Dështimi i 12-të i konstituimit të Kuvendit: Pse po heshtin ndërkombëtarët? – flasin analistët
Për të dymbëdhjetën herë me radhë, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar ta konstituojnë përbërjen e re parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbajtura në muajin shkurt.
Seanca konstituive, e cila ishte thirrur me qëllim të zgjedhjes së Kryesisë së Kuvendit dhe vazhdimit të proceseve institucionale, është ndërprerë sërish pa ndonjë rezultat konkret, duke thelluar më tej krizën politike në vend.
Bllokada institucionale që po zgjat tashmë prej tre muajsh po ndikon drejtpërdrejt në funksionimin demokratik të shtetit dhe ka shtuar pakënaqësinë e qytetarëve.
Pa një Kuvend të funksionalizuar, nuk mund të zgjidhet as qeveria e re, ndërsa vendimet kyçe për vendin mbesin në pritje.
Partitë politike vazhdojnë të fajësojnë njëra-tjetrën për mungesën e marrëveshjes dhe për pengimin e konstituimit të Kuvendit.
Por, ajo që bie në sy është edhe mos reagimi i ndërkombëtarëve, të cilët nuk është se kanë pasur reagim të “ashpër” ndaj kësaj situate.
Nga e kaluara e dimë se faktori ndërkombëtarë ka ndikuar dhe me raste ka luajtur rol kyç në formimin e institucioneve shtetërore.
Lama: Klasa politike duhet të gjejë vetë zgjidhje
Ish-deputetja dhe diplomatja, Alma Lama ka theksuar se nuk ka asnjë arsye që ambasadat të ndërhyjnë në çështjet e brendshme politike, duke nënvizuar se zgjidhjet duhet të vijnë nga vetë klasa politike në vend.
“Nuk ka asnjë arsye të ndërhyjnë ambasadat për zgjidhjen e problemeve të brendshme politike. Kur kanë ndërhyrë, i kemi sharë. Klasa politike duhet të gjejë vetë zgjidhje.
Ndërsa populli i Kosovës duhet të bëjë presion që të mos abuzohet me votën e tij. Kjo është demokracia”, deklaron ajo.
Arifi: Bashkësia ndërkombëtare në vazhdimësi është akuzuar për imponim të koalicioneve dhe imponim të zgjidhjes së problemeve
ImageAvni ArifiFoto galeri
Njohësi i politikës, Avni Arifi, shprehet se ndërhyrjet e Bashkësisë Ndërkombëtare kanë ndodhur kur Kosova nuk ka mundur të zgjidhë problemet e veta, por pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, duket se ndërkombëtarët kanë marrë një qëndrim më të rezervuar, duke i lënë Kosovës përgjegjësinë për krijimin e institucioneve.
Ai shpreson që Kosova ta kalojë këtë provim dhe të krijojë institucione të reja, por ka dyshime për vështirësitë që mund të paraqiten gjatë këtij procesi.
“Bashkësia ndërkombëtare në vazhdimësi është akuzuar për imponim të koalicioneve dhe imponim të zgjidhjes së problemeve. Nganjëherë ka qenë e vërtetë e nganjëherë jo, por kurdo që kanë ndërhyrë, kanë ndërhyrë sepse ne vetë s’kemi mundur t’i zgjidhim problemet tona.
Pas zgjedhjeve të 9 Shkurtit, BNK-ja sikur ka marrë pozicion: Ne ju kemi njohur, është punë e juaja krijimi i institucioneve dhe bëjeni vetë. Do të doja që Kosova ta “jepte” këtë provim dhe të kishte institucione të reja, por siç duket, do të ketë telashe” – përfundon ai për “Bota sot”.