POLITIKATË FUNDIT

Me Lumirin, LDK-ja vazhdon të mbetet servile ndaj PDK-së

Që nga vdekja e dr. Ibrahim Rugovës, Lidhja Demokratike e Kosovës ka humbur identitetin e saj politik. Nga një parti shtetformuese, LDK ka pësuar një metamorfozë të dhimbshme, duke u shndërruar në një satelit të Partisë Demokratike të Kosovës.

Hashim Thaçi ka qenë “baba” i shumë vendimeve të LDK-së, me ndihmën e disa figurave si Lutfi Haziri, Isa Mustafa dhe të tjerë, të cilët për interesa personale shkelën mbi vullnetin e votuesve. Kjo klikë brenda partisë e degradoi LDK-në në një pikë të tillë sa që ajo ra në vetëm 10% të mbështetjes elektorale – çka solli edhe dorëheqjen e Isa Mustafës.

Me ardhjen e Lumir Abdixhikut në krye të partisë, disa panë shpresë për një kthesë të re, ndonëse disa të tjerë – përfshirë edhe mua – nuk prisnim shumë nga dikush që ka dalë nga “shkolla politike” e Isa Mustafës.

Sot po bëhet gjithnjë e më e dukshme se Lumiri nuk po arrin të shkëputet nga lidhja e trashëguar me PDK-në. Edhe pse refuzon një marrëveshje zyrtare koalicioni, ai e lë të hapur mundësinë e bashkëpunimit me këtë parti opozitare. Në thelb, ai nuk po tregon vullnet për ta shkëputur përfundimisht LDK-në nga ndikimi i PDK-së.

Kjo është pikërisht ajo që kërkohet nga rugovistët e vërtetë – shkëputja nga një kurs që ka deformuar frymën dhe qëllimin e partisë që themeloi dr. Ibrahim Rugova. Vazhdimi i rrugës së Isa Mustafës vetëm sa e thellon krizën e identitetit të LDK-së dhe e pengon ringritjen e saj si forcë politike me peshë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *