OPINIONTË FUNDIT

Në kongresin e SHBA-ve u fol për Kosovën/ Shqiptaro-amerikani jep lajmin e mire: Iluzionet serbe për Presidentin Trump janë shuar

Në një kohë kur siguria në Evropë dhe Ballkanin Perëndimor po sfidohet nga ndikimet e huaja dhe tensionet e brendshme, Nënkomiteti për Evropën në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së, i kryesuar nga kongresmeni Keith Self, zhvilloi një seancë të rëndësishme dëgjimore mbi sfidat me të cilat përballet NATO.

Diskutimi kishte në qendër kërcënimet në rritje në rajonin e Ballkanit, me theks të veçantë tek stabiliteti dhe e ardhmja demokratike e Kosovës, si dhe ndikimet destabilizuese të Serbisë dhe entitetit të saj aleat, Republika Srpska.

Lidhur me këtë, Agim Aliçkaj, Drejtori Ekzekutiv i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane në një prononcim për “Bota sot” ka theksuar rëndësinë e veçantë që ka pasur seanca dëgjimore e organizuar nga Nënkomiteti për Evropën në Kongresin Amerikan për Kosovën dhe politikën amerikane në Ballkan.

Ai ka nënvizuar se SHBA tashmë nuk ka më dilema për qëndrimin ndaj Serbisë, dhe sfida qëndron tek ndalimi i veprimeve destabilizuese të saj

“Seanca dëgjimore e organizuar nga Nënkomiteti për Evropën i Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, kryesuar nga Kongresmeni Keith Self kishte rëndësi të posaçme për Kosovën dhe politikën amerikane në Ballkan dhe Evropë.

Deklarata e admiralit në pension Mark Montgomery se “Serbia dhe Republika Srpska janë dy aktorë të këqij që e vënë në rrezik stabilitetin e Ballkanit” nuk ka si të ishte më e qartë dhe e drejtpërdrejtë. Kjo i hudhë poshtë përpjekjet e Serbisë për ta paraqitur veten si faktor i paqes dhe sigurisë në rajon. Këtu Amerika nu ka më dilema. Pyetja është se si të ndalohet Serbia.

Seancat dëgjimore në Kongresin Amerikan mbi çështje të caktuara ndërkombëtare ndikojnë në formulimin dhe orientimin e politikës zyrtare të Departamentit të Shtetit”, ka thënë ai.

Tutje, Aliçkaj thekson se administrata e presidentit Trump është e fokusuar në çështje ndërkombëtare më komplekse, duke shtuar se deri tani, nuk është qartësuar qasja amerikane, nuk është emëruar ambasadori për rajonin dhe as emisari për dialog.

“Administrata e presidentit Trump është shumë e ngarkuar me çështje ndërkombëtare shumë më të komplikuara, më serioze dhe më të rrezikshme se sa konflikti midis Kosovës dhe Serbisë. Ajo ende nuk ka kohë të merret me Kosovën. Ende nuk është e qartë qasja dhe qëndrimet konkrete dhe nuk është caktuar ambasadori dhe as emëruar emisari për dialog me Serbinë.

Një shenjë shumë e mire për Kosovën është fakti se ish emisari pro-serb Richard Grenell nuk ka marrë asnjë pozitë serioze në këtë drejtim”, ka potencuar ai.

Gjithashtu, ai ka shtuar se iluzionet serbe për mbështetje nga Presidenti Trump janë shëndërruar në zhgënjim, pasi ky i fundit nuk ka interes të krijojë tensione në rajone ku ekzistojnë vetëm probleme të vogla.

“Republika e Kosovës, falë qeverisjes katërvjeçare të mençur dhe të qëndrueshme të Kryeministrit Kurti, është transformuar në një shtet demokratik ku mbretëron rendi, paqja dhe respekti për të drejtat e pakicave. Ky është një kontribut i madh i Kosovës për demokracinë dhe sigurinë evropiane në këto momente të vështira të përballjes me agresionin rus në Ukrainë.

Iluzionet serbe se Presidenti Trump do “t`i ndihmojë për ta kthyer ndikimin e tyre në Kosovë” janë shëndërruar në zhgënjim. Trump nuk është i interesuar të krijojë probleme të mëdha aty ku ka vetëm probleme të vogla. Çdo ditë ai po e kupton gjithnjë e më shumë se me shtetet hegjemoniste si Rusia dhe Serbia bën punë vetëm presioni i vërtetë dhe përdorimi i forcës.

Autoriteti i regjimit autokratik të Vuciqit me orientim të fortë pro-Rus dhe shkaktar i të gjitha problemeve në Ballkan është në rënie ndërsa ai i Albin Kurtit dhe i Kosovës si shtet stabil demokratik pro-Evropian dhe pro-Amerikan është në rritje”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, partneriteti me SHBA-në, duke përmendur stërvitjen ushtarake “Defender 25” dhe marrëveshjen dypalëshe në fushën e mbrojtjes si hapa të rëndësishëm që forcojnë kërkesën e Kosovës për anëtarësim në NATO, duke garantuar sigurinë e qëndrueshme të shtetit.

“Meqenëse Bashkimi Evropian, për shumë arsye, nuk është në gjendje të zgjidhë problemin midis Kosovës dhe Serbisë, orientimi i Kosovës drejt Amerikës mbetet e vetmja mundësi. Një partneritet serioz siç ishte “Defender 25” dhe nënshkrimi i një marrëveshjeje serioze ushtarake me Amerikën e ndihmon kërkesën e Kosovës për anëtarësim në NATO, me të cilën arrihet siguria e përhershme e shtetit”, ka përfunduar Aliçkaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *