PDK kërkoi shkarkimin e ambasadorit Berishaj, deputeti Berisha e vizitoi në Zagreb: Biseduam për të mirën e kombit dhe shtetit
Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, ka qëndruar në Zagreb të Kroacisë, ku është pritur nga ambasadori i Kosovës në këtë vend, Martin Berishaj, shkarkimin e të cilit vazhdon ta kërkojë partia e deputetit Berisha.
Është vetë deputeti Berisha, që përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar për pritjen që i ka bërë ambasadori Berishaj, të cilën ai e ka quajtur vëllazërore, si dhe një bashkëbisedim për të mirën e kombit dhe shtetit.
“Gjatë qëndrimit në Zagreb, i ftuar nga Fakulteti i Studimeve Kroate i Universitetit të Zagrebit, në simpoziumin shkencor ndërkombëtar me titull: ‘Rëndësia e kujtesës evropiane për të ardhmen evropiane – Krimet komuniste’, takova edhe Ambasadën e Republikës së Kosovës në Zagreb, SHT Prof. Dr. Martin Berishaj, i cili më organizoi një pritje përtej protokollit diplomatik, bashkë me stafin e Ambasadës, Atasheun Shpend Zogaj, etj.”, ka shkruar deputeti Berisha, transmeton Telegrafi.
“Një pritje vëllazërore dhe bashkëbisedim nga aty ku ka mbetur, për të mirën e kombit, shtetit dhe historisë. Natyrisht, për punën e mirë në shërbim të vendit dhe avancimin e statusit të shqiptarëve në këtë shtet aleat. Pesha intelektuale dhe akademike e diplomatit e ngrit edhe subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit. E në këtë korelacion, autoritetin dhe nderin i ke në nivelin më të lartë të vlerësimit. Ju faleminderit Ambasador për pritjen e dhuratën – librin!”, ka shkruar ai.
Ndryshe, në mars të këtij viti Berishaj është intervistuar nga Prokuroria e Speciale në Prishtinë. Intervistimi erdhi pas dyshimeve për një aferë financiare të Berishajt në Slloveni, për të cilën është raportuar gjerësisht në medie.