‘Shpërthim’ në grupin në WhatsApp të kryesisë së LDK-së: Akuza për vjedhje votash e skema kriminale brenda partisë
Autor:Lira Klaiqi
28 Mars 2025 | 16:59
Skema kriminale, manipulime e shitblerje të votave ka akuzuar të kenë ndodhur brenda listës zgjedhore të LDK-së, Shkëmb Manaj. Akuzat ish-deputeti i ka ngritur pak ditë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, në një grup të brendshëm komunikimi të anëtarëve të kryesisë së partisë së Lumir Abdixhikut. Këtë të fundit, Manaj në mesazhin e tij thotë se e ka njoftuar personalisht për manipulimet. Megjithatë, pos Abdixhikut dhe anëtarëve të kryesisë së LDK-së, letra ka rënë edhe në duart e Prokurorisë së Shtetit, e cila po heton pretendimet e sapo të emëruarit nënkryetar të komunës së Prishtinës.
Kandidati për deputet në listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shkëmb Manaj, ka akuzuar bashkëpartiakët, që janë edhe pjesë e Kryesisë Qendrore të LDK’së, se ia vodhën mandatin e deputetit.
Gazeta Online Reporteri.net e ka siguruar përmbajtjen e mesazhit të cilin Manaj e dërgoi me 3 mars 2025 në grupin e komunikimit të brendshëm, në “WhatsApp”, të anëtarëve të kryesisë qendrore të LDK-së.
Aty, ai tregon se pretendimet e tij ia ka ngritur si shqetësim të madh edhe vetë kryetarit Lumir Abdixhiku, në një takim që dyshja e kishin zhvilluar po në ditën kur Manaj e ka shkruar mesazhin – pak ditë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe daljes së rezultateve preliminare të votave me postë nga diaspora.
Manaj në mesazhin e tij për anëtarët e kryesisë së LDK-së thotë se e njoftoi kryetarin për manipulimet e procesit zgjedhor brenda listës zgjedhore të partisë, me theks të veçantë në votimet me postë.
“Është proces i manipuluar përmes skemave kriminale, në të cilin fatkeqësisht janë përfshirë edhe kolegë tanë të listes kandiduese, të cilët janë edhe anëtarë të Kryesisë Qendrore të LDK-së” – thotë Manaj në mesazhin e siguruar nga gazeta online Reporteri.net.
Shkon tutje duke përmendur skema të shitblerjes së votës, dhe zotohet që do t’i mbrojë ato për siç thotë ai “LDK-në tonë për të cilën kemi derdh edhe gjak dhe kemi dhënë me të dashurit tonë”.
“Nuk lejoj kurrë që mandatin të cilin ma kanë dhënë qytetarët, të me vjedhet nga ata qe me skema të shitblerjes se votave dhe të mbushjes industriale të tyre në postat e vendeve evropiane nga grupe dhe individë që me logjikën e tyre të veprimit nuk kanë të bëjnë asgjë me LDK-në”.
Faktet janë të qarta, u thotë tutje bashkëpartiakëve Manaj, i cili më 9 shkurt nuk arriti të sigurojë ulëse në Kuvend.
“Manipulimi i votave të kandidatëve është evidenet, edhe fëmijët po i vërejnë”.
Tutje, në mesazhin e tij, Manaj u shkruan anëtarëve të kryesisë së LDK-së se duhet të mblidhen dhe të diskutojnë formimin e një grupi punues që do t’i mbledhë faktet dhe t’i adresojë ato në emër të LDK-së. Mbledhja të cilën e kërkon ai në mesazh që të zhvillohet u mbajt me 10 mars 2024.
“Të paktën ky proces i votave të kandidatëve përmes postes duhet të anulohen, me qëllim të ruajtjes së një procesi zgjedhor normal si dhe tentimit për kthimin e normalitetit politik brenda subjektit tonë politik! Përndryshe, kjo do të mbetet njolla me e zezë e një procesi zgjedhor në historinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës”, thoshte Manaj me 3 mars, në WhatsApp .
Gazeta online Reporteri.net e ka kontaktuar Manajn të premten për ta konfirmuar mesazhin e tij.
“Kemi pas reagime brenda kryesisë qendrore të LDK-së, është e vërtetë, për çështjen e votave me postë, por temat i kemi trajatu brenda kryesisë qendrorë të LDK-së. Ne kemi bisedu brenda kryesisë, është temë e kryesisë qendrore të LDK-së edhe është temë e institucioneve që janë duke u marrë me këtë çështje”, tha ai përmes telefonit.
Akuzat e Manajt të 3 marsit 2025, në grupin në “WhatsApp”, por edhe ato që u thanë në mbledhjen e 10 marsit të kryesisë së LDK-së, u mbështeten edhe nga deputeti Abdullah Hoti e Arben Gashi, merr vesh gazeta online Reporteri.net.
Madje, ish-kryeministri Hoti i shpërfaqi ato edhe në një reagim publik më 18 mars 2025.
“Në votimin me postë, disa kandidatë të listës së LDK-së janë votuar po ashtu joproporcionalisht krahasuar me votimin në Kosovë…Ky fenomen ka krijuar pasiguri në gjithë procesin zgjedhor. Përtej kësaj, në rastin e LDK-së është lënduar kohezioni i brendshëm i strukturave të partisë, si dhe është cenuar besimi i votuesit tradicional të LDK-së dhe integriteti që ka pasur shtëpia jonë politike për 35 vite”, shkroi Hoti në Facebook.
Nga ana tjetër, për akuzat e Manajt në “WhatsApp” por edhe pretendimet tjera të ngritura për manipulim të votave të Diasporës u njoftua edhe Prokuroria e Shtetit e cila më 26 mars 2025 ka konfirmuar se ka filluar hetimin.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë e ka autorizuar Policinë e Kosovës në grumbullimin dhe verifikimin e informacioneve. Mirëpo, në këtë fazë të procedurës nuk mund të jepen detaje më të hollësishme sepse mund të cenohet procesi hetimor”, njoftoi të mërkurën Prokuroria Themelore e Prishtinës.
Gazeta Online Reporteri.net merr vesh se pjesë e dosjes tashmë është edhe mesazhi i brendshëm i Manajt, që ka rrjedhë në duart e Prokurorisë së Shtetit. Për këtë është në dijeni edhe vetë Shkëmb Manaj, ndonëse thotë se nuk është ftuar ende për intervistim rreth pretendimeve.
“Jo nuk jam ftu ende [për intervistim]”, tha për Reporteri.net nënkryetari i ri i Prishtinës.
Sipas rezultateve përfundimtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Manaj ka marrë 17 mijë e 305 vota në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Pos brenda LDK-së, akuza për manipulim me votat e Diasporës ka ngritur edhe Lëvizja Vetëvendosje e cila pasi ka humbur betejat e saj për këto vota në PZAP e Gjykatë Supreme, të enjten i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese./Reporteri.net
*Artikullit i kontribuoi edhe gazetarja Leonora Kolukaj.