Bëhen bashkë Vjosa Osmani dhe Albin Kurti
Dy krerët e shtetit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Kurti janë bërë bashkë për një foto në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ku ndodhen tash e dy ditë.
Ai që i bëri bashkë dy krerët e shtetit të Kosovës është ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, i cili më pas e postoi foton në rrjetin social “X”.
Osmani e Kurti po qëndrojnë në Mynih që nga e premtja, derisa në disa pamje të publikuara sot nga Konferenca e Sigurisë atje, dy liderët kosovarë u panë duke mos komunikuar fare mes vete.
Me Kurtin në Mynih po qëndron edhe me Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, e as kjo e fundit nuk u pa ditën e sotme duke komunikuar me presidenten Osmani.
Kohëve të fundit, presidentja e vendit, Vjosa Osmani nuk i kishte mbajtur fshehur pakënaqësitë me punën e Qeverisë në largim, por edhe me ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, e cila tash e drejton partinë Guxo, të cilën shefja e shtetit e kishte themeluar vetë dhe e kishte udhëhequr deri në prill të vitit 2021.
Konferenca e Sigurisë e Mynihut 2025 këtë vit po trajton disa tema kryesore të sigurisë globale, duke përfshirë kërcënimet globale të sigurisë, luftërat hibride dhe kërcënimet në rajone të ndryshme, si: Deti Baltik, diskutime mbi rolin e Bashkimit Europian, SHBA-së dhe Kinës në sigurinë globale dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.