Abrashi kërkon hetime për plaçkitjen e 4.4 milionë eurove nga Telekomi: Pse Prokuroria po hesht për Devollin?
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, ka ngritur sot dyshime të forta në drejtim të heshtjes së Prokurorisë së Shtetit për një rast të rëndë të plaçkitjes së parasë publike, që sipas tij është konfirmuar edhe nga Gjykata Komerciale.
Në një reagim publik, Abrashi ka kërkuar që Prokuroria të ndërmarrë veprime konkrete ndaj përmbaruesit privat dhe biznesmenit Blerim Devolli, lidhur me një pagesë prej 4.4 milionë euro, që Telekomi i Kosovës është detyruar ta paguajë ndaj Z-Mobile në rrethana që ai i cilëson si “kundërligjshme”.
“A do ta shohim Prokurorinë tek zbarkon për bastisje në zyrat e përmbaruesit privat dhe të Blerim Devollit për plaçkitjen e 4.4 milionë eurove të Telekomit?” – ka pyetur Abrashi në reagimin e tij, duke shtuar se kjo shumë është para publike, e plaçkitur në mënyrë të paligjshme.
Deputeti ka kritikuar ashpër institucionet e drejtësisë, duke i akuzuar për dy standarde në trajtimin e rasteve.
“Këtë prokurori e kemi parë të aktivizohet kundër Qeverisë Kurti bazuar qoftë edhe në ndonjë shpifje të lëshuar në studio televizive, kurse për Devollin dhe plaçkitje të konfirmuar nga Gjykata, heshtje totale,” ka theksuar ai.
Abrashi ka kërkuar reagim urgjent nga organet e drejtësisë dhe ka paralajmëruar se heshtja ndaj rasteve të tilla minon besimin e qytetarëve në drejtësi dhe favorizon korrupsionin.