Refuzoi koalicionin me Kurtin, kritikohet qasja e Abdixhikut: Ka inate personale – po dëmtohet LDK-ja!
Institucionet e vendit po vazhdon të jenë të bllokuara pasi nuk po arrihet të bëhet konstituimi i Kuvendit dhe zgjedhja e qeverisë së re.
Mirëpo, së fundi kreu i LVV-së, Albin Kurti bëri një ofertë për kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku për një koalicion, mirëpo ky i fundit refuzoi një gjë të tillë.
Abdixhiku e hodhi poshtë ofertën e Kurtit, duke thënë se qëndrimet e partisë së tij nuk kanë ndryshuar.
“E kam vlerësuar të pamundur bashkëpunimin me Kurtin”, tha ai.
Në vend të kësaj, kryetari i LDK-së, njoftoi se i ka ftuar të gjitha partitë parlamentare shqiptare të takohen së bashku për ta formuar një qeveri tranzitore dhe “unifikuese”.
“Propozojmë nisjen e një procesi të ri politik. Në përputhshmëri me këtë, LDK-ja propozon nisjen e këtij procesi me të gjitha partitë për nisjen e një qeverie nacionale të tranzicionit”, tha Abdixhiku në një konferencë për media në Prishtinë.
Mirëpo, çfarë tregon ky refuzim i Abdixhikut dhe sa mund ta dëmtojë LDK-në elektoralisht, folën analistët politikë për “Bota sot”.
Qarri: Abdixhiku shpërndan pa kursim vetëm inate personale dhe refuzime banale
E në lidhje me këtë temë, për “Bota sot” foli analisti politik, Gani Qarri.
Ai në prononcimin e tij për “Bota sot” u shpreh kritik ndaj Abdixhikut dhe kryesisë së LDK-së, duke thënë se se ia kanë humbur dinjitetin e kësaj partie, që dikur udhëhiqej nga presidenti historic, Ibrahim Rugova.
“Në fakt me katapultimin e Abdixhikut pa rend as radhë, nga organizatat civile, në krye të LDK-së, pas përjashtimit të kuadrove shumëvjeçare nga Llapi e Dukagjini dhe manipulimit publik me votat e mërgimtarëve, siç ishte skema kriminale e keqpërdorimit masiv të votave të diasporës edhe brenda vet LDK-së, manekini i llastuar i luginës, po shihet qartazi se edhe çështjen e Kosovës, ka filluar ta mat me hijen e tij të mëngjesit, i cili bashkë me merakliun e rakisë së fortë, Lutfi Haziri, ia kanë humbur edhe atë grimë dinjitet-shtetformues, që deri me ardhjen e Abdixhikut e kishte ende, ish- LDK e dr. Ibrahim Rugovës!”.
Krahas kësaj, Qarri tha se LDK në këtë kohë krize në vend se të ishte parti mbështetëse dhe bashkëpunuese në të mirë të Kosovës, kryesia e saj po bën refuzume banale, vetëm për shkaqe personale.
“Duke pasur parasysh se zgjidhja e ngërçit nuk është me rëndësi vetëm për politikën, por edhe për ekonominë, ngase qindra miliona euro ndihma, grande dhe kredi të BE-së, janë duke pritur formimin e institucioneve shtetërore, si kusht edhe për afrimin e Kosovës me Bashkimin Evropian, i cili mbetet prioritet strategjik për Kosovën, por në kohën kur Kosova ndodhet në udhëkryq dhe në përballje të egër me ngërç e sfida të shumta politike dhe ekonomike, LDK si parti ish shtetformuese dhe dikur shumë dinamike, e cila ishte shembull se si mbillet vetëm mirëkuptim e stabilitet dhe prezantonte gjithmonë një qasje të matur, shefi i ri, i katapultuar padrejtësisht në krye të saj, nga jashtë partisë, në vend se të vazhdojë traditën rugoviste dhe dëshmohet si mbështetës i stabilitetit dhe bashkëpunimit për të mirën e shtetit të Kosovës, ai shpërndan pa kursim vetëm inate personale dhe refuzime të tij banale, të cilat besoj, se nuk janë edhe të partisë dhe ithtarëve të devotshëm të Dr. Ibrahim Rugovës!” – nënvizoi ai.
Gjithashtu, analisti vlerësoi se Abdixhiku e ka marrë postin e kreut të LDK-së, pa meritë, madje duke thënë se po e keqpërdor pozicionin e tij.
ImageGani QarriFoto galeri
“Fryma që ndjek ky njeri, nuk ka asnjë lidhje me patriotizmin shtetëror, shtendosjen e gjendjes politike, zgjidhjen e ngërçit, as shqetësimet e qytetarëve, madje as me qëndrimet e partisë, por me egon e tij personale, i cili në vend se të shpërfaq eksperiencë akademike, ai shfrenon kapriciot e veta provinciale, ngase edhe postin e të parit në LDK, e ka marrë pa asnjë meritë, pa qenë kurrë as anëtar i thjeshtë i saj, as pa dëshmuar veten, qoftë edhe me një vit punë e angazhim për këtë parti.
Prandaj sot e keqpërdor me kaq lehtësi edhe postin e dhuruar në krye të LDK-së, duke e mënjanuar veprimtarët më të devotshëm të LDK-së, fillimisht të ish-deputeti dhe veprimtarit më të shuar të LDK-së, Faton Bislimi, duke e lënë atë edhe jashtë listës për deputet, i cili ishte deputeti më të zëshëm dhe një nga aktivistët më të suksesshëm të kauzës shqiptare në SHBA”.
Tutje, fajësoi kryesinë e re të LDK-së, për lënie jashtë të veprimtarëve të devotshëm, ku sipas tij po kthehet në parti të “njerëzve nga provincat”.
“Abdixhiku rrugë të njëjtë me largimin e Agim Veliut e veprimtarve tjerë, përdori edhe për mënjanimin e veprimtarëve të kamotshëm të LDK-së nga Dukagjini, duke e dëmtuar rëndë edhe imazhin e LDK-së, para të gjithë qytetarëve dhe atyre që ia kanë besuar votën edhe këtë radhë kësaj partie, e cila me mënjanimin e veprimtarëve të devotshëm, po kthehet në parti të njerëzve nga provincat dhe të Lutfi Hazirit.
Sikur mos të mjaftonin të gjitha këto, sot në parlament kemi shumë deputet të nënshtruar dhe pa “uni”, ndaj partisë, si dhe deputetë tjerë, të cilët kanë miratuar edhe faljen e tokave të Kosovës vendeve fqinje, kanë votuar “zajednicën” kundërkushtetuese njëetnike serbe, si dhe Gjykatën Speciale, ku pas PDK-së, vendin e dytë, në votimin e këtyre akteve të dhembshme konspirative, e zënë deputetët e LDK-së, ndaj dhe nuk mund të pritet që po nga këta njerëz, të konstituhohet edhe Kuvendi e formohen institucionet e reja të Republikës së Kosovës”, shpjegoi ai.
Gjithashtu, përmendi edhe faktin se si deputetët nuk po lejohen të votojnë në mënyrë të fshehtë, pasi ose janë të shantazhuar ose nuk guxojnë nga partitë e tyre.
“Derisa dihet mirëfilli se LDK edhe në të kaluarën ka bashkëpunuar me LVV, por tani nuk dëshiron të bëhet pjesë e zgjidhjes së ngërçit, kjo dëshmohet edhe me faktin se deputetë o janë të shantazhuar nga partitë e veta deri në ato përmasa trishtuese, sa të mos guxojnë të jenë pjesëmarrës as në votime të fshehta, apo të votojnë pa lejen e partisë, ose partitë opozitare janë marrë vesh paraprakisht me Vuçiqin, që nëse arrijnë, qeverinë ta formojnë vetëm me dorën e zgjatur të Serbisë në Kosovë, të ashtuquajturën „listë serbe“, pasi që as në Komisionin Qendror, partitë opozitare nuk votuan përjashtimin e saj, nga pjesëmarrja në zgjedhje, ngase qysh atëherë duket se llogarisnin, që serish ta “gëzonin” Kosovën, me sihariqin nga e kaluara, se përsëri Qeverinë e formuan me “listën serbe” qasje kjo që pa dyshim, do ti dëmtojë elektoralisht LDK-në, por dhe partitë tjera opozitare!”.
Ndër të tjera, komentoi në përgjithësi edhe krizën e krijuar në Kuvend dhe bllokadën e cila po zgjatë tash e sa kohë, e që sipas tij, po vihet me këtë në rrezik edhe siguria dhe stabiliteti i shtetit.
“Duke qenë se përveç situatës së palakmuar në të cilën ka rrëshqitur fatkeqësisht vendi ynë, nga deputetët e kësaj legjislature ende nuk janë formuar as Grupet Parlamentare dhe përkundër dështimit për të 11 herë, deputetët e pamerituar po marrin rrogat dhe mëditjet edhe për dështimet, që për 11 herë me radhë, po dëshmojnë me jokonstruktivitetin e tyre, duke mos votuar konstituimin e Kuvendit dhe zgjidhjen e krizës, ani pse ata, nga momenti që kanë marrë besimin nga qytetarët, janë të obliguar ligjërisht për konstituimin e institucioneve të shtetit, me deputet të tillë Kosova nuk mund të vazhdojë më tutje dhe medoemos duhet të shkojë sa më parë në zgjedhje të reja, në mënyrë që sovrani me rivotim, ta korrigjojë votimin e mëparshëm, të krijojë situata më të qarta politike dhe zgjidh ngërçin e krijuar, nga votat e 9 shkurtit, në mënyrë që të marrë fund edhe loja-“deputetçe”, me të cilën, kush më pak e kush më shumë, duket se janë të kënaqura të gjitha partitë opozitare, gjendje që po ve në rrezik edhe stabilitetin dhe sigurinë e vendit, ndaj dhe nuk duhet lejuar të vazhdojë më tej, por të shpallen sa më parë zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme, të cilat besojë se do ta zgjidhnin edhe gjendjen aktuale”, përmbylli Gani Qarri për “Bota sot”.
Hertica: Partitë politike me vite të tëra nuk i janë nënshtruar reformimit të brendshëm
ImageMr.Ali HerticaFoto galeri
Kurse, analisti politik, Ali Hertica analizoi rolin e partive politike në zhvillim e demokracisë e shtetit, derisa kritikoi liderët politikë të Kosovës për gjuhën e përdorur dhe refuzimin për bashkëpunime të mundshme mes tyre.
“Partitë politike luajnë një rol qenësor në zhvillimin e demokracisë dhe janë një urë lidhëse në mes shtetit dhe shoqërisë. Fatkeqësisht ndryshimet e partive politike janë kryesisht kozmetike, edhe sa i takon programit edhe sa i përket mënyrës së organizimit edhe sa i takon qasjes, shohim ndryshme të madha për koalicionie sepse është rritur inati i cili liderët politik nuk kanë kontroll mbi fjalorin të cilin e kanë shprehur edhe gjatë fushatës”, nënvizoi ai.
Po ashtu, Hertica kritikoi partitë për mosreformim të duhur, ku tha se për këtë edhe nuk mund të priten ndryshime substanciale.
“Partitë politike me vite të tëra nuk i janë nënshtruar reformimit të brendshëm, ku në atë brendësi ka akterë poltikë që hedhin vrerë mbi subjektet të tjera poltike dhe individët, ku vetem rrisin egon e vet dhe urrejtjen për të tjerët, dhe ku si pasojë nuk mund të priten as ndryshime të tjera substanciale në të mirë të vendit për një qeverisje parlamentare të sigurt dhe cilësore”.
Në fund, analisti potencoi se duke pasur parasysh raportet mes partive politike, është problem edhe krijimi i koalicioneve, ku e nënivzoi ofertën e fundit të LVV për LDK.
“Kështu që pothuajse është e pamundur të presim një ndryshim substancial nga këto zgjedhje nga ajo në fushatata zgjedhore. Problemi është në aspektin e krijimit të koalicionit të ri qeveritar ku edhe njëherë Kurti fton LDK, por LDK hedh poshtë këtë ofertë nga Vetëvendosja për një qeverisje të përbashkët për të kaluar këtë ngërç politik”, përmbylli Ali Hertica për “Bota sot”.