Qeveri apo zgjedhje? Zgjedhja që do ta përcaktojë rrugën e Kosovës
Një stagnim politik në Kosovë, siç është mosformimi i qeverisë së përgjegjshme karshi raporteve me partnerët ndërkombëtarë, e dëmton shtetin tej mase, sepse e lë atë pa përfaqësues legjitim që mund të marrin vendime kritike për të ardhmen e Kosovës dhe të rajonit. Prandaj, në skenarin më realist, në të cilin LVV-ja nuk e ka shumicën parlamentare, partitë opozitare duhet të dakordohen për formimin e një qeverie alternative, që do të reflektonte vullnetin e 46 për qind të votuesve
Në javët që po vijnë do të jemi dëshmitarë të lëvizjeve politike ndoshta edhe nga më befasueset dhe dramatiket, ngase në javët e ardhshme do të përcaktohet se kush do ta qeverisë Kosovën në periudhën e ardhshme, deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Konstituimi i Kuvendit dhe formimi i qeverisë së dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit janë domosdoshmëri për Kosovën në kontekstin e zhvillimeve ndërkombëtare. Afatet për formimin e qeverisë janë qartazi të përcaktuara në Kushtetutë, e të cilat lejojnë jo më shumë se 25 ditë për formimin e qeverisë, pas konstituimit të Kuvendit.
Deklarata e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut, se ose do ta formojë qeverinë Lëvizja Vetëvendosje (LVV), ose vendi do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, përveçqë e injoron Kushtetutën e Republikës së Kosovës (këtë shkrim po e shkruaj në 17-vjetorin e miratimit të saj), por po qe se realizohet si plan, do ta dëmtojë Kosovën në shumë aspekte. Por ky qëndrim, të cilin, pasi që u përsërit nga ministrja dhe zëvendësministri i Drejtësisë, po e konsideroj si qëndrim zyrtar të LVV-së, nuk çon peshë në pikëpamje juridike e as politike, sepse në rast se LVV-ja nuk arrin – gjatë kësaj jave kjo edhe u vërtetua – që ta formojë një shumicë parlamentare, atëherë, sipas Kushtetutës, partitë e tjera do ta kenë shansin që të dakordohen për një shumicë parlamentare që do ta votonte një qeveri pa LVV-në.
Në një lëvizje tipike dramatike për të, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e thirr seancën urgjente të Këshillit për siguri kombëtare dhe e akuzon Serbinë se i paska instrumentalizuar një numër deputetësh nga komunitetet joserbe dhe se gjoja këta deputetë kanë rënë nën ndikimin e Serbisë, dhe nuk po e mbështesin atë për ta formuar qeverinë. Kjo, përveçqë është instrumentalizim i këtij institucioni shtetëror për qëllime partiake, është edhe një lojë që i ka për qëllim tri synime: t’i trembë deputetët minoritarë joserbë, ta përgatisë terrenin për të krijuar narrativin se gjoja Serbia e mbështet një qeveri të krijuar nga opozita dhe t’i akuzojë partitë opozitare se mosmbështetja e tyre për Qeverinë Kurti 3 bëhet në sinkron me Serbinë.
Që të tri këto qëllime janë të rrezikshme dhe mund të kenë efekt destabilizues për Kosovën. Kurti, i cili nuk e thirri Këshillin e Sigurisë Kombëtare as me rastin e sulmit terrorist në Banjskë më 2023 e as me rastin e sulmit terrorist mbi kanalin e Ibër-Lepencit, u kujtua ta thërrasë për t’u ankuar se Serbia po e pengon LVV-në që ta formojë qeverinë. Me këtë, ai po e zbeh rëndësinë kritike të këtij institucioni. Thënë së buti, një sjellje e tillë politike është antidemokratike dhe i përshtatet një lideri autoritar. Narrativet e tilla janë të rrezikshme, ngase e polarizojnë shoqërinë kosovare, gjë kjo për të cilën Kurti gjatë fushatave të tija politike është treguar të jetë specialist. Retorika e tij polarizuese është edhe arsyeja e mosgatishmërisë së partive opozitare që të bashkëpunojnë me të. Në këtë kontekst, përgjigja e liderit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) më së miri reflekton se si retorikat përçarëse të Kurtit kanë lënë vragë në ambientin politik të Kosovës dhe kanë ndikuar në komunikimin civilizues politik në Kosovë.
Formimi i qeverisë së dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit duhet shikuar edhe nga prizmi i dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë. Siç e kam shpjeguar edhe në kolumnen e javës së shkuar, po qe se vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme, qeveria e re nuk do të mund të formohet mbase deri në nëntor apo dhjetor të këtij viti. E koha dhe proceset nuk presin. Kosova duhet t’i shfrytëzojë rrethanat ndërkombëtare sa janë të favorshme. Një humbje e durimit të bashkësisë ndërkombëtare me Kosovën mund t’i shkaktojë asaj humbje të mëdha.
Deklarata e përfaqësuesit të SHBA-së në Këshillin e Sigurimit të OKB-së këtë të martë se dialogu Kosovë-Serbi duhet të rezultojë në njohje të ndërsjellë, është sinjal i mjaftueshëm për ne se duhet t’i formojmë institucionet dhe t’i qasemi këtij dialogu dhe implementimit të marrëveshjeve me seriozitetin më të madh, natyrisht, duke insistuar që Serbia ta bëjë të njëjtën gjë. Pavarësisht se Serbia ankohet pothuajse përditë se Kosova nuk po e formon Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërmarrja e hapave drejt formimit të tij, siç janë dërgimi i draft-statutit evropian në Gjykatën Kushtetuese, i konvenon më shumë Kosovës sesa Serbisë.
Nëse Kosova e luan lojën e dialogut në mënyrë të mençur, duke i koordinuar veprimet me partnerët kryesorë, siç janë SHBA-ja, Gjermania, Franca, Britania e Madhe dhe Italia, atëherë do të pasojnë shpërblimet, si anëtarësimi në Këshillin e Evropës dhe në institucionet e tjera ndërkombëtare, shtimi i njohjeve të reja e dialogu për anëtarësim në NATO. Mos të flasim për heqjen e sanksioneve të Bashkimit Evropian, të cilat e dëmtojnë ekonominë e Kosovës. Pra, mbarëvajtja e dialogut është në interes të Kosovës, sepse krijon stabilitet të brendshëm dhe e forcon subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës. Këto të dyja janë në kundërshtim me interesat e ultranacionalistëve që ndodhen në pushtet në Beograd, sepse njohja as de jure dhe as de fakto e Kosovës nuk u shërben synimeve të tyre për ta mbajtur konfliktin e ngrirë dhe tensionet politike e etnike në nivelin më të lartë.
Një stagnim politik në Kosovë, siç është mosformimi i qeverisë së përgjegjshme karshi raporteve me partnerët ndërkombëtarë, e dëmton shtetin tej mase, sepse e lë atë pa përfaqësues legjitim që mund të marrin vendime kritike për të ardhmen e Kosovës dhe të rajonit. Prandaj, në skenarin më realist, në të cilin LVV-ja nuk e ka shumicën parlamentare, partitë opozitare duhet të dakordohen për formimin e një qeverie alternative që do të reflektonte vullnetin e 46 për qind të votuesve.
Në të kundërtën, do të kemi një qeveri në detyrë të udhëhequr nga Albin Kurti, së cilës do t’i mungojë legjitimiteti deri në formimin e qeverisë së re, pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Kjo qeveri nuk do të qeveriste. Do të merrej me fushatë zgjedhore dhe me bisedime për krijimin e një qeverie të re. Kosova do të mbetej pa kokë për një periudhë kohore deri në formimin e institucioneve të reja. Kjo do t’i humbiste Kosovës edhe pesë deri në gjashtë muaj kohë, të cilat nuk do të mund të kompensohen për nga humbjet që i kanosen po qe se nuk formohet qeveria në këtë legjislaturë. Prandaj, deklaratat për zgjedhje të jashtëzakonshme, të cilat pas ministres së Drejtësisë i përsëriti edhe zëvendëskryeministrja në detyrë nga komuniteti joshumicë boshnjak, Emilija Rexhepi, janë të dëmshme, të rrezikshme dhe si të tilla duhet të hidhen poshtë nga partitë opozitare, të cilat duhet të tregojnë vullnet politik dhe gatishmëri për të bërë kompromise me qëllim të formimit të qeverisë dhe shtyrjes përpara të proceseve të rëndësishme në të cilat ndodhet vendi.