POLITIKATË FUNDIT

“Irani është arena kryesore e luftës, Gaza fronti i dytë”, ushtria izraelite zbulon planet

Ushtria izraelite tha se Irani është bërë fronti i saj kryesor i luftimeve, duke e lënë Gazën “në rend të dytë”.

Sipas një raporti nga gazeta izraelite Haaretz, zyrtarët ushtarakë thanë se afërsisht 150 objektiva brenda Iranit u goditën nga aeroplanët e forcave ajrore gjatë 24 orëve të fundit.

Ushtria izraelite tha se “krijoi një rrugë të sigurt për në kryeqytetin e Iranit, Teheran, dhe se tani mund të veprojnë lirisht në hapësirën e saj ajrore”.

Ky ndryshim prioriteti, sipas ushtrisë, “është me shpresën për të sjellë pengjet sa më shpejt të jetë e mundur”, duke iu referuar robërve të mbajtur në Gaza që nga sulmi i udhëhequr nga Hamasi më 7 tetor 2023.

Izraeli vlerëson se 54 pengje mbeten në Gaza, përfshirë 20 që besohet se janë gjallë, shkruan AA, përcjell Telegrafi.

Ndërkohë, më shumë se 10,100 palestinezë po mbahen në burgjet izraelite në kushte të vështira, me raportime për tortura, uri dhe neglizhencë mjekësore, sipas grupeve të të drejtave palestineze dhe izraelite.

Forcat izraelite u cituan gjithashtu të kenë thënë se po “përgatiten për mbrojtje kundër Hezbollahut”, megjithëse grupi aktualisht nuk është duke u mobilizuar për luftime.

Më parë, Shefi i Shtabit të Ushtrisë Izraelite, Eyal Zamir, dhe Komandanti i Forcave Ajrore, Tomer Bar, thanë se “rruga drejt Iranit është e shtruar”, duke njoftuar sulme të reja ajrore ndaj Teheranit.

Ndryshe, Izraeli nisi një sulm ajror në shkallë të gjerë kundër Iranit të premten herët, duke synuar vendet bërthamore dhe bazat e raketave, dhe duke vrarë komandantë të lartë ushtarakë dhe shkencëtarë bërthamorë.

Më vonë atë mbrëmje, Irani u kundërpërgjigj me një seri sulmesh me raketa dhe dronë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *