Koalicioni LDK-AAK në Prishtinë jep frytet: Kompanitë e afërta me pushtetin shpallen fituese të tenderit 18.4 milionë euro
Komuna e Prishtinës, nën udhëheqjen e Përparim Ramës, ka shpallur fituesin e tenderit të diskutueshëm prej 18 milionë eurove për ndërtimin e sheshit Xhorxh Bush, raporton Demokracia.com.
Procesi i vlerësimit të ofertave për katër subjekte garuese zgjati 60 ditë, me tenderin që u hap në gjysmën e parë të gushtit 2024.
Zyra e prokurimit të Komunës së Prishtinës ka shpallur konzorciumin e kompanive ‘Salillari’ SHPK, ‘Gjini Construction’ dhe ‘Hidroterm’ si fitues me një ofertë prej 18 milionë e 162 mijë euro.
“Sallari”- E themeluar në vitin 1994 në Berat, kjo kompani ndërtimi ka kryer punë të shumta në Shqipëri, por dhe në Kosovë. Administratori aktual është Bledar Starova, ndërsa pronar është Pëllumb Salillari. Së fundmi, Prokuroria e Tiranës ka marrë të pandehur Salillarin dhe Starovën për ndërtim pa leje të një pallati në zonën e Liqenit të Thatë, me vlerë 12 milionë euro.
“Gjini Construction” dhe “Hidroterm”. Të dyja këto kompani janë të lidhura me familjarë të Blerim Kuçit, ish-kryetar i Suharekës nga AAK-ja. Pronar i “Gjini Construction” sh.p.k është kompania “Hidroterm Holding”.
“Hidroterm Holding” është regjistruar para pak javëve në ARBK, konkretisht më 6 nëntor 2024. Pronarë të saj janë familjarët e ish-kryetarit të Suharekës nga radhët e AAK-së, Blerim Kuçi. Konkretisht, pronarët janë djali i Blerimit, Genc Kuçi, me 71.97% të aksioneve, vajza e tij, Blerta Kuçi, me 22.73%, dhe dhëndri i Blerimit, Nol Paloka – bashkëshorti i Blertës – me 5.30%.
Gjithashtu, në konsorcium me kompaninë “Salillari” dhe “Gjini Construction” është kompania “Hidroterm” sh.p.k., e themeluar nga vetë Blerim Kuçi, e cila gjithashtu është në pronësi të “Hidroterm Holding”.
Kompanitë tjera në garë që janë eleminuar, kanë të drejtë ankesë pesë ditë.
Lidhur me këtë procedurë tenderuese, Demokracia.com ka bërë disa raportime për këtë tender. /Demokracia.com/