Taravari premton de-jugosllavizimin e Armatës dhe të Agjencisë për Zbulim dhe krijimin e një Task Force për siguri kibernetike
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët dhe kandidati për president i koalicionit VLEN, Arben Taravari gjatë shpalosjes së programit, duke folur për shtyllën e dytë tha se BE, SHBA dhe NATO janë aleatë të pazëvendësueshëm, prandaj Maqedonia e Veriut është e gatshme të luajë rolin në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në botën përkrah aleatëve.
Taravari shtoi se Maqedonia e Veriut është vend i sigurt dhe nuk përballet me asnjë kërcënim të drejtpërdrejtë të jashtëm por se kjo nuk do të thotë se Rusia nuk përbën kërcënim.
“Rusia do të vazhdojë të nxisë frikë dhe të krijojë destabilitet, përderisa varësia energjetike dhe vulnerabiliteti nga sulmet kibernetike mbeten kërcënime të vazhdueshme për ne. Parimi bazë mbi të cilin ndërtohet strategjia ime për sigurinë është që Maqedonia e Veriut nuk do të jetë vetëm konsumatore e sigurisë, por edhe prodhuese e sigurisë në rajon dhe në botë. Si Presidenti ardhshëm, zotohem se – Maqedonia e Veriut, do të sigurojë buxhet të qëndrueshëm shumëvjeçar të mbrojtjes në nivelin prej 2% të produktit të brendshëm bruto, në përputhje me kriteret e NATO-s, do të kujdesem për de-jugosllavizimin e Armatës dhe të Agjencisë së Zbulimit duke emëruar vetëm profesionistët më të mirë dhe më të dëshmuar, përfshirë edhe sa i përket sistemit të tyre të vlerave pro-perëndimore, do të ndihmoj që t’i japim fund varësisë sonë energjetike nga Rusia duke lehtësuar formulimin e një koncepti shtetëror të energjisë dhe do të krijoj një Task Force për siguri kibernetike e cila do në ndihmojë në parandalimin hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve kibernetike”, u shpreh Arben Taravari, kandidat për president i VLEN-it.