“Kërcënim diplomatik i bukur…/ Avokati shqiptar me paralajmërimin e fuqishëm pas deklaratës së Rutte ndaj Serbisë
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka bërë thirrje për ndaljen e retorikës nxitëse nga zyrtarët serbë ndaj institucioneve të Kosovës, duke kërkuar që Serbia të tregojë lidership për uljen e tensioneve në Ballkanin Perëndimor.
Në adresimin e tij më 26 maj para Asamblesë Parlamentare, përkatësisht në përgjigjen e tij ndaj përfaqësuesit serb, ai ka theksuar se përdorimi i termave sikurse “regjimi në Prishtinë” nuk janë të dobishëm dhe nuk i kontribuojnë qetësimit të situatës.
“Nuk mendoj se është e dobishme të vazhdosh të përdorësh terma të tillë si ‘regjimi në Prishtinë’ sepse nuk funksionon. Serbia është vendi më i madh në rajon. Ne kemi nevojë për lidershipin e saj. Por ju lutem, mund të sugjeroj të përmbaheni nga kjo retorikë? E di që keni problemet tuaja me Prishtinën, por të jemi më neutral”, ka thënë Rutte.
E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur avokati shqiptar, Spartak Ngjela.
Ai e quan këtë deklaratë kërcënim diplomatik nga NATO duke ia bërë të qartë Serbisë që Kosova është nën mbrojtjen e saj.
“Ky është në thelb një kërcënim diplomatik shumë i bukur.
NATO i thotë Serbisë se “ato janë institucionet e NATO-s”, u shpreh Ngjela për “Bota sot”.
Ai gjithashtu përmend Shqipërinë duke përfshirë fuqinë që dy shtetet amë kanë sa i përket pjesës së sigurisë dhe mbrojtjes.
“Shqipëria është shumë e fortë, sepse ajo është në NATO.
Kosova është shumë e fortë, sepse ajo ka brenda saj mbrojtje amerikane”, foli Ngjela për “Bota sot”.
Shefi i NATO-s ka kujtuar gjithashtu takimin e fundit që ka zhvilluar me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, duke shtuar se pret që autorët e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit dhe autorët e “sulmeve të tjera” gjatë vitit 2023 të mbahen përgjegjës.