Britanezi Clewlow: Qeveria e formuar nga opozita do të jetë e paqëndrueshme; zgjedhjet mund të prodhojnë rezultat të njëjtë
Oficeri britanik, Ade Clewlow në një prononcim për ‘Bota sot’ ka dhënë një qëndrim të tij lidhur me situatën aktuale të ngërҫit politik.
Ai thotë se për të mos mbetur Kosova pas në gjeopolitikën globale, është e domosdoshme të ketë një qeveri funksionale.
“Më e rëndësishmja është të ketë njëfarë stabiliteti në vend, në mënyrë që gjeopolitika globale që ndryshon me shpejtësi të mos e lërë pas Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor. Të kesh një qeveri funksionale është, sigurisht, një parakusht që kjo të ndodhë.
E çfarë pastaj?
Një qeveri kalimtare, nga natyra e saj, është një marrëveshje e përkohshme. Edhe pse blloqet ndërtuese do të ngjanin me një koalicion më formal dhe afatgjatë, pyetja është, a do të qëndrojë kjo marrëveshje kur ka mosmarrëveshje midis partive politike”, vlerëson ai.
ImageAde ClewlowFoto galeri
Britanezi thotë se, një qeveri e udhëhequr nga opozita nuk mund të jetë e qëndrueshme.
“Një qeveri e udhëhequr nga opozita mund të ofrojë stabilitetin që kam përshkruar, por fakti që partia me më shumë vende nuk do të ishte atëherë në qeveri, potencialisht në sytë e elektoratit, mund të jetë e paqëndrueshme në planin afatgjatë”, thotë Clewlow.
Ai thotë poashtu se, koalicionet mund të funksionojnë, siç e kemi parë në shumë vende anembanë botës, dhe që ato të jenë mesatarisht të suksesshme, të gjitha kanë nevojë për një emërues të përbashkët; aftësinë për të bërë kompromis.
“Nëse partitë politike nuk mund ta përmbushin këtë kërkesë themelore, atëherë i vetmi veprim demokratik që mbetet është të kthehen te populli dhe ta lënë atë të vendosë. Rreziku i një rezultati të përsëritur është, për fat të keq, një nga nënproduktet e jetesës në një demokraci liberale”, thekson ai.