OPINIONTË FUNDIT

Zeqiraj kritikon skenën politike të Kosovës: Ja çfarë thotë për PDK-në dhe AAK-në

Kuvendi i Republikës së Kosovës ende nuk ka arritur të konstituojë legjislaturën e 9-të, çka ka shkaktuar një bllokadë politike në vend. Kjo pasiguri ka lënë të hapura shumë çështje të rëndësishme për ardhmërinë e institucioneve shtetërore dhe për situatën politike në përgjithësi.

Megjithatë, në fushën e politikës ndërkombëtare, Kosova ka shënuar përparime të dukshme, përfshirë njohjen e saj nga Sudani dhe heqjen e vizave nga Malajzia dhe Brunei.

Puna e Presidentes Osmani është mirëpritur edhe nga opozita, përfshirë Partinë Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për Adhërimin e Kosovës.

Lidhur më këto reagime ka folur publicisti Idriz Zeqiraj.

Fillimisht, Zeqiraj, në një prononcim për ‘Bota Sot’, ka komentuar shpifjet që, sipas tij, janë bërë ndaj Presidentes Vjosa Osmani dhe Kryeministrit Albin Kurti.

“Presidentja Osmani është akuzuar nga opozita si “notere” e Albinit, pse ajo kishte pajtueshmëri të plotë me kryeministrin Kurti, për masat që zbatonte Qeveria në shtrirjen e sovranitetit në veriun e vendit! Nëse kryeministri Edvin Rama thoshte se “Mitrovica nuk është tokë e askujt”; Hashim Thaçi thoshte “Ndarja e Mitrovicës është realitet”, pra, ia kishte dorëzuar atë Serbisë! Ndërsa kryeministri Albin Kurti ngulmon se “Unë nuk kam tokë për t`i dhënë askujt”.

Është, pikërisht kjo e thënë dhe e bërë e kryeministrit të Kosovës, që i mundi të gjithë në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, duke e përsëritur fitoren edhe më 9 shkurt 2025. E gjithë lukunia shpifarake mediatike, kundër LVV, në koalicion me Alterativa dhe Guxo, nuk i bindi shqiptarët në Kosovë dhe botë, se “Albini është njeri i Serbisë dhe i Rusisë!” Përveç shpifjes, nuk kanë sjellur asnjë fakt! Përkundër ndejave, darkave dhe makro-kontrabandës, që kanë bërë -komandantët shtetarë e pushtetarë-, me bandat e tyre. Këtë të vërtetë, e ka zbuluar dhe denoncuar, tashmë, të faktuar DASH-i amerikan, duke ndëshkuar eksponentët kryesorë të Listës Serbe dhe kumandarët e Kosovës”, ka thënë ai.

Po ashtu, Zeqiraj ka komentuar edhe urimet që Presidentja Osmani mori nga opozita pas njohjes së Kosovës nga Sudani.

Sipas tij, deklaratat e Enver Hoxhajt dhe Ramush Haradinajt të AAK-së tregojnë një ndryshim qëndrimi nga ana e tyre .

“Njohja e pavarësisë të Republikës të Kosovës nga Sudani, është mirëpritur nga shqiptarët vendorë dhe ata të përbotshëm. Me këtë rast Presidenten Vjosë Osmani e kanë uruar personalitete vendore dhe botërore. Edhe Enver Hoxhaj i PDK-së dhe Ramush Haradinaj i AAK-së, e kanë falënderuar për njohjen në fjalë. Si duket kanë ndërruar mendje, pas anatemave të pafundme të tyre, në drejtim të Presidentes, tani pason një lavdatë. Thonë `më mirë vonë se kurrë`!”, ka theksuar ai.

Sipas Zeqirajt, binomi Albin Kurti–Vjosa Osmani ka qenë një faktor shqetësues për opozitën, pasi solli ndryshim rrënjësor duke larguar nga pushteti figurat e vjetra dhe të komprometuara.

Ai ka theksuar se Vjosa Osmani dhe Donika Gërvalla kanë kontribuar ndjeshëm në transformimin politik të vendit, duke sfiduar modelin autoritar të projektuar nga Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa .

“Binomi Albini-Vjosa ka qenë shqetësim i opozitës. Sepse ashtu siç i shporrën nga pushteti, mund t`i lënë në një pauzim të gjatë komandantët mujsharë e zuzar, rrënues të shtetit të Kosovës. Disa mospajtime brenda koalicionit apo individesh, vitin e shkuar, e gëzuan shumë opozitën. “Mori fund pushteti i Kurtit me aleatë”,- thanë opozitarët!”

Vjosë Osmani dhe Donikë Gërvalla i bënë shërbim të madh LDK-së dhe Kosovës. Ato sollën ndryshimin së bashku me LVV. Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, kishin projektuar sundimin e Kosovës, sipas modelit rus, ndërrim postesh si Putin-Medvedev në Rusi! Hashmi dhe Isa i kishin dhjerë strukturat e partive të tyre, duke u kalaveshur me kompetenca tej mbretërore në Kosovën tonë hallemadhe”, ka thënë ai.

Gjithashtu, Zeqiraj ka konstatuar se klasa politike në Kosovë ende nuk është pjekur sa të vë interesin e vendit mbi atë partiak dhe personal.

“Të paktën, kjo klasë politike në Kosovë, nuk besoj të jetë pjekur, për ta dashur më shumë interesin e Kosovës, se sa atë të partive të tyre, rrjedhimisht, pushtetin personal. Përndryshe, sot për sot, nuk ka një Vjosë të dytë Kosovë. Vjosë Osmani ka dëshmuar përformancë të shkëlqyer, duke e përmbushur rolin e saj, në postin e Shefes të Shtetit të Kosovës.

Falënderimi i dy PAN-istëve, Hoxhaj dhe Haradinaj, mund ta këtë edhe hilen brenda, joshjen për thellim të shkëputjes edhe më tej nga Kurti dhe Donika. Unë besoj në zgjuarsinë e Vjosës dhe nuk besoj afrinë me subjekte të tilla mëkatare për shumëçka, madje pa shpresë rehabilitimi dhe reformimi”, ka deklaruar ai.

Ndër të tjera, Zeiqraj ka potencuar se Osmani ka lënë të hapur mundësinë për një mandat të dytë presidencial, por për shkak të sistemit parlamentar të Kosovës, ajo nuk mund të rikandidojë si e pavarur.

“Vjosë Osmani ka lënë të hapur çështjen e kandidaturës, për një mandat tjetër dhe mirë ka bërë. Megjithëse ka shtuar se “nuk jam e varur nga poste shtetërore apo pushtetare”. Kosova nuk është Francë për ta zgjedhur një Macron të pavarur, siç bëri në mandatin e parë presidencial, respektivisht, një Vjosë presidente, me parti të humbura. Tjetër do të ishte një zgjedhje e drejtpërdrejtë nga populli.

Bashkëpunimi Vojsë-Albin ka rezultuar i suksesshëm, për të dy palët, në postet kupolë të Shtetit dhe të Pushtetit, përkatësisht, Presidente dhe Kryeministër. Të bashkuar do të realizonin vazhdimësinë drejtuese, në postet aktuale. Por, mbi të gjitha, do t`i shërbenin Kosovës, në proceset që presin zgjidhje. Andaj, është, pothuaj se, domosdoshmëri vazhdimi i aleancës, të nismuar katër vite më parë, përfshirë këtu edhe LDK-në. Ende është herët, për të prognozuar përmasën gjasave, kur nuk ka bërë lëvizje për aleanca të mundshme”, ka shpjeguar ai.

Zeqiraj kritikon ashpër skenën politike të Kosovës, duke e cilësuar si të kontaminuar dhe të dominuar nga subjekte që maskohen si të djathta, por që në thelb përfaqësojnë të majtën ekstreme.

“Mjerisht, skena politike e Kosovës është rrastë e kontaminuar. PDK dhe AAK, rrejshëm thirrën si të “djathta”! Në fakt, ato janë e majta ekstreme e Kosovës, njësoj si grupimi i çoroditur i Dardan Molliqaj, pjellë e Sigurimi të filosllavit, Enver Hoxha! LVV është grupim heterogjen, me shumësi djathtistë. Fatmirësisht, largimet grupore dhe individuale, nga LVV, kanë spastruar partinë nga ndotja. Shikoni sa të zellshëm janë në mbrojtje të krimit, njësh me krerët e “OVL të UÇK-së”, që marrin dosje nga Serbia, për t`i shpërndarë në Kosovë, me qëllim të përçarjes dhe nxitjes të vasjeve ndër shqiptare!

Nuk ka shumë hapësirë, për të zgjedhur partnerë për koalicione, nga subjektet politike në Kosovë. Aktualisht, subjektet e vetme të pranueshme janë LDK-ja, e reformuar, pjesërisht, dhe LVV si rishtare, ende e pa infektuar, por me nevojë për t`u krahuar paqësisht nga dogmat, që u ka ikur koha. Dhe, vajzat e djemtë e LVV, bollshëm të shkolluar, duhet t`i paraprijnë kohës”, ka përfunduar Zeqiraj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *