Nuk çon peshë aq shumë kryetari i Kuvendit”/ Opinionisti Gani Mehmeti: Deputetët ndjekin verbërisht liderët partiakë
Kanë kaluar tre muaj pas zgjedhjeve, dhe Kuvendi i Kosovës mbetet i paralizuar, ndërsa zgjedhja e Kryesisë së Kuvendit është kthyer në një çështje të ngarkuar me tension politik dhe mungesë serioziteti.
Përderisa qytetarët presin formimin e institucioneve të reja, partitë politike vazhdojnë përplasjet, duke penguar krijimin e qeverisë.
Opinionisti Gani Mehmeti ka komentuar gjendjen aktuale në skenën politike, duke thënë se serioziteti dhe besimi në Kuvendin e Kosovës janë zhdukur plotësisht.
“Nuk ekziston më as ai pak besim që kishte mbetur. Qytetarët nuk e kthejnë më kokën kah Kuvendi, e as nuk kanë interesim për lojërat e deputetëve, e lëre më për liderët partiakë”, deklaron Mehmeti.
Ai e ka kritikuar edhe opozitën për mungesë veprimi të duhur pas zgjedhjeve, duke theksuar se “duhej të kishin lidhur koalicionin me kohë”.
Sipas tij, roli i kryetarit të Kuvendit është minimizuar për shkak se, siç tha ai, “ai i takon automatikisht partisë më të madhe”.
“Po, serioziteti i ka humbur, madje edhe ai besim i paktë, më nuk ekziston.
Tani as që e kthen kokën kush nga Kuvendi e as që është interesimi i popullit për lojërat e deputetëve, e të mos flasim për liderët partiakë.
Rrugë do duhej të jepte opozita e deritanishme. Nuk çon peshë aq shumë kryetari i Kuvendit, kur edhe ashtu, i takon partisë më të madhe.
Me kohën është dashur të lidhnin koalicionin pas zgjedhjeve”.
Në fund, Mehmeti theksoi se përgjegjësia për situatën e rënduar politike bie mbi të gjithë.
“Sa i përket përgjegjësisë, njerëzit e përgjegjshëm e të ndërgjegjshëm, nuk do e sillnin punën deri këtu.
Përgjegjësia u takon të gjithëve, politikanëve dhe deputetëve që janë nën tutelën e kryetarëve të tyre partiakë edhe kur nuk e kanë mirë”, – përfundon ai për gazetën.