OPINIONTË FUNDIT

Profesori universitar i jep përgjigjen liderëve evropian: Kosova ka marrë mbi supe barrën e respektimit të marrëveshjeve, Asociacioni mbetet një rrezik real për funksionimin e shtetit

Në Samitin e Tiranës sërish u kërkua vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi. Nga liderët evropian që po marrin pjesë në atë samit u tha se duhet të përshpejtohet normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet këtyre dy vendeve.

Por realisht, normalizimi a është nevojë për stabilitet apo kompromis i njëanshëm?

Lidhur me këtë ҫështjem profesori universitar, Fejzulla Berisha thotë se për Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është kusht themelor për stabilitetin rajonal dhe integrimin evropian të të dyja vendeve. Në këtë kuadër, Kosova dhe Serbia konsiderohen pengesa reciproke për integrimin e njëra-tjetrës.

“Megjithatë, përvoja e shteteve si Mali i Zi dhe Kroacia tregon një tjetër qasje: ndërtimi i institucioneve të forta dhe orientimi i qartë drejt BE-së, pa mbetur peng i konflikteve të ngrira. Përballë kësaj, Kosova ka mbetur e përqendruar në një dialog të gjatë dhe shpesh të pabarabartë, me pak rezultate konkrete”, vlerëson ai.

Ai poashtu përmend se kush përfiton më shumë nga dialogu, Kosova apo Serbia.

ImageFejzulla BerishaFoto galeri
“Serbia ka ndërtuar një strategji të dyfishtë: përfiton nga bashkëpunimi me BE-në dhe Perëndimin, ndërsa ruan lidhje të ngushta me Rusinë e Kinën. Ajo nuk ka lëvizur drejt njohjes së Kosovës, ka ruajtur strukturat paralele në veri dhe vazhdimisht ka penguar pjesëmarrjen ndërkombëtare të Kosovës. Në të njëjtën kohë, ajo ka arritur të paraqitet si palë e moderuar në arenën ndërkombëtare, edhe kur ka nxitur tensione në veri të Kosovës. Kosova, nga ana tjetër, ka marrë mbi supe barrën e respektimit të marrëveshjeve, ka krijuar Gjykatën Speciale dhe është përfshirë aktivisht në procesin e dialogut. Por përfitimet konkrete mungojnë. Çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe mbetet një rrezik real për funksionalitetin e brendshëm të shtetit, dhe krahasimet me Bosnjën nuk janë të pabaza”, vlerëson profesori.

Ndërkaq lidhur me atë se a është kjo çështja më e rëndësishme për Kosovën sot, ai thotë se në aspektin ndërkombëtar: pa një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, Kosova vështirë se mund të anëtarësohet në BE, NATO dhe OKB. Njohja reciproke është çelësi për legjitimitet ndërkombëtar.

“Jo, në aspektin e brendshëm: sfidat reale që përballen qytetarët janë papunësia e lartë, migrimi masiv, korrupsioni dhe dështimet në arsim e shëndetësi. Këto probleme nuk zgjidhen me dialog, por me reforma të thella dhe investim të qëndrueshëm në institucione. Për shembull, Shqipëria – ndonëse pa konflikt të ngjashëm – ka ecur më tej në rrugën drejt BE-së falë fokusit në reformën në drejtësi dhe administratë publike”, thekson Berisha.

Ai poashtu tregon edhe se cila duhet të jetë rruga e duhur për Kosovën. Sipas tij, dialogu është i nevojshëm, por nuk duhet të jetë i pakushtëzuar. Pa zbatim nga Serbia, nuk duhet të ketë lëvizje të reja nga Kosova.

“Asociacioni nuk duhet të minojë unitetin dhe funksionalitetin e shtetit. Politika e jashtme nuk duhet të gllabërojë vëmendjen nga sfidat e brendshme. Ekonomia, drejtësia, arsimi dhe shëndetësia duhet të jenë përparësi kombëtare. Po ashtu, duhet ndalur instrumentalizimi i dialogut për përfitime politike të brendshme – një praktikë që e ka dëmtuar besimin qytetar dhe ka dobësuar përgjegjshmërinë e institucioneve. Normalizimi është një domosdoshmëri për Kosovën, por jo shpëtimi i saj i vetëm. Marrëveshjet ndërkombëtare mund të hapin dyer, por nuk ndërtojnë shtet. Shteti ndërtohet përmes institucioneve të forta, ekonomisë së qëndrueshme dhe sundimit të ligjit. Vetëm atëherë Kosova mund të jetë jo vetëm e njohur ndërkombëtarisht, por edhe funksionale për qytetarët e saj”, tha ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *