POLITIKATË FUNDIT

Kasami thotë se kryeministri i parë shqiptar në RMV është simbolikë: Edhe maqedonasit do të kenë mundësi që ta pranojnë kandidatin tonë për president

Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami në një intervistë për Zërin e Amerikës (VOA), tha se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut duhet të jenë pjesë e zhvillimeve reale politike, përcjell TV21. Emërimin e Talat Xhaferit si kryeministër të parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut Kasami e quajti simbolikë.

“BDI në periudhën e fundit po merret me simbolika, do të kemi kryetarin e parë, spikerin e Parlamentit shqiptar, , kryeministrin, ministrat e jashtëm e të brendshëm, e ku e di çfarë, por në fakt shteti nuk punon dhe nuk u shërben shqiptarëve ashtu si maqedonasve”, tha Kasami.

I pari i Lëvizjes Besa tha se kandidati për president i opozitës shqiptare, respektivisht i Lidhjes Europiane për Ndryshim, do të jetë mundësi që edhe maqedonasit ta pranojnë një shqiptar në krye të shtetit.

“Nuk dalim me kandidatin për president vetëm për të treguar se ne jemi në garë, përkundrazi, ne futemi në garë duke besuar që kandidati jonë do të jetë më i mirë se kandidatët tjerë dhe Maqedonia e Veriut njëherë e përgjithmonë do të jetë e përgatitur që të zgjedh një kandidat i cili do të jetë më i mirë jo vetëm për shqiptarët, por për të gjithë qytetarët. Më shumë se kombinatorikat politike për të pasur një pozitë të rëndësishme të cilat po i promovon BDI, vetëm për të pasur një simbolikë dhe asgjë reale për përmirësimin e jetës së shqiptarëve, ne ofrojmë një kandidat të cilën edhe maqedonasit do të kenë mundësi që ta pranojnë dhe të tregojnë se janë për shtetin e RMV-së të barabartë për të gjithë qytetarët e saj”, pohoi mes tjerash Kasami.

Ndryshe, zgjedhjet presidenciale në vendin tonë do të mbahen më 24 prill, ndërsa kandidat i vetëm zyrtar deri tani është mjeku Vello Markovski, i cili do të kandidojë si i pavarur. Lidhja Europian për Ndryshim ende nuk kanë një emër konkret. Nga opozita pranojnë se kanë biseduar me ish-kreun e RDK-së, Rufi Osmanin. VMRO-DPMNE deri tash ka zgjedhur vetëm delegatët të cilët do të përzgjedhin kandidatët për president. Siç përflitet, si favorit janë Gordana Siljanovska Davkova dhe Aleksandar Spasenovski. Nga BDI nuk kanë një vendim final për kandidatin për president pasi në këtë parti po shqyrtohet mundësia për garë me kandidat të vet, apo me kandidat konsensual me LSDM-në.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *