OPINIONPOLITIKATË FUNDIT

Pse Abdixhiku refuzon qeverisjen me Albin Kurtin?

Lumir Abdixhiku vazhdon të refuzojë krijimin e një koalicioni VV-LDK për qeverisjen e ardhshme të Kosovës. Përkrahësit e tij e motivojnë këtë qëndrim me kërkesën që pozicionin e kryeministrit ta ketë vetë Abdixhiku. “Në të kundërt, thonë ata, nuk bashkëpunojmë me Albin Kurtin”! Ndërkohë diferenca e votave midis VV dhe LDK-së, po ashtu midis Albinit dhe Lumirit, është më shumë se dy e trefish. Që do të thotë se kemi të bëjmë me një bllof. Gjithkush e di se sovrani vendos se kush duhet të jetë kryeministër dhe në këtë rast ai ka dhënë votën për kryeministrin aktual në detyrë.

Në partinë e zotit Kurti ka jo pak anëtarë dhe simpatizantë që e përshëndesin refuzimin e zotit Abdixhiku për të bashkëpunuar në këtë mandat qeverisës me LDK-në. Ata kanë parasysh përvojën e hidhur të tërheqjes nga koalicioni në vitin 2020 dhe nuk besojnë aq në një marrëveshje të re. Qoftë dhe për këtë arsye, për të dëshmuar se Lidhja Demokratike i respekton marrëveshjet, do të duhet që LDK të ishte e gatshme të bashkëpunonte me VV-në. Por nuk po ndodh kjo. Megjithëse ky bashkëpunim diktohet në themel nga interesi i Kosovës.

Në Lidhjen Demokratike të Kosovës ka jo pak eksponentë që kërkojnë bashkëpunim dhe koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje. Nuk besoj se këta drejtues politikë të LDK-së nisen nga interesat për pushtet në këtë kërkesë. Po të ishte për këto interesa, atëherë më i interesuari do të ishte kreu i partisë. Ndaj dhe duhet besuar se zërat pro-koalicionit të të dy partive nisen nga interesi themelor i shtetit. Sepse duan një qeveri të qëndrueshme dhe një qeverisje që merr parasysh interesat e të majtës dhe njëkohësisht të së djathtës në Kosovë. Po pse zoti Abdixhiku vazhdon ta refuzojë këtë bashkëpunim?

Ka nga ata që mendojnë se kjo lidhet me qëndrimin e partnerëve ndërkombëtarë. Sipas tyre, ndërkombëtarët nuk e duan Kurtin kryeministër, ndaj dhe nuk lejojnë që një parti e madhe politike të bëjë koalicion me të. Nëse ndodh ky koalicion, thonë kundërshtarët, atëherë do të duhet që kryeministrin ta ketë partia e vogël në këtë koalicion, në rastin konkret, Lidhja Demokratike e Kosovës. Por unë nuk e besoj këtë version. Më logjike është të besojmë një argument tjetër. Pengesa e koalicionit Kurti-Abdixhiku është Tirana zyrtare, më saktë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Më shumë se kushdo tjetër Rama ka interes që Albin Kurti të dështojë në krijimin e qeverisë së re. Ai beson se në këtë mënyrë “i jep një mësim të mirë kryeministrit të Kosovës” dhe njëkohësisht justifikon qëndrimet e tij në pajtim me politikat e Beogradit kundër Kosovës. Nëse ia arrin këtij qëllimi, Rama do të thotë më pas “E shikoni, ishte Albini fajtor. Nuk isha unë kundër Kosovës, por ai na detyroi të mbajmë qëndrimet që dihen”!

Kjo lojë politike e Ramës është interes i tij personal, por që nuk ka lidhje me interesin e Kosovës. Dhe duket se kreu i LDK-së është fans i bindur i kryeministrit të Shqipërisë, pavarësisht se nuk e ka bindur endeate që në Tiranë të miratohet një shesh për emrin dhe monumentin e Ibrahim Rugovës. Eshtë e çuditshme kjo simbiozë midis Edit dhe Lumirit. Eshtë gjithashtu kontraverse që një lider i :LDK-së të ketë një kimi kaq të ngjajshme me një lider të Partisë Socialiste në Shqipëri, aq më tepër kur provat dhe faktet dëshmojnë se ky lider ka punuar kundër interesave të Kosovës dhe pro-interesave të Serbisë. Eshtë gjithashtu absurditet që kryetari i një partie të djathtë e qe pretendon te jete rugoviste të mbajë aleat të mendjes e të shpirtit të vet një lider autokrat e njëkohësisht pervers si Edi Rama. Ndërkohë që alati tradicional i Ramës, pra PDK, “e ka lëshuar” atë.

Shihni me vëmendje: – Memli Krasniqi ka shumë më pak kontakte dhe qëndrime pro Edi Ramës sesa Lumir Abdixhiku. Dhe mendoni pastaj edhe arsyen pse Lumiri nuk e pranon koalicionin me Albinin. Ndërkohë, nëse Lidhja Demokratike nuk e detyron kryetarin e saj të bashkëformojë qeverinë e re, ka shumë gjasa që këtë ta bëjë kryetari i PDK-së. Memli personalisht është treguar shumë më i përgjegjshëm në katër vitet që shkuan, sesa Lumiri. Dhe me këtë përgjegjësi ai me shumë gjasa do t’i përgjigjet pozitivisht negociatave për një qeverisje të përbashkët me Vetëvendosjen. Nuk shoh ndonjë tabu për këtë te kreu i PDK-së. Edhe pse ai ka kundërshtarë të kësaj vendimmarrjeje në partinë e tij, vetë kryetari mban qëndrime shumë të moderuara. Kjo do të thotë se ndërsa PDK është më pak e reformuar sesa LDK, kryetari i PDK-së është më mendje-hapur sesa kryetari i LDK-së!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *