TË FUNDIT

Letër publike nga mërgata shqiptare – për ata që na injorojnë, na përdorin dhe na harrojnë

Ne, mërgimtarët shqiptarë, kemi mbi afer katër dekada që japim kontribut për atdheun. Kontribut të heshtur, por të paçmueshëm. Ne nuk kemi kërkuar pushtet, nuk kemi bërë fushata, nuk kemi thirrur konferenca – por kemi ndihmuar, ndërtuar, financuar e mbajtur gjallë shumë familje e institucione në vendlindje. Me mjetet vetanake, me buxhetin e familjes, me mundin tonë.

Por sot, politika në Kosovë dhe Shqipëri është shndërruar në biznes. Në luftë për poste, për emërime në borde, për tendera e përfitime personale. Politikanët tanë janë ndër më të pasurit – jo nga pagat që marrin, por nga rrugët që gjejnë për ta kthyer pushtetin në pasuri. Investojnë miliona në fushata, premtojnë gjithçka, vetëm për të marrë një karrige. E sapo e marrin, harrojnë gjithçka që kanë thënë – dhe mbi të gjitha, harrojnë neve. Na flasin për bashkim kombëtar, për patriotizëm, për “mëmëdhe”, por në realitet nuk kanë bërë asgjë për mërgatën.

Asnjë ligj të denjë, asnjë program për ruajtjen e gjuhës, asnjë projekt për bashkëpunim të sinqertë. Përveç fjalëve të mëdha, s’kanë asnjë veprim. E ndërkohë, mërgata po asimilohet. Fëmijët tanë po rriten pa gjuhë, pa kulturë, pa lidhje me rrënjët. Nuk ka përkrahje nga shteti për shkolla shqipe, për organizata kulturore, për identitetin tonë kombëtar jashtë kufijve. Harresa është formë e heshtur e shuarjes.

Prandaj themi me zë të lartë: mjaft më me mashtrime! Mërgata nuk është bankomat për vota, as aparat për emocione patriotike sa herë ka zgjedhje. Ne nuk do të lejojmë më që emri ynë të përdoret për interesa personale nga individë që asnjëherë nuk kanë bërë asgjë për ne. Kërkojmë respekt. Kërkojmë përfaqësim real. Kërkojmë politika konkrete për mërgatën. Kërkojmë që kontributi ynë të mos harrohet, të mos injorohet dhe të mos përdoret. Po na pret fati i kolonive shqiptare dikur në Turqi, Egjipt, Damask, Kalabri, Bukuresht – që sot as emri nuk u dihet, sepse gjurmët e tyre janë humbur. Dhe kjo po ndodh në shekullin e inteligjencës artificiale, të komunikimit digjital, ku lidhja me çdo cep të botës është çështje sekondash. Është absurd i madh që pikërisht tani të harrohemi!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *