“Kosova të ndërpresë menjëherë dialogun”, eksperti austriak këshillon Kosovën të dialogojë pasi të bie Vuҫiqi nga pushteti
Procesi i dialogut në Bruksel po bëhet gjithnjë e më i vështirë për shkak të krizës politike në Kosovë. Bashkimi Evropian e ka sanksionuar Kosovën disa herë në situata të ndryshme. Por të njëjta sanksione nuk ka bërë edhe me Serbinë për gabimet e saj.
Por, a mund të sanksionohet përsëri Kosova për dialogun apo edhe të përjashtohet nga ky proces?
Lidhur me këtë ҫështje ka folur për “Bota sot”, eksperti austriak, Gunther Fehlinger. Ai thotë se ҫdo krizë është një mundësi. Kosova mund të dalë më e fortë dhe më e sigurt nga ngërçi politik aktual nëse arrihet një konsensus i qartë.
ImageGunther Fehlinger, ekspert austriakFoto galeri
“Dialogu është një rrugë pa krye për Kosovën. Prandaj, Kosova duhet ta përfundojë zyrtarisht dialogun dhe të pranojë dëmin. Është më mirë të ndërpritet dialogu dhe të krijohet një krizë më e madhe sesa të vazhdohet me iluzionin e dialogut me Serbinë, të udhëhequr nga Vuçiqi. Dialogu sot është krejt në favor të Beogradit dhe i padrejtë ndaj Kosovës, duke e trajtuar Kosovën vetëm si një entitet gjysmë sovran. Është turp që fillon nga mënyra se si Serbia i referohet Prishtinës si “Beograd” në vend të “Kosovës”, dhe vazhdon me konceptin që i jep Serbisë të drejtën e vetos mbi të ardhmen e Kosovës. Kjo është krejtësisht e papranueshme”, vlerëson ai.
Sipas tij, Kosova duhet të heqë dorë nga dialogu tani.
“Disa në Bruksel mund të zemërohen, por ata janë zemëruar me Kosovën që nga viti 2020 dhe shumica nuk kanë qenë kurrë miq të vërtetë, prandaj përse të merret parasysh? Kosova nuk duhet të kthehet në asnjë format diskutimi me Beogradin, por të përqendrohet në reformat e brendshme, rritjen ekonomike, mbrojtjen dhe përgatitjen për BE dhe NATO. Të humbasë kohë duke folur me një Vuçiq të heshtur dhe të paaftë për të bërë përparim është humbje kohe”, thotë eksperti austriak.
Ai vazhdon tutje se, Vuçiqi është nën presion dhe është një figurë politike e brishtë. Ai nuk do të bëjë kurrë koncesione dhe nuk dëshiron paqe me Kosovën, sepse i nevojitet konflikti i ndezur për të nxitur nacionalizmin serb dhe për të qëndruar në pushtet.
“Kosova mund të nisë dialogun me pasardhësin e tij pas rrëzimit të Vuçiqit. Por tani, Kosova duhet ta përfundojë dialogun dhe t’i thotë zyrtarisht “lamtumirë” politikës së qetësimit dhe iluzionit të mirëkuptimit nga Serbia. Dialogu është i vdekur. Dhe kjo është një gjë e mire”, tha ai.