POLITIKATË FUNDIT

“Ushtria serbe s’mund të kalojë”- ish-bashkëluftëtari i Sali Çekajt tregon se çka e pret Serbinë nëse ia “mësyn” Kosovës me ushtri!

Ish-bashkëluftëtari i heroit Sali Çekaj dhe njohësi i çështjeve të sigurisë, Saim Tahiraj, ka reaguar ndaj deklaratës së fundit të ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci se 70% të kapaciteteve ushtarake të Serbisë janë të vendosura përgjatë kufirit me Kosovën.

Sipas tij, kjo deklaratë është pjesë e një retorike të vazhdueshme për të shmangur vëmendjen nga problemet reale të vendit.

Në një prononcim për gazetën “Bota sot” Tahiraj thotë se këto paralajmërime të përsëritura për rrezikun nga Serbia nuk përkojnë me realitetin aktual gjeopolitik.

ImageSaim TahirajFoto galeri
“Kjo deklaratë e ministrit Maqedonci është një retorikë që në vazhdimësi po trumbetohet nga kjo qeveri, që nga Kryeministri e deri te ministrat. Është e kuptueshme që Serbia, në vazhdimësi, ka përdorur dhe do të vazhdojë të përdorë të gjitha format e luftës speciale, diplomacinë dhe provokimet ushtarake kundër shtetit të Kosovës. Por kjo retorikë e përhershme e kësaj qeverie ka një qëllim tjetër, sipas mendimit tim.

Grumbullimi i shumë problemeve nga një qeverisje e keqe, si në aspektin e brendshëm ashtu edhe në politikën e jashtme, dhe paaftësia për t’i arsyetuar ato para opinionit kosovar, përpiqet të tërheqë vëmendjen e popullit nga problemet reale dhe ta orientojë atë drejt një rreziku të supozuar nga një sulm i ushtrisë serbe”, ka thënë Tahiraj.

Sipas tij, realiteti është krejt ndryshe, derisa deklaratat për cenim të sigurisë dëmtojnë imazhin e Kosovës.

“Mendoj se realiteti është ndryshe nga kjo propagandë e dëmshme për Kosovën – si për investimet e huaja, për të cilat Kosova paraqitet si vend i pasigurt dhe me rrezik lufte, ashtu edhe për frikësimin e popullatës përmes këtij presioni të përhershëm”, nënvizon Tahiraj.

Ai thekson se realiteti qëndron në faktin se Serbia është plotësisht e vetëdijshme se NATO mbron kufijtë e Kosovës dhe se çdo sulm ushtarak ndaj Kosovës do të ishte një luftë me NATO-n.

“Një aventurë e tillë e rrezikshme për Serbinë do të ishte vetëshkatërrim i saj, prandaj është jashtë çdo logjike reale që Serbia ta ndërmarrë një veprim të tillë”, shprehet Tahiraj.

Ai fton Qeverinë dhe Ministrinë e Mbrojtjes që të punojnë shumë, të ndajnë buxhet shtesë për të forcuar FSK-në me armatim adekuat, në përputhje me nevojat e kohës, dhe ta aftësojnë atë profesionalisht.

“Për të arritur këtë, është i domosdoshëm një bashkëpunim i ngushtë me aleatët tanë evropianë dhe në veçanti me SHBA-të, sepse vetëm ky bashkëpunim është garantues i sigurt i këtij suksesi.

Nuk mund të mbulohen një grumbull i madh problemesh nga kjo qeverisje e keqe me propaganda të tilla. Ndërpriteni këtë qasje dhe filloni të merreni me zgjidhjen e tyre – ose largohuni dhe lëshoni vendin atyre që dinë ta drejtojnë shtetin”, përfundon Saim Tahiraj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *