Klevisi Imeri – një shkencëtar në bërthamën e Evropës, me zemër kuq e zi
Në një botë ku gjithçka kërkon shpejtësi dhe sipërfaqësi, Klevisi është një frymëzim ndryshe – një djalë i sinqertë, i përmbajtur në fjalë, me një thellësi mendimi që vjen nga edukata dhe respekti për të tjerët. Ai nuk ngutet të flasë, por kur flet, fjalët e tij kanë peshë sepse vijnë nga një zemër punëtore dhe mendje shumë e ditur. Klevisi është një mik i vërtetë, një familjar i palëkundur, që çdo moment e shfrytëzon me punë, duke mos lënë asnjë sekondë pa dhënë më të mirën e tij. Në bisedë me të për sam24.info, dëgjimi është një vlerë, pasi ai nuk e merr lehtë asnjë mësim, duke respektuar gjithmonë rrënjët që i kanë dhënë drejtimin në jetë: prindërit e tij, dy inxhinierë të shkolluar, që i kanë futur në zemër dashurinë për dije dhe disiplinë. Klevisi është jo vetëm një student i shkëlqyer, por një shembull i vërtetë i një gjenerate që punon, ëndërron dhe bashkon zemrat kuq e zi.
Klevisi, një i ri shqiptar me prejardhje nga Rainca e Preshevës dhe Fieri i Shqipërisë, është aktualisht student në Universitetin e Teknologjisë dhe Ekonomisë – BME në Budapest, në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Informatikës, drejtimi Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinierike. Falë përkushtimit të tij dhe rezultateve të shkëlqyera, ai ka fituar një bursë të plotë 100% nga shteti hungarez.
Ai më 19 qershor e ka dhënë provimin e fundit për mbylljen e semestrit të gjashtë; i mbetet edhe një semestër për ti përfunduar studimet, dhe pritet të diplomojë rreth shkurtit të vitit 2026. Me punë e shumë përkushtim! Të dish se për çka ke ardhur në Budapest?, kështu na tha në fillim Klevisi.
closevolume_off
Klevis Imeri, ka zgjedhur të jetë jo vetëm pjesë e këtij zhvillimi, por një kontribuues aktiv në zemër të tij. Budapesti, me historinë e tij akademike dhe kulturën e hapur ndaj talenteve ndërkombëtare, është vendi ku Klevisi po ndërton të ardhmen e tij si një ekspert i shkencave kompjuterike dhe inxhinierisë, në një nga universitetet më të fuqishme të Evropës – Universiteti i Teknologjisë dhe Ekonomisë (BME).
Nga Prishtina në Budapest: Rruga e Dritës së Dijetarit të Ri
Klevisi është një shembull frymëzues i një gjenerate të re shqiptare që nuk ndalet në kufij. I lindur në Prishtinë në vitin 2004, me rrënjë nga Shqipëria e Mesme dhe Lugina e Preshevës, ai bart me vete një histori familjare të lidhur fort me arsimimin dhe përkushtimin ndaj dijes. Prindërit e tij, të dy të diplomuar në Inxhinieri në Universitetin Politeknik të Tiranës, ndikuan që ai të ushqehej që herët me pasionin për shkencën dhe teknologjinë.
“Jam rritur në një ambient ku dijet ishin pjesë e jetës së përditshme. Falënderoj shumë prindërit e mi që më kanë ndihmuar, më ndihmojnë i kam në zemër. Dua të jem vërtet yll ashtu siç më shohin ata. Po punoj shumë, që të dal me suksese. Kjo më ka dhënë shtysën të kërkoj gjithnjë më shumë. Ndaj, BME në Budapest ishte zgjedhje e natyrshme për mua,” – thotë Klevisi.
BME – Tempulli i Dijes në Evropën Qendrore
Universiteti i Teknologjisë dhe Ekonomisë në Budapest është themeluar në vitin 1782 dhe njihet sot si një ndër institucionet më të vlerësuara në Evropë për fushat e teknologjisë, informatikës dhe ekonomisë. Klevisi është pjesë e Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Informatikës, në programin e Shkencave Kompjuterike dhe Inxhinierisë.
“Studimet i zhvilloj të gjitha në gjuhën angleze, në një ambient akademik ku sfidohem çdo ditë për të arritur më shumë. Mësimdhënësit janë të jashtëzakonshëm, me karriera shkencore brilante, shumë prej tyre me kontribute të rëndësishme në matematikë, fizikë, informatikë dhe teknologji moderne.”