OPINIONTË FUNDIT

Serbia synon destabilizimin/ Eksperti i sigurisë paralajmëron pasojat e mundshme të veprimeve serbe në Kosovë

Sot është mbajtur mbledhja e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, me kërkesë të kryeministrit, Albin Kurti.

Gjatë kësaj mbledhje është diskutuar për operacionet e fundit të Policisë së Kosovës, ku u arrestuan 16 serbë në Gjakovë dhe Prizren.

Po ashtu, u folur edhe për sulmin me granatë dore ndaj Postës së Kosovës në Zveçan më 1 prill.

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, në një prononcim për “Bota sot”, është shprehur se mbledhja e thirrur nga kryeministri Kurti është një tregues i qartë i shqetësimit institucional ndaj rritjes së veprimtarive destabilizuese që kanë burimin nga Serbia.

“Mbledhja e sotme e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, thirrur nga Kryeministri Albin Kurti, është tregues i qartë i shqetësimit të thelluar institucional ndaj rritjes së veprimtarive destabilizuese që kanë burimin nga Serbia. Komentet që vijnë nga Qeveria, përfshirë pohimin se regjimi i Aleksandër Vuçiqit po synon eksportimin e krizës në Kosovë dhe më gjerë, duhet të merren me seriozitet të plotë. Ngjarjet e fundit, përfshirë sulmin ndaj zyrës së Postës në Zveçan me dy granata dore dhe arrestimin e katër shtetasve serbë në Gjakovë – mes tyre pjesëtarë aktivë të strukturave të sigurisë së Serbisë – dëshmojnë për një përshkallëzim të qëllimshëm të tensioneve, që mund të ketë pasoja të rënda jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë ai.

ImageDrizan ShalaFoto galeri
Tutje, Shala ka përmendur disa nga pasojat e mundshme që mund të ndodhin, si rritja e tensioneve etnike në veri të Kosovës, përfshirja e personave të lidhur me ushtrinë dhe policinë serbe në aktivitete të dyshimta brenda territorit të Kosovës, etj.

“Pasojat e mundshme për stabilitetin, sigurin vendore dhe rajonal:

1. Rritja e tensioneve etnike në veri të Kosovës mund të shkaktojë valë të reja dhune ose provokime që cenojnë bashkëjetesën ndëretnike.

2. Përfshirja e personave të lidhur me ushtrinë dhe policinë serbe në aktivitete të dyshimta brenda territorit të Kosovës mund të sinjalizojë prani të strukturave paralele ose operacione të fshehta, të cilat janë shkelje flagrante të sovranitetit.

3. Destabilizimi i qëllimshëm mund të përdoret nga Serbia për të justifikuar narrativën e saj në skenën ndërkombëtare, duke synuar të paraqesë Kosovën si shtet jofunksional dhe të paqëndrueshëm.

4. Në plan më të gjerë, një destabilizim në Kosovë mund të rrezikojë stabilitetin e Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, për shkak të ndikimit zinxhir që kanë zhvillimet në Kosovë në të gjithë rajonin”, ka potencuar ai.

Gjithashtu, Shala ka dhënë disa sugjerime për masat që do të duhet t’i marrin mekanizmat e sigurisë në Kosovë, si avancimi i forcimit të inteligjencës, shtimi i pranisë së sigurisë në veri, etj.

“Masat që duhen marrë nga mekanizmat e sigurisë në Kosovë:

1. Avancimi i forcimit i inteligjencës dhe bashkëpunimit ndër-institucional pra AKI- Policia e Kosovës-FSK duhet të rrisin koordinimin dhe ndarjen e informacionit për të parandaluar kërcënimet në kohë.

2. Shtimi i pranisë së sigurisë në veri, duke u fokusuar në mbikëqyrje të shtuar të pikave strategjike si institucionet publike, infrastrukturat kritike dhe zonat me ndjeshmëri të lartë etnike.

3. Zgjerimi i bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, sidomos me NATO-n, KFOR-in dhe EULEX-in, për të siguruar qëndrueshmëri të linjave të sigurisë dhe adresimin e veprimtarive të paligjshme që kalojnë kufijtë.

4. Zhvillimi i strategjive për menaxhimin e krizës dhe dezinformimit, duke ndërtuar kapacitete për t’i bërë ballë luftës hibride që mund të përfshijë edhe fushata propagandistike apo sulme kibernetike.

5. Angazhimi i shoqërisë civile dhe komuniteteve lokale në procesin e parandalimit të ekstremizmit dhe ndërtimit të besimit ndërmjet komuniteteve”, ka deklaruar Shala.

Për fund, Shala ka shtuar se është jetike që institucionet e Kosovës të “qëndrojnë të bashkuara dhe të vendosura në mbrojtjen e sovranitetit dhe rendit kushtetues të vendit”.

“Në fund, është jetike që institucionet e Kosovës të qëndrojnë të bashkuara dhe të vendosura në mbrojtjen e sovranitetit dhe rendit kushtetues të vendit. Çdo kërcënim ndaj stabilitetit të Kosovës është një kërcënim ndaj paqes dhe sigurisë në të gjithë rajonin”, ka përfunduar Shala për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *