portalit KosovaNews, hulumtim i cili nuk perfundon me kaq… (Vazhdon)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *