Largimi i flamurit të UÇK-së – “Pse befasoheni kur e dini se Edi Rama, që firmos urdhra të tillë, përqafohet me Aleksandar Vuçiqin…?”
Gjatë ndeshjes së zhvilluar në stadiumin “Air Albania” mes Kombëtares së Shqipërisë dhe asaj të Serbisë, një situatë e pazakontë ka ngritur debat të madh publik: Forcat e sigurisë shqiptare kanë ndërhyrë për të larguar një flamur me logon e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nga tribunat e stadiumit.
Ky veprim ka shkaktuar reagime të ashpra në Kosovë, ku përfaqësues politikë dhe qytetarë e kanë cilësuar si të papranueshëm dhe fyese ndaj luftës çlirimtare.
Deri më tani, autoritetet shqiptare nuk kanë ofruar ndonjë sqarim zyrtar për këtë ndërhyrje, ndërsa kritikat në rrjetet sociale dhe në opinionin publik po shtohen në lidhje me trajtimin e simboleve kombëtare në këtë ngjarje sportive.
Mekuli: Respekti ndaj Luftës Çlirimtare nuk është në flamur, por në vepër; ai, fillimisht është poshtëruar në Prishtinë, jo vetëm në Tiranë
ImageGëzim MekuliFoto galeri
Publicisti Gëzim Mekuli, në një përgjigje për “Bota sot”, e ka quajtur largimin e flamurit të UÇK-së nga stadiumi jo një akt të izoluar, por vazhdimësi e një rrënimi sistematik të respektit ndaj luftës çlirimtare. Sipas tij, përçmimi ndaj UÇK-së ka nisur që pas luftës, kur veteranët u lanë pas dore, të plagosurit e të përdhunuarit u neglizhuan, e më pas u kulmua me krijimin e Gjykatës Speciale, të sponsorizuar nga vetë ish-udhëheqësit e luftës.
“Flamuri është përbuzur më herët, në media, në heshtjen e intelektualëve, dhe në cinizmin ndaj simbolikës së çlirimit”, thekson Mekuli, duke e quajtur këtë një proces të gjatë dhe të hidhur të zbehjes së identitetit kombëtar.
“Por për të kuptuar këtë akt, nuk mjafton të ndalemi sall te fotografia; duhet të kuptojmë filmin. Dhe ky film është i gjatë, i hidhur, monoton dhe i mbushur me devijime, tradhti, lëshime ndaj identitetit kombëtar dhe heshtje të organizuar të intelektualëve të kapur nga frika e nga salltaneti.
A është kjo një mungesë respekti ndaj luftës çlirimtare?
Po, po, padyshim që është. Por ky akt nuk është fillimi i mungesës së respektit. Dhe assesi nuk duhet ngushtuar në një veprim të izoluar policor.
Respekti ndaj UÇK-së është rrënuar sistematikisht që nga fundi i luftës më 1999. Lufta çlirimtare filloi të zbehet kur veteranët e vërtetë u lanë pas dore dhe kur numri i veteranëve u fry nga manipuluesit. Ai u shemb kur të plagosurit mbetën pa përkujdesje shëndetësore institucionale, kur të mbijetuarit e të përdhunuarit u (keq)trajtuan si barrë dhe jo si nder. Dhe pastaj, u përçmua haptazi kur u krijua një Gjykatë Speciale një-etnike për të ndëshkuar vetëm luftën e UÇK-së; një gjykatë që u sponsorizua nga vetë ish-udhëheqësit e luftës dhe nga vetë pushteti i asaj kohe.
Flamuri u hoq! Po, por ai ishte poshtëruar dhe larguar shumë më herët
Nuk është flamuri i UÇK-së që u hoq në stadium ai që fyeu rëndë shqiptarët. Flamuri është përbuzur për vite në gojën e analistëve të rekrutuar nga nostalgjia jugosllave, në heshtjen e inteligjencës dhe institucioneve që heshtin para krimit e zhurmojnë para drejtësisë, në cinizmin e atyre që talleshin me simbolikën e çlirimit. Shiko mediat për këto 20 vitet e fundit dhe do të bindeni se si është (mos)respektuar lufta çlirimtare”, shprehet ai.
Tutje, Mekuli thotë se veprimi i policisë shqiptare nuk ishte spontan, por i diktuar politikisht nga elitat në Prishtinë dhe Tiranë.
Ai denoncon klimën politike dhe retorikën mediatike që, sipas tij, e përbuz dhe shtrembëron luftën çlirimtare.
Duke përmendur deklarata tronditëse nëpër studio televizive që e paraqesin UÇK-në si “provokatore të masakrave”, Mekuli kritikon përqafimin e liderëve si Edi Rama me Aleksandar Vuçiqin dhe margjinalizimin e përfaqësuesve që ruajnë dinjitetin kombëtar.
Sipas tij, “Open Balkan” nuk ishte projekt bashkëpunimi, por një skemë për të minuar subjektivitetin politik të Kosovës.
“Ja po ua kujtoj me trishtim që vetëm një ditë para këtij veprimi, në ekranet televizive të Prishtinës, nga goja e analistëve shqiptarë u shqiptua edhe kjo marri: «UÇK-ja e ka shti Serbinë me dalë jashtë kontrollit për me bo masakra me ndërhy NATO. Dihen more kto sene!.»
A mund të ketë përbuzje më t’ madhe ndaj sakrificës së atyre që dhanë jetën? Pra, çfarë vlere ka një flamur në stadium kur kopukët televiziv në Prishtinë e trajtojnë UÇK-në si provokuese për ndërhyrje humanitare dhe jo si forcë çlirimtare?
Mos kërkoni fajin te policia, shikoni te politika
Policia shqiptare, ua sigurojë unë, nuk veproi nga qejfi. Ata kryen një urdhër politik. Një urdhër që lind nga një atmosferë e krijuar nga elitat e shthurura politike të të dyja shteteve shqiptare; Prishtinës dhe Tiranës. Pse befasoheni kur e dini se i njëjti Edi Rama, që firmos urdhra të tilla, përqafohet me Aleksandar Vuçiqin në konferenca të tipit «Open Balkan», ndërkohë që përjashton dhe ofendon Kryeminsirin Kurti dhe margjinalizon çdo figurë politike që përfaqëson dinjitetin shqiptar?
«Open Balkan» nuk ishte projekt bashkëpunimi; ishte projekt për zhbërje të subjektivitetit politik të Kosovës. Ishte projekt që më shumë mbështeti “zgjidhje kreative” për Serbinë sesa integrim rajonal të barabartë. Dhe këtë nuk e bënte vetëm Vuçiqi, por bashkë me të edhe Rama, me përkrahjen heshtake të një pjese të kapur të elitës intelektuale të Prishtinës dhe Tiranës”, potencon ai.
Në fund, ai thekson se largimi i flamurit të UÇK-së nga stadiumi është vetëm simbolik i një rrënimi më të thellë politik dhe moral që ka ndodhur ndër vite.
Sipas tij, fajtor nuk është vetëm policia, por një elitë e korruptuar politike që e ka braktisur idealin çlirimtar, duke përmendur figura që, sipas tij, kanë tradhtuar interesat kombëtare.
Ai bën thirrje për një inteligjencë të re shqiptare, të pakapur nga oligarkët dhe interesat e ngushta. Flamuri i UÇK-së, thotë ai, nuk është vetëm simbol, por histori gjaku e sakrifice që nuk mund të largohet nga ndërgjegjja popullore, edhe pse është përjashtuar nga politika e zyrave dhe studiove televizive.
“Kemi nevojë për një inteligjencë të re
Shoqëritë nuk ndërtohen nga urdhrat, por nga vizioni. Shteti dhe identiteti nuk mund t’u besohen të korruptuarve dhe klientelistëve. Nuk mund të mbrojë flamurin ai politikani që i fali tokë Malit të Zi. Nuk mund të mbrojë flamurin ai politikani që liqenin e Ujmanit deshi ta quajë “Trump” e ta ndajë më Serbinë e moçme. Ai politikani që themeloj Gjykatën speciale sall për UÇK-në, nuk mund ta mbrojë as përsheshin nga macja e lërë flamurin. Ajo që nuk e ka në zemër flamurin kuq e zi, nuk mund të jetë gardian i flamurit të UÇK-së. Ncuk!
Prandaj, më shumë se kurrë kemi nevojë për edukimin e inteligjencës shqiptare; për një elitë që nuk është e kapur nga oligarkët e Tiranës, Beogradit dhe Prishtinës. Sepse mos prodhimi i kësaj inteligjence është ajo që na sollën në hapësirën shqiptare Thaçin, Mustafën, Hotin, Berishën, Ramën, Vuçiqin, mediat e tyre dhe, e pritshme, edhe aktin e heqjes së Flamurit në stadion.
Populli shqiptar në Prishtinë, Tiranë e Shkup nuk është me urdhërdhënësin; është me flamurin
Mos të harrojmë kurrë, asnjëherë e assesi: populli shqiptar nuk mendon si Edi Rama. Ai është i fyer, i lënduar dhe i braktisur nga këta kopukë politik.
Në zemrat e popullit, flamuri i UÇK-së nuk është send dekorativ, por është histori gjaku dhe sakrifice.
Flamuri mund të hiqet nga stadiumi, por nuk hiqet dot nga ndërgjegjja kolektive.
Konsekuent deri në fund: marrëzia e politikës shqiptare nuk fillon në një fushë futbolli. Ajo ka rrënjë të thella në vitet e pasluftës, në devijimin e idealeve dhe në fyerjen sistematike të kujtesës kombëtare. Flamuri u hoq nga stadiumi vetëm kur tashmë politika e Prishtinës e kishte larguar prej shumë zyrash, shumë mendjesh, organizimesh, shumë ndërgjegjes të blera me frikë, me para apo diplomë false.
Por siç na mëson historia: nuk ka flamur që fshihet përgjithmonë”, përfundon ai për “Bota sot”.
Maraj: Largimi i flamurit të UÇK ishte veprim i prekshëm
ImageMilazim MarajFoto galeri
Analisti Milazim Maraj, e quan veprimin e policisë shqiptare që hoqi flamurin e UÇK-së në ndeshjen Shqipëri-Serbi një akt të dhimbshëm dhe të papërshtatshëm, i cili ka nxitur reagime të shumta në të gjitha trojet shqiptare.
Ai ngre pyetje për arsyet e këtij veprimi dhe nënvizon se ky akt ka prodhuar efektin e kundërt, duke krijuar tensione dhe provokime që mund të dëmtojnë marrëdhëniet kombëtare.
“Largimi i flamurit të UÇK ishte veprim i prekshëm. Tani edhe më të ndjeshëm e bëjnë shkrimet dhe reagimet për këtë akt hiq të këndshëm dhe mjaftë të ndjeshëm. Për këtë akt u benë reagime të shumta në mjetet e informimit të Shqipërisë, Kosovës Maqedonisë dhe më gjerë. Kësaj ngjarje i përgjigjët fjala popullore shqiptare ( u prish dasma kur u nis). Flamuri me logo të UÇK- u largua nga policia shqiptare nga stadiumi i futbollit në Tiranë. Kështu para kamerave, gjatë lojës ishte pamje e rëndë. Shumë e ndjeshme për marrëdhëniet tona kombëtare.
Por ti marrim gjërat radhë, nga fillimi. Pse u nxor flamuri më logo të UÇK në stadium? A u bisedua më parë më dikën që ta nxjerrin apo jo flamurin më logo të UÇK në stadium gjatë ndeshjes së futbollit Shqipëri-Serbi? Çka përfaqësonte ky flamur në këtë ditë në këtë vend? A ishte vendi i këtij flamuri stadiumi i futbollit? A ishte kjo ditë dhe ky vend, ku duhej të nderohej UÇK?. Kujt ju deshtë ky autogol? Kujt ju deshtë provokimi i policisë shqiptare dhe sigurisë në Shqipëri. Kujt ju deshtë ngacmimi i institucioneve shqiptare më këtë simbol krenarie? Kjo ngjarje prodhoj efektin e kundër të dëshiruar”, thotë ai.
Më tej, potencon se Kosova dhe shqiptarët jashtë Shqipërisë ndihen mirë kur ushtarët shqiptarë mbajnë flamurin kombëtar në misione paqeje si pjesë e NATO-s.
Problemi kryesor ishte mungesa e koordinimit të institucioneve për përdorimin simbolik të flamurit të UÇK-së në stadium, çka solli pasoja negative.
“Kosova dhe shqiptaret në Kosovë dhe vendet tjera shqiptare jashtë Shqipërisë ndjehen mirë kur shohin ushtarët e Shqipërisë me logon shtetërore shqiptare (flamurin kuq e zi) në kuadër të NATOS që mbrojnë paqen dhe sigurinë në Kosovë. Këtu edhe ushtari edhe flamuri janë në vendin e vet dhe në funksionin e vet. Flamuri i Kosovës qëndron mirë në krahun e ushtarit nga Kosova në misione të caktuara në Shqipëri dhe kudo në botë. Ndërsa Flamuri me logo të UÇK në stadiumin e futbollit nuk kishte ndonjë prezantim, nuk e kishte as vendin as momentin. Nuk ishte një lojë në mes të ndonjë ekipi futbolli me emër “UÇK” dhe Serbisë. Shqipëria prezantohej me flamurin e vet dhe tonë kombëtar dhe Serbia më flamurin e vet si kundërshtar. Mjetet e informimit kishin edhe artikuj tjerë përçarës.” Ja ky tifoz shqiptarë e puth serbin dhe i thotë rroftë Serbia” a ishte ai shqiptarë?, nëse ishte si mund të ishte tifoz dhe të puthë kundërshtarin? Këto shkrime dhe foto që pranohen kaç shpejt dhe të pa vërtetuara nuk ndikojnë mirë në marrëdhëniet tona kombëtare. Pse duhet të biem në këto gracka? Këto gracka i bëjnë shërbimet e huaja në këto ditë të ndjeshme për t’i fut pykë në marrëdhëniet tona shqiptare. Por nuk duhet të i pranojmë. Nuk janë të dobishme për ne si komb i sulmuar pa ndërprerë nga Rusia, Serbia etj. Çka shpërfaqi ky akt? Mos koordinimin e institucioneve tona qoftë edhe për një gjë kaq simbolike. Veprimin hiq të matur nga ata që vendosën për këtë flamur që nuk është pronë private por simbol i një lufte të dhimbshme dhe një sakrifice kombëtare. Hapi i parë i gabuar ishte flamuri me logo të UÇK në fushë në fushë të futbollit shqiptarë. Pastaj të gjitha tjerat ishin pasojë e kësaj loje të këndshme. Mendoi që ky flamur dhe këto situata nuk duhet të përdorën për përçarje e fyerje por të matën ,mirë veprimet tona, që të sjellin mirëkuptim dhe unitet në mes të dy shteteve tona shqiptare. Flamuri është simbol dhe duhet të përcaktohen rregulla ku mund të përdorët dhe ku nuk mund të përdorët. Ku prezanton vlerat tona dhe ku komprometohet për shkak të përdorimit në vend të gabuar”, përmbylli ai për “Bota sot”.