Cakolli: Po futemi në krizë shumë serioze kushtetuese e politike
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), në një prononcim për media, ka thënë se sjellja e Lëvizjes Vetëvendosje përbën shkelje të qartë të procedurës parlamentare dhe e cilësoi veprimin si tentim për blerje të kohës dhe për të vënë opozitën në pozitë të vështirë politike.
“Për dallim prej seancës së pardjeshme kur kishim vendim të Kuvendit për të mos e votuar znj. Haxhiu, kësja here përkundër deklarimit të z. Konjufca si përfaqësues i Vetëvendosjes, nuk u konsumua fare procedura që përbën shkelje të obligimit që ka Vetëvendosja për të propozuar kandidatin dhe që propozimi materializohet si i tillë vetëm kur vendoset me procedurë votimi dhe jo kur përmendet emri në foltore…Unë besoj se është më shumë përpjekje për të blerë kohë dhe për t’i vendosur partitë opozitare në një lloj presioni politik. Jemi duke u futur në një krizë shumë serioze kushtetuese dhe politike”, tha Cakolli, raporton “Ekonomia Online”.
Ai ka thënë se situata aktuale, pasi nuk ka përcaktim kohor, mund të vazhdojë pafundësisht.
Cakolli ka thënë se zgjidhja e vetme që të shkohet në zgjedhje të reja është të zgjidhet kryekuvendari.
E Albert Krasniqi nga Demokraci Plus në një postim në Facebook e ka quajtur “arbitrar” vendimin e udhëheqësit të seancës konstituive, deputetit nga radhët e Vetëvendosjes, Avni Dehari, për të shtyrë seancën për të mërkurën.
“Kryesuesi i seancës konstituive veproi në mënyrë arbitrare dhe në kundërshtim me obligimet kushtetuese duke e ndërprerë seancën pa lejuar zhvillimin e votimit”, shkroi Krasniqi në një postim në Facebook. “Votimi i deputetëve nuk mund të paragjykohet mbi bazën e deklarimeve në media”, shkruan Krasniqi.
Mosvazhdimin e seancës Krasniqi e quajti përpjekje të “qëllimtë për të bllokuar konstituimin e Kuvendit”.