“Zgjedhjet e reja do ta ngritin Vetëvendosjen, AAK e Nisma do të mbesin jashtë Kuvendit”
Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e 58-të të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje që është mbajtur të shtunën, ka folur edhe për konsitutimin e Kuvendit, që ende nuk po arrijnë të përfundoj edhe pas disa seancave. Kurti ka thënë se institucionet janë funksionale, organet e drejtësisë po veprojnë dhe ligjet po respektohen.
“E vetmja pengesë është se Kuvendi i ri ende nuk është konstituuar, pasi Kushtetuta e Kosovës nuk parashikon se çfarë duhet bërë në rast se një kandidat për kryetar të Kuvendit nuk i siguron votat e nevojshme për t’u zgjedhur. Institucionet janë funksionale, organet e drejtësisë po veprojnë dhe ligjet po respektohen. E vetmja pengesë është se Kuvendi i ri ende nuk është konstituuar, pasi Kushtetuta e Kosovës nuk parashikon se çfarë duhet bërë në rast se një kandidat për kryetar të Kuvendit nuk i siguron votat e nevojshme për t’u zgjedhur”, ka thënë Kurti.
Kurti përmendi edhe mundësinë për të shkuar në zgjedhje, por që rezultati mund të thellohet në favor të partisë së tij.
Nëse vendi në fund duhet të shkojë në zgjedhje të reja, kujti i konvenojnë më tepër ato, pozitës apo opozitës? A kanë mbetur zgjedhjet si zgjidhja e fundit për të dalë nga ngërҫi politik?
Qarri: Zgjedhjet gjithsesi janë në favor të partive më të mëdha, ndërsa përveç çarjeve që priten të ndodhin brenda LDK, për shkak të favorizimit të ardhacakëve
Njohësi i ҫështjeve politike dhe publicisti Gani Qarri thotë se duke përcjellë me vëmendje zhvillimet e fundit, me deputet të tillë të nënshtruar tërësisht nga partitë opozitare, pa asnjë grimë pavarësie veprimi e shprehje të vullnetit personal, të paktën në shenjë respekti minimal ndaj besimit që atyre u kanë dhënë qytetarët me votë, përditë e më tepër, po bëhet edhe më e qartë, se nuk ka zgjidhje tjetër të ngërçit, përveçse të shkohet në zgjedhje të reja.
“Në fakt, qytetarët janë revoltuar shumë me sjelljet e partive opozitare, të cilat në të kaluarën kanë votuar edhe ndarjen e Mitrovicës, faljen e tokave të Kosovës, formimin e “zajednicës”, etj dhe kanë krijuar qeveri edhe me vota të kundërligjshme të deputetëve të dënuar me vendime të plotfuqishme gjyqësore, si Qeveria Hoti, duke rrëzuar Qeverinë Kurti-I, me manipulime politike. Parti që kanë lidh koalicione me dorën e zgjatur të Serbisë në Kosovë, të ashtuquajturën “listë serbe”, si dhe në qeverinë e PAN-it, kanë bërë zëvendëskryeministër të parë të Kosovës Goran Rakiqin, kurse tani, të njëjtat, pa asnjë grim patriotizmi, pa fije turpi as morali njerëzor, refuzojnë votimin e hapur dhe atë të fshehtë, për zgjedhjen e kryeparlamentarit dhe konstituimin e Kuvendit të Kosovës”, vlerëson Qarri.
ImageGani QarriFoto galeri
Analisti Qarri thotë se, ashtu siç u shpreh kryeministri Albin Kurti, zgjedhjet parlamentare, jo vetëm se mund të përsëriten, por edhe kurrë nuk kanë qenë më afër dhe më të nevojshme se tani, madje shkaku i frustrimit të qytetarëve, nga sjelljet mediokër të partive opozitare të cilat me qëllim pengimi të krijimit të Qeverisë Kurti III, sërish janë bërë bashkë me Listën Serbe edhe kundër konstituimit të Kuvendit të Kosovës, kështu që nëse përsëriten zgjedhjet, dihet qartë se populli do tu hakmerret rëndë, dhe rezultati mund të jetë, në përqindje edhe më të madhe në favor te Lëvizjes Vetëvendosje.
“Zgjedhjet gjithsesi janë në favor të partive më të mëdha, ndërsa përveç çarjeve që priten të ndodhin brenda LDK, për shkak të favorizimit të ardhacakëve dhe padrejtësive ndaj veprimtarëve shumëvjeçar të Llapit e të Dukagjinit, në zgjedhjet e reja rrezikojnë të bien nën pragun zgjedhor, partitë e vogla si AAK, i pari i të cilës, përveç Kullës e Çakorrit i ka falë edhe 8300 hektar tokë autoktone të Kosovës, Malit të Zi, ndaj Ramushi dhe AAK janë bërë tepër të mërzitshëm dhe shumë të padëshirueshëm në politikë dhe sytë e qytetarëve, prandaj sa më parë që AAK dhe Ramush Haradinaj largohen nga politika, aq më mirë do të jetë për qytetarët dhe shtetin e Kosovës”, thotë ai.
Ai vazhdon tutje duke thënë se edhe në zgjedhjet e 9 shkurtit, pa koalicion me Nisma-në e Limajt, AAK do të përshëndetej me politikbërjen institucionale e dërgohej në pensionim të merituar dhe si partia më ofenduese e pa kurrfarë kriteresh e qëndrime formale politike që është.
“Veprimtaria e të cilës bazohet vetëm në shpifje meskine e akuza të ulëta rrugësh, që as fëmijët e lagjeve të Gllogjanit më nuk i besojnë, jam mese i sigurt se pa koalicion me ndonjë parti më të madhe, AAK përfundimisht do të bie nën pragun zgjedhor, një akt i mirëseardhur ky, që duhet përshëndetur nga të gjithë, pas të cilit do të shpëtohej, jo vetëm opinioni publik, por edhe politika kosovare nga fyerjet meskine dhe shpifjet qesharake, të musketarit Haradinaj”, vlerëson Qarri për ‘Bota sot’.
Makolli: Partia e cila rrezikohet nga zgjedhjet, është Nisma, e cila me prishjen e raporteve me AAK, ka rrezik të mos pranohet në asnjë listë zgjedhore dhe të mbetet jashtë kuvendit
Për këtë ҫështje ka folur edhe njohësi i politikës dhe zyrtari i AKR-së, Veseli Makolli. Ai thotë se, Kryeministri Albin Kurti është I vetëdijshëm për situatën aktuale në të cilën ndodhet vendi, mirëpo veprimet e tij janë përgatitje për zgjedhjet e reja, për të mos humbur elektoratin.
ImageVeseli MakolliFoto galeri
“Kryeministri ynë i dorëhequr, është i vetëdishëm se na jemi një demokraci e brishtë dhe si shoqëri nuk e kemi kaluar ende “pragun e odave, popullizmin dhe patriotizmin folklorik”, anakronizma të cilat ai i ka shfrytëzuar maksimalisht për me ardh në pushtet dhe me të cilat i fitoi zgjedhjet e fundit. Këto ai vazhdon t’i përdor për të mbuluar mospunën e qeverisë së tij, e veçënarisht duke e përdorur patriotizmin folklorik, i cili dhez shumë në odat tona, po e etiketon opozitën si bashkëpunëtore me listën serbe, krejt këtë ai po e bën për me homogjenizuar dhe mos me e humbur elektoratin e tij, në zgjedhjet e jashtëzakonshme që po duken në horizont”, vlerëson Makolli.
Por, se a kanë mbetur zgjedhjet si zgjidhja e fundit për të dalë nga ngërҫi politik, Makolli thotë se kjo varet nga kryeministri Kurti.
“Sigurisht që ka zgjidhje tjetër, por krejt varet nga Z.Kurti. Ai me bllokimin e Kuvendit, ka treguar se nuk i ka numrat e nevojshëm për ta krijuar qeverinë, andaj me këto seanca komike të 48-orëve, po kërkon kohë për të arritur t’i gjeje votat minimale të duhura, për krijimin e qeverisë. Duke marrë parasysh se ai në këtë situatë të krijuar nuk do të bëjë komptomise dhe se nuk i konvenon as qeveri me numrin minimal të votave të nevojshme, shkaku i ardhjes në rend dite të zgjedhjes së Kryetarit/es së shtetit, me të cilën ka shumë mospajtime, ai si duket do t’i preferoj me shumë zgjedhjet se sa çdo zgjidhje tjetër që kishte me ardh me kompromiset që duhet t’i bëj”, tha ai.
Ai thotë se, Kosova nuk ka kohë për të humbur, duhet të kemi një zgjidhje sa më parë.
“Ne zgjedhjet e jashtëzakonshme eventuale, VV duhet të ketë rënie në përqindje të votave, kurse opozita do të ketë ngritje. Partia e cila rrezikohet nga zgjedhjet, është Nisma, e cila me prishjen e raporteve me AAK, ka rrezik të mos pranohet në asnjë listë zgjedhore dhe të mbetet jashtë kuvendit”, vlerëson ai.