OPINIONTË FUNDIT

Rezoluta nga Parlamenti Evropian/ Fitore për Kosovën – Kërkohet formimi i kësaj qeverie

Parlamenti Evropian ka miratuar Rezolutën për Kosovën, ku kërkohet që dialogu me Serbinë të përmbyllet me një marrëveshje gjithëpërfshirëse, për një marrëveshje ligjërisht obliguese e bazuar në njohjen e ndërsjellë.

Po ashtu, në rezolutën e miratuar nga Parlamenti Evropian kërkohet heqja e masave ndëshkuese ndaj Kosovës.

“Ne kërkojmë heqjen e menjëhershme të masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian. Ato kanë qenë të padrejta dhe të panevojshme që nga fillimi. BE-ja financon shumë projekte dhe programe të dizajnuara për të mbështetur agjendën evropiane në Kosovë. Kjo është arsyeja pse duhet t’i shfuqizojmë masat dhe ta lëmë Kosovën të përparojë me fondet që ofrojmë”, tha autori i draftit, eurodeputeti Riho Terras.

E analistë dhe njohës të fushës së politikës dhe sigurisë, miratimin e kësaj rezolute e shohin si mesazh të fuqishëm për përmbylljen e dialogut mes dy vendeve.

Rezoluta në favor të Kosovës

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, për “Bota sot” shprehet se kjo rezolutë forcon pozicionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Miratimi i Rezolutës nga Parlamenti Evropian (PE) për Kosovën paraqet një sinjal të fuqishëm politik dhe simbolik në favor të Kosovës, në disa drejtime kyçe: – Forcimi i pozicionit ndërkombëtar të Kosovës – Rezoluta afirmon se dialogu me Serbinë duhet të përfundojë me një marrëveshje ligjërisht obliguese të bazuar në njohjen e ndërsjellë, që është një avancim i dukshëm krahasuar me formulimet më të paqarta të së kaluarës. Kjo e vendos PE-në në një pozicion më të afërt me kërkesat e palës kosovare, ndërkohë që dërgon sinjal ndaj Serbisë dhe vendeve të BE-së që ende nuk e njohin Kosovën”, deklaron Shala.

ImageDrizan ShalaFoto galeri
Ai thotë se miratimi i kësaj rezolute mund të çojë në heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës.

“Kërkesa për heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës, e bazuar në përmbushjen e kritereve, nënkupton një kritikë të heshtur ndaj Komisionit Evropian dhe Këshillit të BE-së për mbajtjen në fuqi të masave ndëshkuese të vendosura në vitin 2023. Kjo mund të ushtrojë presion institucional për një rivlerësim të tyre, sidomos nëse mbështetet nga shtete anëtare si Gjermania ose vendet nordike”, shpjegon Shala.

Më tej, Shala thotë se pavarësisht kësaj mbështetjeje politike, moskonstituimi i institucioneve në Kosovë është një faktor serioz pengues në procesin e dialogut dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.

“Procesi i dialogut – BE dhe SHBA kërkojnë që pala kosovare të ketë legjitimitet të plotë institucional dhe funksional për të angazhuar në marrëveshje të rëndësishme politike dhe ligjore. Heqja e masave – Institucionet e BE-së mund të përdorin këtë situatë për të argumentuar se Kosova nuk ka kapacitet për të përmbushur më tej obligimet politike, sidomos në zbatim të marrëveshjeve ekzistuese. Perceptimi ndërkombëtar – Pa institucione të reja, Kosova shihet si një shtet me krizë politike të brendshme, gjë që e dobëson edhe kredibilitetin e saj si palë negociuese”.

Ai thotë se edhe pse kjo rezolutë është një instrument presioni më shumë politik sesa juridik, ajo mund të përdoret nga shteti i Kosovës.

“Mund të përdoret nga diplomacia e Kosovës për të kërkuar heqjen e masave ndëshkuese dhe avancim të proceseve integruese (si anëtarësimi në KiE, aplikimi në BE ose në NATO). Forcon pozicionin në kuadër të lobimit për njohje të reja ndërkombëtare dhe për ruajtjen e sovranitetit në veri të vendit. Pra, rezoluta është një fitore e rëndësishme politike për Kosovën, por efektet e saj do të kufizohen nëse kriza e brendshme institucionale nuk adresohet shpejt. Në mungesë të institucioneve të reja dhe funksionale, Kosova rrezikon të humbasë momentumin diplomatik dhe të përballet me ngërç në dialog dhe integrim”, përfundon eksperti Shala.

Mesazhi i rezolutës së PE-së

Ndërsa njohësi i çështjeve për integrime evropiane, Mirsad Voca, deklaron se miratimi i rezolutës për Kosovën nga Parlamenti Evropian padyshim është një zhvillim i rëndësishëm për Kosovën.

ImageMirsad VocaFoto galeri
“Miratimi i Rezolutës nga Parlamenti Evropian përfaqëson një zhvillim të rëndësishëm për Kosovën dhe dërgon një mesazh të fuqishëm në drejtim të përmbylljes së dialogut me Serbinë përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese dhe të bazuar në njohjen e ndërsjellë. Kjo linjë është në përputhje me interesin afatgjatë të stabilitetit dhe integrimit euroatlantik të vendit”, thekson Voca.

“Një tjetër pikë kyçe e rezolutës është kërkesa për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës nga ana e Bashkimit Evropian, pasi vlerësohet se Kosova i ka përmbushur kriteret e vendosura. Ky është një sinjal që duhet të pasohet nga vendime konkrete në nivel ekzekutiv të BE-së. Megjithatë, ky momentum pozitiv në planin ndërkombëtar përkon me një krizë të brendshme institucionale në Kosovë”, shpjegon Voca.

Më tej, Voca thotë se mungesa e institucioneve të konstituuara dhe e një qeverie funksionale, e minon seriozisht aftësinë e vendit për të vepruar me koherencë dhe për të avancuar proceset e rëndësishme shtetërore dhe ndërkombëtare.

“Në këtë kuadër, oferta e kryeministrit Kurti ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës për të formuar një qeveri të re duhet të merret me seriozitet. Zgjidhjet e karakterit tranzitor, që përfshijnë të gjitha partitë shqiptare në një qeveri të përkohshme, nuk përfaqësojnë një funksionim të mirëfilltë demokratik. Një qeveri pa opozitë nuk garanton kontroll institucional dhe dëmton parimet themelore të ndarjes së pushteteve. Nëse roli i opozitës mbetet vetëm në duart e Listës Serbe, atëherë praktikisht funksioni i mbikëqyrjes politike i delegohet një subjekti që e mohon vetë ekzistencën e shtetit të Kosovës. Lista Serbe udhëhiqet politikisht nga Beogradi dhe disa nga figurat e saj janë të lidhura me veprime të dhunshme dhe destabilizuese. Kjo situatë është e papranueshme në një shtet që synon të konsolidojë demokracinë funksionale dhe sundimin e ligjit”, shprehet Voca.

“Për këtë arsye, bashkëpunimi i mundshëm ndërmjet VV-së dhe LDK-së shihet si rruga më e qëndrueshme për të garantuar një qeveri legjitime, funksionale dhe të balancuar në rrafshin institucional. Kosova nuk ka kohë për të humbur, dhe ky është një moment kritik që kërkon reflektim të thellë dhe veprim të matur politik”, përfundon njohësi i çështjeve për integrime evropiane, Mirsad Voca.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *