TË FUNDIT

Sveçla për konfiskimet në veri: Mbesim të vendosur dhe të përkushtuar që siguria të mbretërojë në çdo cep të Republikës

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka thënë se konfiskimet në operacionin e së premtes në fshatin Rodel të Leposaviqit dëshmojnë se strukturat paralele të organizatës terroriste “Mbrojtja Civile” vazhdojnë të jenë aktive në territorin e Kosovës.

Në konferencë për media, Sveçla ka thënë se gjatë aksionit të sotëm Policia ka konfiskuar uniforma e pajisje ushtarake, armë, municione, por edhe dokumentacione që dëshmojnë se “Mbrojtja Civile” vazhdon të jetë aktive në Kosovë. Për këtë, ai ka fajësuar kryeterroristin Milan Radoiçiq.

“Serbia vazhdon të strehojë kryeterroristin Milan Radoiçiq, që është kupola e gjithë këtij organizimi i cili po mundohet që mbetjet e grupeve terroriste t’i mbajë të gjallë qoftë në territorin e Kosovës apo të Serbisë”, ka thënë ai.

Sveçla u ka bërë thirrje të gjithë atyre që kanë qenë pjesë e organizimeve të Radoiçiqit t’i dorëzojnë pajisjet e armët, “në mënyrë që t’i kthehen jetës normale dhe të bëhen pjesë integrale e shoqërisë”.

“Mbesim të vendosur dhe të përkushtuar që siguria të mbretërojë në çdo cep të Republikës. Tash do të vazhdojnë hetimet për të zbuluar të gjithë grupin që janë të përfshirë në këtë aktivitet”, ka shtuar Sveçla.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *