POLITIKATË FUNDIT

Ekskluzive: Blerim Devolli humb gjyqin me Avokaturën Shtetërore, me përmbarues do t’i merren 1.3 milion euro?

Në prillin e vitit të kaluar Ministria e Drejtësisë, përmes Avokaturës Shtetërore së bashku me ekipin mbrojtës të Squire Patton Boggs kishin arritur fitoren e radhës në arbitrazhin ndërkombëtar, duke mposhtur pretendimet e Blerim Devollit kundër Republikës së Kosovës.

Përmes një padie të dorëzuar pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit pranë Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë në mars të vitit 2020, Blerim Devolli kishte kërkuar kompensim prej së paku 45 milionë euro nga Republika e Kosovës si pasojë e pretendimeve për shpronësimin e Dardafon.net, operatorin e rrjetit celular virtual në Kosovë, pronë kjo e z.Devolli.

Përveç që kishte hedhur poshtë në tërësi pretendimet e z. Devolli Tribunali ndërkombëtar i Arbitrazhit kishte urdhëruar këtë të fundit t’ia paguajë Republikës së Kosovës mbi 1.3 milion euro në emër të shpenzimeve të procedurës.

Por pagesën prej 1.3 milion eurove kundrejt Qeverisë së Kosovës si aksionar i vetëm i Telekomit të Kosovës, Blerim Devolli e kishte kundërshtuar duke e kontestuar në Gjykatën Themelore në Pejë, Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Civil.

Gjykata Themelore në Pejë më 8 prill të këtij viti ka nxierr aktvendim rreth kësaj çështje duke i REFUZUAR SI TË PABAZUAR prapësimin përmbarimor ndaj Blerim Devollit.

Ndërsa e ka lënë në fuqi urdhërin e përmbaruesit privat Fatos Shatri të datës 06.02.2024.

Kosovanews e ka siguruar aktvendimin e datës 8 prill të Gjykatës Themelore në Pejë në arsyetimin e të cilit thuhet se Qeveria e Kosovës, ka paraqitur propozim për lejimin e përmbarimit, ndaj  Blerim Devollit në shumën prej 1.330.706 euro dhe 7.172 mijë funta

Përmbaruesi privat Fatos Shatri me urdhër për përmbarim me nr.40/24 të datës 06.02.2024 ka lejuar përmbarimin e propozuar.

Blerim Devolli e kishte kontestuar urdhrin përmbarimor me arsyetimin se dokumenti përmbarues nuk i plotëson kushtet e përcaktuara me nenin 27 të Ligjit për Procedurën Përmbarimore dhe se pala që e ka paraqitur propozim nuk ka qenë palë në procedurën e Arbitrazhit e gjithashtu nuk ka qenë palë në procedurën e njohjes dhe ekzekutimit të vendimit te arbitrazhit. Gjithashtu Blerim Devolli kishte pretenduar se Qeveria e Republikës së Kosovës në cilësinë e Aksionarit të Telekomlt të Kosovës, i ka të pashlyera detyrime Blerim Devollit në cilësinë e aksionarit të Dardafon.net LLC.

Por të gjitha këto pretendime gjykata ia kishte rrëzuar Blerim Devollit:

“Gjykata ne procedurën përmbarimore pasi ka shqyrtuar dhe vlerësuar prapësimin e palës debitore, si dhe shkresat e tjera te lëndës, ka konstatuar se të njëjtat nuk janë të bazuara dhe nuk përmbajnë  asnjë nga shkaqet e përcaktuara me nenin 71 té LPP-së, në bazë të të cilave shkaqe gjykata duhet ta aprovoj prapësimin si te bazuar” thuhet ndër të tjera në arsyetimin e këtij aktvendimi të gjyqtarit Genc Hoxha

Blerim Devolli më 29 shkurt të këtij viti ia ka bllokuar xhirollogaritë bankare Telekomit të Kosovës pas vendimit të shkallës së parë të Gjykatës Komerciale lidhur me borxhin prej 5.7 milionë euro ndaj Z-Mobile.

Që nga ajo kohë mijëra punëtorë të Telekomit po hyjnë në muajin e dytë duke mbetur pa rroga.
Telekomi i Kosovës e ka kontestuar vendimin e shkallës së parë të Gjykatës Komerciale duke e dërguar për të katërtën herë në shkallën e dytë, ndërsa me 2 maj pritet të mbahet seanca gjyqësore në mes Telekomit dhe Z-Mobile.

Kujtojmë se KosovaNews vitin e kaluar ka bërë një seri hulumtimesh ekskluzive për oligarkët Devolli ku në mënyrë të dokumentuar janë shpalosur fakte se të gjitha kompanitë e tyre që operojnë në Kosovë pronësinë e tyre e kanë të regjistruara me pasaporta të jashtëligjshme të Serbisë.

Madje vetë Blerim Devolli kishte nxjerr dokumente të shtetësisë serbe në vitin 2021 në Kragujevc të Serbisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *