Fejza e LVV-së ngre shqetësime për etikën akademike të Lushaku-Sadriut – publikon vendim i Senatit të UP-së
Arjeta Fejza, nga Lëvizja Vetëvendosje, ka reaguar ndaj nënkryetares së Partisë së Gjelbër, Jehona Lushaku-Sadriu, duke ngritur çështje që lidhen me angazhimet e saj akademike dhe politike përcjell KosovaNews
Ajo ka bërë publike edhe një dokument zyrtar të Universitetit të Prishtinës që flet për një vit sabatik të miratuar për Lushaku-Sadriun.
Në postimin e saj, Fejza ka renditur tri pika kritike:
Vit sabatik me pagesë:
Fejza thekson se Jehona Lushaku-Sadriu ka përfituar një vit të lirë me pagesë nga Universiteti i Prishtinës për kërkime të fokusuara në Universitetin Paris Lodron të Salzburgut, në Austri. Sipas saj, gjatë kësaj periudhe, ajo është emëruar drejtoreshë e Arsimit në Komunën e Prishtinës dhe ka kandiduar për deputete, gjë që sipas Fejzës, paraqet keqpërdorim të pozitës dhe të fondeve publike.
Angazhimi politik nga pozita akademike:
Ajo shton se Lushaku-Sadriu e ka përdorur pozitën universitare për të ndërtuar karrierën politike, gjë që, sipas saj, bie në kundërshtim me parimet e etikës akademike dhe me diskursin për pavarësi institucionale.
Pretendime për standarde të dyfishta:
Fejza vë në pah se ndonëse Lushaku-Sadriu flet për mbrojtjen e pavarësisë së Universitetit, vetë partia që ajo përfaqëson ka zhvilluar takime politike me studentë brenda UP-së, përfshirë edhe një mbledhje të Vetëvendosjes jashtë orarit mësimor në një hapësirë publike të universitetit.
Për ta mbështetur pretendimin për vitin sabatik, Fejza ka bashkëngjitur vendimin e datës 27.09.2023 të Senatit të Universitetit të Prishtinës.
Sipas këtij vendimi, Prof. ass. dr. Jehona Lushaku lejohet të përfitojë një vit të lirë me pagesë për kërkime të fokusuara nga data 1 tetor 2023 deri më 1 tetor 2024, me qëllim ngritjen profesionale në një universitet të huaj.
Dokumenti zyrtar nënshkruhet nga Prof. dr. Qerim Qerimi, kryesues i Senatit të UP-së, dhe përcjell arsyetimin se kërkimi shkencor jashtë vendit ndihmon në ngritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe zhvillimin akademik të stafit.
Më poshtë, gjeni dokumentin e publikuar nga Arjeta Fejza: