Pak ditë para 15 prillit, propozohet një qeveri me të gjitha partitë: Ja si do të funksiononte
Ka mbetur edhe pak ditë deri te mbajtja e seancës konstituive të Legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Seanca e cila pritet të mbahet më 15 prill, është thirrur nga presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në përputhje me autorizimet kushtetuese dhe afatet ligjore.
Në këtë seancë pritet zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe anëtarëve të Kryesisë si dhe betimi i deputetëve të zgjedhur.
15 prilli deri para pak ditësh nuk ka qenë “problem” për partinë fituese, kjo pasi sipas deputetëve të kësaj partie ata i kanë numrat për të formuar qeverinë dhe kuvendin.
Por, këtë gjë e vuri në dyshim kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili tha të dielën se Serbia po vazhdon përpjekjet për sabotimin e konsolidimit të institucioneve të dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë.
Kurti, në një postim në Facebook, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ua ka dhënë në dispozicion burimet dhe mjetet shtetërore Listës Serbe dhe kryeterroristit Milan Radoiçiq, ndërsa janë duke u shënjestruar disa deputetë të pakicave joserbe.
Kurti ka shtuar se institucionet e sigurisë kanë informacione të konfirmuara lidhur me këtë dhe kjo ishte ndër çështjet që u diskutua në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Kosovës të dielën.
“Pas ndërhyrjes në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025 në Republikën e Kosovës, për çfarë kemi informuar në konferencë për media bashkë me ministrin Nenad Rashiq me datë 9 mars 2025, Serbia po vazhdon përpjekjet për sabotimin e konsolidimit të institucioneve të dala nga këto zgjedhje. Presidenti i Serbisë, Vuçiq, ua ka dhënë në dispozicion burimet dhe mjetet shtetërore për këtë Listës Serbe dhe kryeterroristit Millan Radoiçiq, i cili në agresionin kriminal e terrorist të Banjskës, më 24 shtator 2023, ishte nënkryetar “de jure” i Listës Serbe, kurse tani është kryetar “de facto” i këtij subjekti politik. Në shënjestër janë disa deputetë të pakicave joserbe. Institucionet e sigurisë kanë informacion të konfirmuar lidhur me këtë, dhe kjo ishte njëra ndër çështjet që shqyrtuam në mbledhjen e sotme të Këshillit të Sigurisë së Kosovës”, ka shkruar Kurti.
Edhe Kryetari i Kuvendit në detyrë Glauk Konjufca pas mbledhjes me nënkryetarët e partive politike deklaroi se pa koalicion paszgjedhor nuk mund të bëhet qeveria.
Analistët politikë thonë se do të ishte më mirë që partitë të bashkohen për ta formuar qeverinë. Sipas tyre, koha është e tillë që ka nevojë për bashkim.