A është zgjidhja e LDK-së një dalje nga ngërçi apo hyrje në një krizë të re?
Të martën që lamë pas, Lidhja Demokratike e Kosovës – përkatësisht kryetari i saj, Lumir Abdixhiku – erdhi me një propozim për të zhbllokuar situatën politike në të cilën ndodhet vendi ynë.
Ideja është që të krijohet një “Qeveri Nacionale e Tranzicionit”, në të cilën do të përfshiheshin të gjitha partitë politike në vend.
Ky propozim nga LDK-ja erdhi pas letrës së tretë që kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i dërgoi Abdixhikut, me qëllimin për të bashkëpunuar, pasi që nuk po arrin të krijojë institucionet e reja.
Në letrën e Kurti, thuhet:
“Si Kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Kryeministër në detyrë i Republikës së Kosovës, dua të shpreh gatishmërinë time për një marrëveshje politike me LDK-në, me qëllim të tejkalimit të kësaj situate dhe të krijimit të institucioneve të reja”.
Ndërkaq, Abdixhiku i është përgjigjur kështu:
“Qeveria Nacionale e Tranzicionit, e formuar nga të gjitha partitë shqiptare dhe, në përputhje me dispozitat kushtetuese, edhe nga përfaqësues të partive të komuniteteve joshumicë, do të ketë afat të caktuar (deri në procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri), qëllime të qarta politike dhe ekzekutive, program dhe agjendë ekzekutive të dakorduar, si dhe kryeministër dhe kabinet përfaqësues dhe unifikues.”
Por krijimi i një “Qeverie Nacionale të Tranzicionit”, a mund të jetë zgjidhje e ngërçit politik në të cilin gjendet aktualisht vendi?
Drenori: Nuk mundet të ndodh për dy arsyeje
Analisti Xhavit Drenori, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se një qeveri e tillë nuk mund të bëhet.
Po ashtu, ai ka shpjeguar dy arsyet se pse nuk mund të ketë qeveri të unitetit, siç ka propozuar kreu i LDK-së.
ImageAnalisti Xhavit DrenoriFoto galeri
“Për një qeveri tranzicioni ose të unitetit qysh janë quajtur përpara, në fakt unë mendoj, sikurse e kanë menduar edhe vetë klasa politike e LDK-së, respektivisht kryetari Abdixhiku që një gjë e tillë nuk mundet me ndodh për dy arsyeje.
Arsyeja e parë që Vetëvendosja nuk e ka të lehtë me lëshu pe nga fitorja prej 42.30% që e mori më 9 shkurt, me lëshu pushtetin në dorë të personave të tjerë, të cilët realisht mund të mos kenë marrë fare pjesë në garë. Gara ka qenë shumë e mundshme, dhe dihet mirë distanca ndërmjet fituesit, pra partisë së parë, dhe partisë së dytë e të tretë, e cila ka qenë jashtëzakonisht i thellë. Pra, ka qenë një rezultat jashtëzakonisht i pastër për të kuptuar kush është fituesi.
Zakonisht, këto qeveri teknike, të unitetit ose tranzitore, si do që t’i quajmë, kanë ndodhur kur rezultati ka qenë më i balancuar. Kur fituesi dhe partitë e tjera nuk kanë qenë larg njëra-tjetrës. Ky është problemi i parë se nuk mund të ndodhë”, ka shpjeguar ai.
Tutje, Drenori ka vazhduar se arsyeja e dytë janë zgjedhjet lokale në të cilat fillon edhe rivaliteti ndërmjet partive politike
“E dyta janë zgjedhjet lokale. Zgjedhjet lokale janë në vjeshtë të këtij viti, në fund të tetorit ose në fillim të nëntorit, varësisht kur presidentja veç vendos. Kjo është një problem më vete, që nuk lejon një qeverie në nivel nacional me të gjitha partitë, sepse fillon prapë rivaliteti politik për zgjedhjet lokale. E dimë që zakonisht në zgjedhjet lokale do të ketë një rivalitet më të theksuar, duke pasur parasysh edhe ndryshimet që po ndodhin kur po votohet për kryetarë komunash.
Pra, këto janë dy problemet që, për mendimin tim, nuk e lejojnë të bëhet një qeverie gjithëpërfshirëse të spektrit politik shqiptar, me minoritetet, siç e ka thënë edhe z. Abdixhiku”, ka vlerësuar ai.
Sipas tij, përgjigja e kryetarit të LDK-së është një strategji që të mos delë keq në sy të opinionit.
Probleme brenda LDK-së
Po ashtu, Drenori i ka shpërfaq edhe disa probleme të tjera të cilat mund të jenë të pranishme brenda LDK-së.
“Unë mendoj se përgjigjja e z. Abdixhiku karshi letrës së Kurtit është më tepër një lloj strategjie për të mos dalë keq në publik, sesa një përgjigje për një zgjidhje reale të problemit apo për ecjen tutje.
Unë besoj që ka qenë e menduar mirë nga ana e tij, sepse çfarëdo përgjigje tjetër që do të jepte, qoftë për një takim të mundshëm, apo qoftë një “jo” e menjëhershme atë ditë, do ta dëmtonte në publik, te një pjesë e elektoratit.
Kur them te një pjesë e dimë se që brenda LDK-së ka elektorat, madje ka edhe deputetë, që realisht mendojnë se mund ti thërrasin mendjes së shëndoshë për të diskutuar për mundësinë e një koalicioni.
LDK-ja është partia e tretë, dhe gjasat që në një parë zgjedhjet të shpejta të jashtëzakonshme nuk mund të ndryshoj shumë pozitivisht. Aq më pak, duke e ditur se brenda LDK-së janë disa probleme që tashmë i dimë.
E para, reforma nuk ka mundur të shkoj në vend, nuk ka mundur të përmbyllet, brenda për brenda lidershipit të LDK-së.
Janë edhe problemet me votat e diasporës që kanë lënë një hije të keqe, si në publik, ashtu edhe brenda vetë partisë, te disa deputetë që tashmë janë pjesë e Kuvendit të Kosovës.
Prandaj, LDK-ja është në një pozicion jo të mirë, jo të favorshëm. Por, në tërë këtë situatë, unë besoj se ata kanë bërë një zgjedhje kreative karshi letrës së Kurtit”, ka deklaruar Drenori për “Bota sot”.
Oferta e LDK-së/ Sadiku: Një mundësi zhbllokimi
Ndërkaq, njohësi i çështjeve politike, Arbnor Sadiku, ka treguar se pse kjo ofertë e LDK-së mund të jetë një mundësi për zhvillimin e situatës politike.
ImageArbnor SadikuFoto galeri
“Po në fakt, LDK ofrojë, një mundësi zhbllokimi të situatës, e cila mund të përkrahët edhe nga ndërkombëtaret, për faktin se mund të vije një kryeministër konsensual, i cili mund ta shtyjë përpara çështjen e asociacionit të komunave serbe, dhe mos të mbetet askush fajtor nga partitë e mëdha LVV, LDK, PDK”, ka potencuar ai.
Sipas tij, asociacioni është arsyeja se pse nuk po bëhet qeveria shpejt.
“Sepse kërkesa ndërkombëtare, ka qenë pas tre apo katër muaj të themelimit të Qeverisë së re të shtyhet përpara asociacioni, dhe mendoj se kjo mund të jetë njëra nga arsyet që nuk po nxiton askush nga skena politike kosovare të bëhet Qeveria e shpejtë”, ka përfunduar Sadiku.