Ish-bashkëluftëtari i Sali Çekajt reagon ashpër pas letrave të Kurtit dhe Abdixhikut
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në përgjigjen e tij ndaj thirrjes së liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për një koalicion qeverisës, i ka kërkuar këtij të fundit formimin e një qeverie tranzicioni.
“Qeveria Nacionale e Tranzicionit, e formuar nga të gjitha partitë shqiptare dhe, në përputhje me dispozitat kushtetuese, edhe nga përfaqësues të partive të komuniteteve joshumicë, do të ketë afat të caktuar (deri në procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri), qëllime të qarta politike dhe ekzekutive, program dhe agjendë ekzekutive të dakorduar, si dhe kryeministër dhe kabinet përfaqësues dhe unifikues”, thuhet ndër të tjera në letrën e Abdixhikut.
Por kritika si për Vetëvendosjen, ashtu edhe për LDK-në ka ish-bashkëluftëtari i heroit Sali Çekaj, njëherësh edhe veprimtar i çështjes kombëtare, Saim Tahiraj.
“Vërtet është humbje kohe të merresh me këtë temë, sepse e kanë kaluar çdo kufi të normales, deri në absurditet. Veprimet e VV-së në Kuvendin e Kosovës i kanë ulur vlerën institucionit më të lartë shtetëror deri në atë masë, sa që nuk kemi durim as në televizion t’i shikojmë. Skenat në teatrin e quajtur Kuvendi i Kosovës janë bërë të padurueshme deri në atë pikë, sa që më kanë gërditur edhe me votuar në të ardhmen”, deklaron Tahiraj, sipas të cilit edhe LDK është pjesë e këtij skenari.
“Propozimi i LDK-së është pjesë e këtij skenari që shton këtë padurueshmëri, kur dihet se është i papranueshëm për VV-në. Të gjitha këto veprime të pozitës dhe opozitës janë për bllokada, jo për zgjidhje që do të na nxirrnin nga kjo situatë”, nënvizon Tahiraj.
Për fund, Tahiraj parashikon që Kosova të shkojë edhe njëherë në zgjedhje të reja.
“Të gjitha veprimet e deritanishme janë rrugë që të çojnë në zgjedhje të jashtëzakonshme. A thua janë të vetëdijshme partitë politike se asnjëra nuk fiton dhe mund të përsëritet i njëjti skenar, madje edhe më i keq. Populli është lodhur me skena të tilla, andaj vështirë se do të dalë në zgjedhje. E vetmja zgjidhje që pjesa dërrmuese e popullit e sheh, është braktisja e vendit dhe ikja në vende të ndryshme të botës. Kur voton deputetë të tillë të tipit rrugaç, rezultati është ky; andaj ata që i votuan të tillët janë pjesë e kësaj drame të turpit”, përfundon Saim Tahiraj për “Bota sot”.